Çfarë po ndodh me industrinë tekstile shqiptare? - Business Magazine Albania

Çfarë po ndodh me industrinë tekstile shqiptare?


Tregu shqiptar i fasonëve sot ka kryer investime të shumta në makineri dhe ka rritur ndjeshëm nivelin e trajtimit të fuqisë punëtore. Shumë ndërmarrje në vendin tonë kontaktohen nga markat më me emër për të bërë ciklin e plotë të produktit të tyre.

Në orën 8.00 të mëngjesit, në ndërmarrjen Kler Albania nis puna për të prodhuar serinë e veshjeve për koleksionin e pranverë 2017 për marka me emër si Gianfraco Ferre, US Polo, Hermont & Blant e shumë të tjera. Çdokush nga ne këto këmisha i ka parë në butikët e famshëm të Milanos, Londrës, Parisit apo Vjenës. Dyqanet nuk mungojnë as në Shqipëri, ku emri, koleksioni i fundit dhe çmimi i kripur na bën shpesh të japim gjysmën e pagës për të pasur një veshje të tillë, ose të presim për uljet që të mundim të kemi në gardërobën tonë, qoftë edhe një nga këmishat e shtrenjta. Por shumë pak e dimë se një pjesë e mirë e tyre prodhohen në Shqipëri. “Ne duhet ta vlerësojmë pak veten, pasi në këto dekada ne kemi punuar për një treg të cilësisë së mesme–të lartë. Këtu përfshihen edhe brandet që janë të shumta të tregut europian. Por ka gjithmonë një tendencë e cila fatkeqësisht godet të fundit, prodhuesin, në këtë rast fasonistin ose atë që prodhon vetë ciklin e mbyllur. Është e vërtetë që ka një diferencë shumë të lartë mes çmimit të shitjes dhe çmimit të prodhimit dhe kjo sa vjen dhe po thellohet. Presioni është që ata kërkojnë një çmim sa më të ulët, ndërkohë që kur shkon në treg, gjen një çmim 10 apo 15 fish më të lartë”, – thotë Flamur Hoxha, sipërmarrësi i kësaj ndërmarrjeje.

Të prodhosh një veshje në vendin tonë nuk do të thotë që vlera e saj të jetë më e ulët. Gjithmonë ndërmarrjet të cilat kanë pasur të përqendruar shpenzimet e tyre në numrin e madh të fuqisë punëtore kanë qenë në kërkim të tregjeve ku krahu i punës është më i lirë. Në shumë shtete të botës së tretë, Indi, Vietnam apo Marok, kompanitë e prodhimit të veshjeve gjithnjë kanë kërkuar fabrika, të cilave pasi u çojnë modelin që duhet të prodhojnë, prerjen dhe copën bëjnë përfundimin e produktit përfundimtar. “Kostoja në Shqipëri është mjaft favorizuese për këtë prodhim. Ndoshta në Shqipëri e kemi pak më të lartë se rajoni, por duke parë që tregu europian po orientohet në Ballkan, mund të themi se markat me emër na kërkojnë. Vetë ky treg po orientohet nga vendet aziatike në ata të origjinës europiane. U intereson shumë që për të ruajtur prodhimin europian, për të ruajtur kushtet e punës dhe “shfrytëzimin” që u bëhet punonjësve në vendet aziatike. Kërkesat janë gjithnjë në rritje për prodhime të tregut europian”, – shpjegon Flamuri.

Tregu shqiptar i fasonëve sot ka kryer investime të shumta në makineri dhe ka rritur ndjeshëm nivelin e trajtimit të fuqisë punëtore. Shumë ndërmarrje në vendin tonë kontaktohen nga markat më me emër për të bërë ciklin e plotë të produktit të tyre. Ndërmarrja Kler, prej vitesh është shkëputur nga koha kur materialet ia sillte të gatshme firma që i porosiste. Ajo sot bën ciklin e plotë të një produkti, që nga copa të cilën e zgjedh në panairet e modës në kryeqytetet e Europës e deri te prodhimi e paketimi i plotë i saj.

Pas disa orësh vizitë në këtë fabrikë, kushtet e punës janë të ngjashme me shumë ndërmarrje që punojnë në këtë sektor edhe në shtetet fqinjë. Çdo punonjëse ka tavolinën e punës, së bashku me makinerinë, ndërsa koha e punës nuk kalon më shumë se 8 orë në ditë. Gjatë kohës që ato punojnë, kanë edhe pushime për çlodhje, kafe dhe drekë. Teuta Plaku është përgjegjëse në këtë fabrikë dhe thotë se asnjëherë nuk ka ndodhur që të punohet jashtë orarit, apo të shkelen të drejtat e punëtorëve. “Kushtet në ndërmarrjen tonë janë shumë të mira, si ato teknike dhe profesionale. Punonjësit janë të kënaqur me pagën dhe kushtet e punës. Të paktën për ndërmarrjen tonë nuk ka vonesa dhe paga jepet në datë në kohën e duhur, nuk mbahet njeri jashtë orarit. Nuk kemi pasur asnjë aksident ku të kenë qenë shkak kushtet e punës”.

Paga e punëtorëve fasonë nuk është më e larta në Shqipëri, megjithatë, në vite ajo ka ardhur duke u përmirësuar. Nëse para disa vitesh, shumica e punëtorëve paguheshin me rrogë minimale, sot ata mund të marrin edhe një pagë prej 40 mijë lekësh neto, e cila i korrespondon një niveli specialisti në administratë. Pavarësisht se puna në një ndërmarrje prodhimi veshjesh e këpucësh është më e lodhshme, sipërmarrësit këtë fabrikë e shohin edhe si një vend që zgjidh problemet ekonomike të shumë familjeve dhe i integron një pjesë të mirë të grave në shoqëri.

Pjesa më e mirë e këtyre punëtorëve vjen nga një jetë, e cila nuk ka ofruar shumë për ta dhe me një arsim minimal apo mesatar. Pas disa vitesh në një fabrikë të tillë, punëtorët marrin përvojë dhe kanë mundësi të rritjes në detyrë. Sigurisht që kur vjen fjala për pagat, administratorët e kompanive thonë që duhet krahasuar në kontekstin shqiptar dhe jo në atë europian, ku dihet që një pagë mesatare në Europë mund të jetë më e lartë edhe se paga më e mirë në administratën shqiptare. Kjo është edhe arsyeja përse Shqipëria e vende të tjera të rajonit zgjidhen për të qenë prodhuese të këtyre veshjeve. “Të gjithë partnerët apo kolegët e mi nuk kanë punonjës, të cilët janë të pasiguruar. Së pari, sepse vetë mundësia e ambienteve është e tillë pasi nuk mundesh që ta bësh, dhe e dyta sepse është zgjuar edhe interesi i punonjësve, me të drejtë, për të mbuluar sigurimet dhe kontributet e tyre. Në Shqipëri, pretendohet që kjo punë paguhet me pagë minimale, mund të ketë sipërmarrje që paguajnë me pagë minimale, por zakonisht pagesat variojnë nga 27, 35, 40 mijë lekë të reja neto”. Flamuri thotë se ata përpiqen të ndihmojnë sa më shumë punëtorët. “Kemi raste që sipërmarrësit shqiptarë paguajnë kontributet dhe për pjesën që i takon punonjësit në mënyrë që paga që ata çojnë në shtëpi të jetë e pranueshme. Pavarësisht se në Shqipëri, me kushtet që kemi, nuk mund të pretendohet që është një pagë që mund t’i shërbejë për të mbajtur një familje, por mund të themi që duke parë se punësojmë një grup që e kanë të vështirë të gjejnë një punë në aktivitete të tjera, mendoj se i sjellim një kontribut ekonomisë së vendit”,- arsyeton ai.


Lirë në Shqipëri, por shtrenjtë në Europë…

cfare-po-ndodh-me-industrine-tekstile-shqiptare-businessmagDorina Hoxha është një studente që jeton në Milano. Si gjithë të rinjtë, edhe ajo një pjesë të mirë të parave i shpenzon për të blerë rroba. “Jo gjithmonë paratë mjaftojnë dhe kur vjen puna për të mbushur gardërobën, ato nuk janë asnjëherë të mjaftueshme. Unë përpiqem që të kem gjithnjë veshje të cilat i përshtaten stilit tim dhe të kenë një copë të mirë dhe të rehatshme. Një pjesë të mirë të tyre e kam të markave me emër për shkak të cilësisë që kanë ato”, tregon ajo. Dorina thotë se për të blerë një këmishë ose një palë këpucë të modelit të fundit të një firme me emër, duhen të paktën 300 apo 400 euro, dhe kjo nuk është pak për jetën e një studenti. Megjithatë ajo tregon se shumë të rinj shkojnë në dyqanet e modës për të pasur veshje të tilla. “Në disa raste, në rrobat apo këpucët që ble kam gjetur mbishkrimin ‘made in Albania’ dhe më ka bërë përshtypje të them të drejtën. Por kjo nuk do të thotë gjë se shumë firma me emër kanë prodhimin në Kinë apo në vende të tjera aziatike”, sqaron ajo.

Flamuri thotë se vitet e fundit, sipërmarrësit shqiptarë po bien pre e kontraktorëve, të cilët nuk janë tregtuesit direkt të firmave të veshjeve. Kjo bën që fitimi i tyre të bjerë shumë dhe kostoja për një produkt të shitet më lirë. “Ne në këto 25 vite kemi punuar me shumë firma dhe brande me emër dhe gjithmonë cilësia ka qenë e mesme-e lartë. Jo vetëm ne, por shumë prodhues shqiptarë, qoftë të veshjeve apo të këpucëve. Kostot kanë ardhur gjithmonë në ulje. Presioni ka qenë që të marrin çmime sa më të ulëta dhe kjo ka bërë që shumë kompani të mos investojnë, të mos zgjerohen të mos jenë partnerë direktë. Të jesh partner direkt do të thotë normë më e mirë fitimi, por dhe vetë markat kërkojnë vetë partnerë direkt prodhues, por për fat të keq, jo shumë kompani kanë arritur këtë start ku mund të kapin shitësin e markës”.

Ai thotë se nëse duhet të kishte fitim të mirë, duhet të ishte për prodhuesin dhe jo për kontraktorët që gjejnë tregjet e fasonëve dhe marrin paratë vetëm nga lidhja që bëjnë me shitësin dhe prodhuesin. “Nëse do të duhet të kishte një normë të mirë fitimi për prodhimin e këtyre markave duhet t’i përkiste prodhuesit. Por Shqipëria, si një vend që nuk ka deri diku një emër të fortë për të hyrë në treg, është viktimë e disa kalimeve në grupe të ndryshme biznesi, të cilat kanë kosto shumë të lartë. Këtu norma e fitimit bie shumë dhe ky fitim shpërndahet në marketing, në firma të dyta apo të treta, deri te prodhuesi shqiptar”. Fitimi i ndërmarrjeve shqiptare sot bëhet më shumë me dyqane të vogla mode që bëjnë porosi. “Mund të kemi mbi 1000 klientë që kanë dyqane në qendrat e Italisë që kërkojnë porosi. Ne me këto mbahemi, sepse mundësinë për të bërë e kanë vetëm te ne. Në një treg të largët, kosto e transportit është e lartë dhe gjatësia në dërgesën e porosisë po ashtu. Ne e bëjmë për dy javë dorëzimin, në vende të tjera janë më shumë se 3 javë”,- tregon z. Hoxha.

Një këmishë, e cila mund të kushtojë mbi 200 euro, koston e prodhimit në fabrikën e tij e ka nga 10 deri në 15 euro. “Brandet e mëdha e kanë nga 7 deri në 10 herë më shumë çmimin e shitjes së kostos së prodhimit, ose nga 4 deri në 6-fish, por mesatarisht nëse do të flasim për një treg, i cili mbyll të gjithë ciklin, pra për një produkt, i cili i shkon klientit direkt në magazinat qendrore, produktet që ne u japim atyre variojnë nga 10 deri në 15 euro”, thotë Flamur Hoxha.

Të mbijetosh mes taksave të larta.

Por edhe pse kanë numrin më të lartë të të punësuarve, industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve është ende duke vuajtur rritjen e taksave. Vendi ynë ka tatimfitimin më të lartë në rajon, dhe në kushtet që konkurrenca në këtë treg lëviz me qindarka për njësi, penalizimi është i madh, pasi nuk gjejnë dot blerës. “Jo vetëm ne, por e gjithë sipërmarrja e ka theksuar se pengesat fiskale që ne kemi, na kanë penalizuar në treg. E them me bindje se më shumë se sektori privat, askush nuk mund ta dijë më mirë se si bëhet ekonomia shqiptare, apo si bëhet biznesi. Po t’u hysh llogarive ekonomike dhe të bësh normën e fitimit që ne kemi duke futur brenda të gjithë risqet, sakrificat, humbjet nga falimentimet e partnerëve tanë, shtoji dhe lëvizjet fiskale, çdokush e mendon të qëndrojë më apo jo në këtë sektor”,- thotë Flamur Hoxha.

Eksportet e veshjeve kanë 22.5% të tregut të eksporteve në Shqipëri, ku pavarësisht taksave, ato kanë qenë gjithmonë në rritje. 21.9% është edhe pesha që kanë në ekonominë tonë eksportuese edhe sektori i prodhimit të këpucëve. Rritja vjetore për 6 muajt e parë të këtyre grupeve është 22%. Por për prodhuesit nuk ka rëndësi sasia e prodhimit, por ulja ndjeshëm e kostove të prodhimit në çmimin që merr shitësi fundor. “Duke qenë se ne mendojmë se kemi punuar për këtë sektor prej dekadash dhe deri tani ndihesh fajtor nëse do të nxjerrësh njerëz pa punë, ke një përgjegjësi morale. Norma e fitimit për ne është minimale. Ju jap me garanci që një ndërmarrje me 200 deri në 300 punëtorë nuk fiton më shumë se një rrogë e majme e një drejtori banke apo një drejtori në sektori publik”, përfundon Flamuri.

 

 

/Shkruar nga Ola Xama për Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0