Prej dy javësh autoshkollat kanë rinisur punën. Por Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, i ka paralajmëruar të respektojnë rigorozisht protokollin e masave anti covid, përndryshe do të aplikohen gjoba, deri në mbyllje të aktivitetit.
Drejtoria e Transportit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë nisur monitorimin dhe kontrollet në klasat mësimore.
Sipas kësaj Drejtorie, “Zbatimi i masave anti-Covid 19 nga ana e autoshkollave është detyrim ligjor. DPSHTRR dhe Task-Forca e Transportit Rrugor vijon monitorimin dhe kontrollet në klasa e në procesin mësimor që ka rinisur nga 11 Maji. Nuk do të donim kthim mbrapa, ndaj disiplina, kujdesi, serioziteti në mbrojtjen e aplikantëve dhe personelit ka rëndësi të jashtëzakonshme për jetën dhe vijimin e aktivitetit ekonomik të këtij sektori. Çdo mangësi apo pakujdesi do jetë subjekt penalizimesh edhe nga Njësia Operacionale Anti-Covid (Task-Forca ndërinstitucionale) dhe Policia e Shtetit”.
Lexo: Task Forcë për përmbushjen e protokollit anticovid në sipërmarrjet që lejohen të punojnë
Prioritet në masat e reja janë: distanca mbi 1.5 m, rregullat të higjienës në teori, sikurse seanca online. Nga 18 Maji nisi edhe instruksioni në rrugë, ku nuk lejohej mbi 1 praktikant në kabinë, veç kur janë familjarë, si dhe të jenë të pajisur me maska, doreza, matje e dezinfektime. Autoshkollat duhet të koordinohen paraprakisht me drejtoritë rajonale për të shmangur tejkalimin e kapaciteteve të lejuara për testim konform protokolleve të masave të sigurisë. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor paralajmëroi edhe më 13 Maj se rihapja e autoshkollave do të shoqërohet me kontrolle dhe monitorime të shpeshta, madje shkelja e rregullave do të penalizohet ashpër rast pas rasti ose do të rikthejë në bllokim aktiviteti.
Autoshkollat, të cilat përgatisin aplikantë për leje drejtimi, rritje kategorish, për provimet e teorisë dhe praktikës, janë rihapur me dy faza më 11 Maj. Mësimi nisi me 13 Mars për të gjithë kursantet, kursi I të cilëve u ndërpre në Mars.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto