Covid-19 i ndryshuar dhe 'izolimi' i britanikëve - Business Magazine Albania

Covid-19 i ndryshuar dhe ‘izolimi’ i britanikëve

Covid-19

Shkruar nga Auron Dodi, DW

Në Berlin dhe në shtete të tjera të BE nuk besojnë se varianti i ri i virusit mund të pengohet të hyjë në BE, duke ndërprerë transportin me Britaninë e Madhe. Përpjekja për izolim synon vetëm ngadalësimin e përhapjes në Evropë të variantit të ri të koronavirusit, jo më tepër.

Azia, që e frenoi koronavirusin, me sukses më të madh se Evropa, nuk bëri gjë tjetër më mirë, veçse mbylljes drastike (dhe ndjekjes së kontakteve), që në krye. Këtë bëri edhe Gjermania, në valën e parë të infektimit. Varianti i ri i koronavirusit dihet që tashmë ka mbëritur në vende të tjera të Evropës, jo vetëm në Britaninë e Madhe.

Sipas virologut kryesor të Gjermanisë, Christian Drosten, varianti i ri i virusit ka mbërritur në Itali, Holandë, Belgjikë dhe në Danimarkë. Në Gjermani deri sot nuk është konstatuar, por nuk ka arsye të mendohet, që këtu nuk ka ardhur. Meqenëse ky mutacion i koronavirusit është 70 përqind më infektues se variantet e mëparshme, është e kuptueshme përpjekja për izolim sa më të madh nga burimi, nga Britania e Madhe.

Kushtet e Francës për qarkullimin me Britaninë e Madhe

Qytetarët e BE si dhe britanikët, si dhe shtetas të vendeve të tjera, por që banojnë në BE, që prej së mërkurës mund të rihyjnë nga Britania e Madhe në Francë. Dhe pjesërisht në Belgjikë. Kushti, është paraqitja e një testi negativ për infektimin me Covid-19. Testi nuk duhet të jetë më i vjetër se 72 orë dhe duhet të testojë edhe variantin e ri të koronavirusit. Ministri britanik i Transportit, Grant Shapps tha se në rajonin e Kentit, në kufi me Francën është dërguar një numër i mjaftueshëm testesh, që e tregojnë rezultatin brenda 30 minutash.

Edhe Belgjika rilejon, që prej së mërkurës, hyrjen në Belgjikë të njerëzve nga Britania e Madhe, me shtetësi belge ose me banim kryesor në Belgjikë. Brukseli lejon edhe udhëtimet me nevojë urgjente, që nuk mund të shtyhen.

Kurse Gjermania vendosi prej së martës (22.12.), deri në 6 janar, një ndalim të përgjithshëm transportimi të udhëtarëve nga Britania e Madhe.  Kjo vlen edhe për Afrikën e Jugut, ku është konstatuar një mutacion i ri i koronavirusit.

Në të njëjtën kohë, shoqëria ajrore gjermane e fluturimeve Lufthansa nisi të mërkurën (23.12.) furnizimin me fruta e perime të supermarketeve britanike. 80 tonë fruta e perime priteshin të mërkurën të mbërrinin në aeroportin britanik Doncaster Sheffield në Anglinë e Mesme. Për shkak të bllokimit të kamionëve në kufi me Francën, shumë produkte ushqimore mund të prishen dhe të lindin vështirësi për tregjet britanike. 80 përqind të ushqimeve Britania e Madhe e importon nga BE.

Varianti i ri i koronavirusit dhe rreziku për njeriun

Sipas virologëve gjermanë, për këtë variant të virusit ka shumë gjëra të paqarta.  Dihet për momentin se ky variant ka pësuar 17 mutacione, pra ndryshime, nga varianti i zakonshëm që njohim.  Kjo i ka habitur shkencëtarët, pasi në përgjithësi, Covid-19 konsiderohet një virus i plogësht, që ndryshon relativisht pak.

Por kryesorja: sipas asaj që dihet deri tani, ky variant nuk e bën më të rëndë një infektim me Covid-19.  Kjo është e rëndësishme.

Lexo: Rritja e rasteve me COVID, Italia dhe Britania izolohen gjatë festave

Shefi i Biontechut, firmës që shpiku vaksinën, Ugur Sahin tha se nuk pret që ky mutacion i virusit, me emrin B.1.1.7, ta bëjë vaksinën më pak të efektshme.  Prandaj për momentin ai nuk e sheh të nevojshme përshtatjen e vaksinës. Deri tani vaksina u ka rezistuar varianteve të tjera të virusit.

Për çdo rast, BionTechu ka nisur testime. Dhe për dy javë e di me siguri, nëse duhet të përshtatet vaksina.

Mendohet se mutacionet e shumta të variantit të ri të virusit janë krijuar te një pacient i sëmurë për kohë të gjatë me virusin, për shkak të një imuniteti të dobët te ai pacient.  Virusi ka qëndruar në trupin e pacientit gjatë, në sajë të imunitetit të tij të dobët dhe ka bërë aty shumë mutacione, për t’i shpëtuar mbrojtjes së trupit.  Kështu që virusi besohet se ka dalë nga ai pacient dhe është përcjellë tek të tjerë më i aftë për të mbijetuar se më parë.

A u krijua virusi në Britaninë e Madhe?

Sipas shkencëtarëve gjermanë, fakti që virusi u konstatua në Britani dhe jo diku tjetër mund të ketë të bëjë me analizat më rrënjësore për virusin në Britani.  Me faktin se Britania bën sekuencim gjenetik të virusit më shumë se çdo shtet tjetër.  Britanikët kanë bërë sekuencim gjenetik për 120.000 prova, shifër 100 herë më e lartë se numri i provave në mjaft shtete të tjera të BE. Varianti i ri i virusit u konstatua në 20 shtator në Britaninë e Madhe, por shumë ai u përhap vetëm në dhjetor, në Anglinë e Jugut.  Gjithsesi, në Britaninë e Madhe vazhdojnë vaksinimet me vaksinën e Biontech/Pfizerit, që mendohet se e lufton edhe mutacionin e ri.  Deri tani, në Britaninë e Madhe janë vaksinuar mbi 500.000 vetë.

Lexo: “Projekti Shpejtësia e dritës” rezultoi me vaksinë kundër koronavirusit

Të mërkurën (23.12.) nisi edhe në Gjermani shpërndarja e vaksinave në qendrat e vaksinimit. Firma Biontech po kërkon qendra të tjera për ta prodhuar vaksinën, që të rritet sa më shpejt numri i vaksinimeve.  Në 6 janar në BE pritet të licensohet edhe vaksina e Modernas.

Këto janë rreze shprese në prag të kësaj Krishtlindjeje, e ndryshme nga vitet e tjera.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0