Anisa Kuçi: OSCAL, konferenca e kulturës dhe dijes së lirë - Business Magazine Albania

Anisa Kuçi: OSCAL, konferenca e kulturës dhe dijes së lirë


Për të tretin vit rradhazi organizohet konferenca ndërkombëtare “Open Source Conference Albania” (OSCAL) dedikuar teknologjisë së lirë me burim të hapur (free open source), programeve të aksesueshme nga të gjithë, domeinit publik, si dhe kulturës dhe dijes së lirë.

OSCAL mbahet në datat 14 dhe 15 Maj 2016 në Universitetin Metropolitan të Tiranës ku organizatorët kanë planifikuar një axhendë të ngjeshur. Prezantues nga 14 shtete të ndryshme do të mbajnë workshope dhe prezantime për të pranishmit. Konferenca fillon në orën 9.00 të shtunën, 9.30 të dielën dhe mbaron në 18.30 të dyja ditët (14 & 15 Maj).

Anisa Kuçi, një nga organizatoret e konferencës dhe aktivistet në komunitetin e Open Source vjen në një prononcim ekskluzivisht për Business Mag Albania.

1. Me një fjali, më përmblidh kush është Anisa Kuçi për ata që nuk e njohin?

Jam Anisa Kuci, aktualisht po ndjek studimet pranë Universitetit Bujqësor tё Tiranës, në vit të dytë bachelor. Gjithashtu jam haktiviste e Open Source, anëtare ne komunitetin Open Labs, dhe vullnetare në Mozilla, krijuesin e browser-it Firefox, ku me siguri të gjithëve na ka rënë rasti të nagivojmë. Jam angazhuar në strukturën e Open Labs që prej 2012 kur u krijua e deri në ditët e sotme.

2. Këto 2-3 vitet e fundit, ka lëvizje dhe iniciativa të komuniteteve të ICT apo Sipërmarrësve të rinj. Çfarë po ndodh sipas teje?Anisa-oscal-conference-businessmag

Personalisht, mendoj se gjatë viteve të fundit është rritur ndjeshëm numri i aktiviteteve dhe iniciativave nga të rinjtë, duke krijuar kështu startup-e dhe co-working spaces për të mbledhur së bashku të gjithë të apasionuarit për një fushë të caktuar.

Vërej se iniciativa me karakter të tillë, ndihmojnë në formësimin e botëkuptimit të të rinjve, pasi u jep gjithashtu edhe një eksperiencë e cila u vlen që edhe në një të ardhme qё të jenë të aftë të ndërtojnë biznese e të jenë pjesë e strukturave të rëndësishme vendim-marrëse. Një tjetër aspekt pozitiv është gjithashtu që nxit “shpirtin e skuadrës” duke i bërë të rinjtë të punojnë së bashku për të arritur qëllime të caktuara.

3. Cili është roli yt personal, duke parë angazhimet e tua të shpeshta në kësi aktivitetesh?

Ashtu siç e përmënda më sipër, unë jam anëtare ne Open Labs, një nga organizatorёt e OSCAL dhe gjithashtu jam Firefox Student Ambassador për Mozilla-n, ku kam për qëllim të promovoj programet dhe projektet e saj në universitete.

Qëllimi kryesor i imi, por jam e sigurt dhe i tё gjithë komunitetit ku bëj pjesë, është që të përhapim sa më shumë përdorimin e gjerë të teknologjive me natyrë të tillë si alternativa e duhur për t’iu bashkuar të gjithë.

Tipike e organizimeve të tilla është së të gjithë japim pak nga vetja duam apo nuk duam e në këtë mënyrë përveç rolit profesional që kemi brenda kornizës së Open Labs, një rol tjetër i rëndësishëm është dhe motivimi e frymëzimi që duhet të përcjellim te njëri tjetri për ta bërë punën tonë akoma e më interesante.

4. Open Source Conference Albania – OSCAL. Mund të na flasësh pak mbi domethënien e saj? Çfarë përfaqëson Open Source? Kujt mund t’i referohemi me termin Open Source?

OSCAL (Open Source Conference Albania) është konferenca e parë vjetore e organizuar në Shqipëri për të promovuar softwaret me burim të hapur, kulturën dhe dijen e lirë. Një lëvizje globale që filloi më shumë se 25 vjet më parë.

Ashtu siç edhe e lartpërmenda Open Source janë të gjitha teknologjitë ku përdoruesit kanë të drejtë t’i përshtasin e të ndërhyjnë në programe sipas nevojave të tyre. Shembuj të programeve të tilla janë: Mozilla, Wikipedia, Libre Office, Arduino etj.

5. Kush duhet të vijë dhe të marrë pjesë në OSCAL? Çfarë do të gjejë dhe çfarë do të “përfitojë”? Janë vetëm të apasionuarit e teknologjisë ata qё duhet ta ndjekin apo edhe të tjerë?

Në OSCAL janë të gjithë të ftuar pa dallime moshe apo gjinie, mjafton të kenë dëshirën dhe entuziazmin për të qënë pjesë e konferencës dhe cfarë është më e rëndësishmja të marrin të gjithë informacionet që duan në lidhje me Open Source dhe ta shijojnë. Gjithashtu me shumë dëshirë mirëpresim edhe personat të cilët nuk kanë një background teknik, por vijnë edhe nga fusha të tjera, pasi Open source nuk gjejmё vetёm në ekranet tona të kompjuterave, por gjithashtu gjejmë dhe në jetën politike. Një shprehje interesante që kam lexuar sё fundmi është: “I want my parlament like free software, open and transparent”, që do të thotë se janë ideologji që gjejnë zbatim dhe në politikë apo në fusha të tjera.

6. “Empowering the Commons”: Cili është profili i të ftuarve pjesëmarrës për të ndarë përvojat e tyre me pjesëmarrësit?

Këtë vit numërojmë afërsisht 50 të ftuar nga Kosova, rajoni, dhe nga e gjithë bota, të cilët do tё jenë ligjërues e do tё mbajnë punëtori për gjatë dy ditëve të fundjavës. Të ftuarit janë kontribuesё dhe njohës shumë të mirë të fushave specifike nga vijnë dhe them me plot bindjen, se do jetë një konferencë tepër kualitative dhe interesante për t’u ndjekur.

Theksin kryesor në këtë edicion menduam që ta kishte fuqizimi i të dhënave të cilat janë tё aksesueshme nga i gjithë publiku, si një nga burimet kryesore të informacionit e më të lehtat për t’u gjetur. Tematikat e prezantimeve që do tё kenë të ftuarit do tё jenë nga më të larmishmet, por gjithnjë duke theksuar rolin e madh që kanë programe të tilla në informimin dhe se sa e rëndësishme është që informacioni të jetë i aksesueshëm nga të gjithë.

7. Si organizator i aktivitetit, meqë është viti i tretë, shikoni më tepër vetëdije dhe njohuri nga audiencat tuaja? Cilat janë pritshmëritë për të ardhmen?

Këtë vit është edicioni i tretë i OSCAL dhe vërej se të rinjtë kanë më shumë informacion dhe janë më të interesuar për teknologjitë Open Source sesa dy vite më parë.

Në vitin e parë mund të them se ishin shumë pak ata të cilët e kuptonin thelbin dhe ideologjinë e Open Source, por tani duket se gjendja ka ndryshuar për mirë. Pritshmëritë për të ardhmen dhe aspiratat tona janë që këto lloj teknologjish të përhapen në nivele te tilla sa numri i përdoruesve të këtyre programeve të dominojë.

Ju falemnderit!

 

/Business Mag Albania

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0