"Britania e Madhe, fëmija i llastuar e i përkëdhelur i BE-së", nga Elvin Meka mbi BREXIT - Business Magazine Albania

“Britania e Madhe, fëmija i llastuar e i përkëdhelur i BE-së”, nga Elvin Meka mbi BREXIT


Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka ka një eksperiencë mbi 16 vjeçare në fushën e tregjeve financiare, letrave me vlerë dhe bankave në Shqipëri. Gjatë karrierës së tij profesionale ka punuar pranë disa institucioneve si: Banka e Shqipërisë (Departamenti i Emisionit, Divizioni i Operacioneve Monetar dhe, Departamenti i Bursës së Tiranës), Bursa e Tiranës sh.a. (Drejtor i Përgjithshëm), Shoqata Shqiptare e Bankave – AAB (Sekretar i Përgjithshëm) dhe Banka Emporiki – Shqipëri (Drejtor Financiar-CFO).

Z. Elvin Meka është kryeredaktor i Revistës “BANKIERI”, dhe Zv.Rektor per Procesin Akademik ne Universitetin Europian të Tiranёs.

Më poshtë mund të ndiqni intervistën e tij për Business Mag Albania:

1. Vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga BE-ja nё referendumin e 23 qershorit 2016, çfarë do të thotë për Evropën sot, në aspektin kryesisht ekonomik? A do tё ketё destabilizim (pas reagimit tё tregjeve financiare)?

Ky vendim, tërësisht i padëshirueshëm, veçanërisht për ekonominë e Britanisë së Madhe dhe të Bashkimit Europian, është nga ato vendime që mund të ”tundin” dheun e që realisht ishte i krahasueshëm me tronditjen e tregjeve financiare botërore, pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA. Kjo është lehtësisht e kuptueshme, për vetё rolin dhe peshën që ka ekonomia e Britanisë së Madhe, në BE dhe në botë, si dhe vetё qytetin e Londrës, si qendra më e madhe financiare në botë, sipas Global Financial Centres Index (GFCI), për vitin 2015. Megjithatë, ajo që mund të pranohet është se këtu nuk mund të flitet për destabilizim, por për luhatje, kryesisht rënie të vlerave të monedhës britanike (pound) dhe të aksioneve e instrumenteve të ndryshme financiare, më shumë të lidhura me vetё industrinë financiare. Zakonisht pas luhatjeve të tilla vjen një proces korrektues dhe stabilizues i tregjeve, por problematika që mbetet për një kohë të gjatë në këto raste është korrektimi dhe efektet që lëvizje të tilla kanë në ekonominë reale dhe më tej në sistemin bankar europian, i cili ndodhet ende nën një trysni të madhe rregullash dhe përshtatjesh strategjike, si pasojë e krizës së vitit 2008.

Nëse kjo votë për dalje nga BE e Britanisë së Madhe do të vijojë të konkretizohet në praktikë, ajo pashmangshmërisht do të ketë efekte dhe pasoja në ekonomitë reciproke pasi BE humbet rreth 1/6 e PPB-së së saj, qendrën elitare financiare, burimin kryesor dhe madhor të kërkimit shkencor ekselent, të mbështetur fuqishëm me fonde nga BE, ndërkohë që Britania e Madhe humbet partnerin kryesor tregtar të saj, tek i cili shet mbi 50% të eksporteve. Nëse nuk do të ketë një përpjekje ekstreme për ta anuluar një vendim të tillë, kjo ndarje do të shoqërohet me një proces shumë të gjatë zhbërje të të gjithë marrëveshjeve dhe traktateve në të cilat Britania e Madhe ka qenë pjesë e BE-së, e prej të cilave do të duhet të dalë, duke rinegociuar gjithçka, si me BE-në ashtu dhe me pjesën tjetër të botës. Në këtë kuadër, kosto më e lartë bie mbi vetё Britaninë e Madhe, më shumë sesa mbi BE-në, i cili gjithsesi mbetet një bllok ekonomik e politik i mbështetur mbi ekonominë dhe politikëbërjen e Gjermanisë dhe Francës. Mbetet kjo arsyeja pse drejtuesit e lartë ekonomikë dhe politikë të BE-së kanë kërkuar një dalje “urgjente” dhe të përshpejtuar të Britanisë së Madhe nga BE-ja, thjesht për të mos ndërlikuar më tej zhvillimet ekonomike, politike e sociale në vetё hapësirën e Bashkimit Europian. Mbetet të shikohet se sa profesionalisht dhe mjeshtërisht do të menaxhohet ky proces delikat, i cili ndodh për herë të parë në historinë e BE-së dhe ndaj një anëtari shumë të madh dhe me peshë në politikën, ekonominë dhe sistemin financiar Europian, e përtej tij, në arenën globale.

2. Çfarë efekti të drejtpërdrejt do të ketë (nëse ka) për ekonominë shqiptare?

Mendoj se ndikimi i kësaj ngjarje në ekonominë e Shqipërisë do tё jetë modest, për faktin se Shqipëria ende nuk është pjesë e BE-së dhe niveli i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve është i parëndësishëm, në raport me partnerët kryesorë tregtarë. Megjithatë, meqenëse jetojmë në një botë thellësisht të globalizuar dhe të ndërthurur, nuk mund të besohet që ndikimi do të jetë zero, nisur dhe nga fakti se familjet shqiptare përfitojnë dërgesa nga familjarët e tyre emigrantë në Britaninë e Madhe dhe me këtë rast efekti mbi to do të materializohet jo vetëm në formën e zhvlerësimit të Pound-it kundrejt Lekut shqiptar, por dhe në vështirësitë që do të hasin ata në qëndrimin në këtë vend, tani e në vijim. Ndoshta efekti më i madh mbi Shqipërinë do të shfaqet në rrugën e saj drejt integrimit në BE, pasi shkalla e rritur e kompleksitetit dhe vështirësisë së këtij procesi është tashmë e garantuar. BE-së do t’i duhet të shpenzojë shumë energji për trajtimin e kujdesshëm të “divorcit” me Britaninë e Madhe, kështu që vëmendja ndaj vendeve aspirante të Ballkanit Perëndimor, me tё gjithë dëshirën tonë të madhe, nuk do të jetë në nivelet e para 23 qershorit 2016. Kjo nënkupton që, Shqipërisë pas kësaj ngjarjeje do t’i duhen përpjekje të jashtëzakonshme për të arritur në paradhomën e fillimit të procesit të aderimit në BE.

3. A do të jetë e njëjtë vlera e BE-së në të ardhmen, marrë parasysh përpjekjet e Shqipërisë për aderim në tregun e përbashkët europian? Si mund ta ndikonte vendin tonë?

Bashkimi Europian mbetet një projekt madhor dhe strategjik shumë i madh dhe i rëndësishëm, por sot pas 65 vjetësh nga konceptimi i tij, ky projekt ka treguar dobësitë, sikurse dhe arritjet e tij madhore, jo vetëm politike (çimentimin e paqes europiane, pas rreth 1000 vitesh luftërash të ndryshme, e kryesisht fashitjen e rivalitetit shumëshekullor franko-gjerman), por dhe ekonomike e sociale, me krijimin e monedhës së përbashkët EURO, triumfin e demokracisë, ekonomisë së tregut në Europën Qendrore e Juglindore dhe integrimin e saj, politik, ekonomik dhe shoqëror drejt BE-së. Në këtë kuadër, vlerat e BE-së janë absolutisht të pacёnueshme, megjithë largimin e Britanisë së Madhe, e cila gjithë historisë së saj 43 vjeçare si anëtar e BE-së ka qenë më shumë “outsider” dhe fëmija i llastuar e i përkëdhelur, sesa anëtari që i ka dhënë tonin këtij projekti, politik dhe ekonomik.

Personalisht mendoj se vlerat e BE-së, në mos mbeten ato që janë që prej ditës së parë të krijimit, mund të marrin një dimension të ri edhe më kuptimplotë për të gjithë vendet aspirante dhe kandidate për t’iu bashkuar atij në të ardhmen. BE mbetet shpresa e vetme shumëpërmasore për Shqipërinë dhe “NORD”-i ynë natyral, drejt të cilit duhet të shkojmë me çdo kusht dhe sa më shpejt. Edhe një herë theksoj se ky proces, pas daljes së Britanisë së Madhe, nuk do të jetë më si më parë (pra do të jetë më i vështirë), por kjo jo vetëm që nuk duhet të na stepë, por përkundrazi duhet të na bëjë më të përgjegjshëm, për të kuptuar se anëtarësimi nuk është një dhuratë, por një çmim!

 

/Business Mag Albania

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0