Arsimi në rrezik, numri i nxënësve bie me 10 % pas pandemisë - Business Magazine Albania

Arsimi në rrezik, numri i nxënësve bie me 10 % pas pandemisë

Numri i nxënësve në shkolla është në rënie, prej uljes së lindjeve dhe emigracionit, por pas pandemisë fenomeni po përkeqësohet. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se për periudhën 2020-2025 totali i nxënësve të regjistruar në të gjitha nivelet ka rënë me rreth 61 mijë, që përbën një tkurrje prej 10%.

Në nivelet më të ulëta të arsimit, përkatësisht në kopshte, numri i fëmijëve të regjistruar është ulur me 8%, duke kaluar nga 71,332 në 2020 në 65,914 fëmijë në vitin e fundit. Ky fenomen, është një tregues i tranzicionit të fortë demografik me uljen e lindjeve poshtë nivelit 1.5 fëmijë për grua dekadën e fundit, në krahasim me vitet 1990, ku ky tregues ishte mbi tre fëmijë për grua.

Arsimi fillor dhe cikli i lartë i arsimit bazë (klasat 5-9) kanë pësuar tkurrje më të theksuar. Në shkollat fillore, numri i nxënësve ka rënë me 14% ndërmjet 2020 -2025, ndërsa në ciklin e lartë të arsimit bazë, tkurrja është 11%. Kjo tregon një trend vazhdueshëm demografik të zbehjes së popullsisë shkollore në moshat 6-14 vjeç.

Situata bëhet edhe më shqetësuese në arsimin e mesëm, ku numri i nxënësve ka rënë me 17% përgjatë periudhës në fjalë. Gjatë këtyre viteve, regjistrimet në gjimnaze dhe shkolla profesionale kanë pësuar një rënie prej 19%, duke reflektuar një largim e të rinjve ose nga kjo fazë e arsimit apo një orientim drejt tregut të punës. Arsimi profesional ka shënuar gjithashtu një ulje prej 11%, por kjo është më pak në krahasim me gjimnazet.

Në një kontrast të dukshëm me rëniet e mëparshme, arsimi i lartë ruan një stabilitet të konsiderueshëm. Numri i të regjistruarve në universitetet dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë ka pësuar vetëm një ulje të lehtë prej 1%, duke kaluar nga 123,797 në 2020 në 122,613 studentë në 2025. Kjo tregon se, pavarësisht sfidave demografike dhe sociale, interesi për studimet universitare mbetet i qëndrueshëm në Shqipëri.

Rënia e shpejtë e numrit të nxënësve ka ndikuar në mbylljen e një së katërtës së shkollave 9-vjeçare në rang vendi, referojnë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Arsimit.

Lexo edhe: Nga 48€ në Shqipëri, te 3,789€ në Luksemburg, hendeku i mbrojtjes sociale në Europë

Nga viti shkollor 2012-2013 në vitin shkollor 2021-2022 janë mbyllur 295 shkolla të arsimit 9-vjeçar në të gjithë vendin duke e çuar numrin total të tyre në 1051 nga 1346 që ishte në vitin 2013.

Mbyllja e shkollave ka ardhur në raport të drejtë me rënien e nxënësve, pasi nga 2011 më 2023, INSTAT referon se numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%.

Zonat rurale kryesojnë me mbylljen e shkollave, pasi numri i fëmijëve është pakësuar ndjeshëm. Mirëpo mbyllja e shkollave në zonat rurale të vendit është bërë shkak për emigrimin e mëtejshëm e atyre pak familjeve me fëmijë të vegjël.

Që nga viti 2000 janë mbyllur 42% e shkollave 8-9-vjeçare në rang vendi.

Shqipëria financonte më shumë se 4-5% të PBB së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit, ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD-së jepnin në atë kohë.

Por gjatë viteve të tranzicionit, sektori është financuar më pak se 3% të PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara ka dhënë në këtë periudhë dhe 20% më pak se financimet që japin vendet e rajonit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0