AmCham themelon Komitetin e të “Rinjve, sipërmarrjes dhe inovacionit” - Business Magazine Albania

AmCham themelon Komitetin e të “Rinjve, sipërmarrjes dhe inovacionit”

Dhoma Amerikane ka bashkuar të rinjtë, sipërmarrës dhe inovatorë duke krijuar një Komitet, i cili do të kthehet në një platformë të mendimit strategjik dhe ideve të guximshme të profesionistëve të rinj. AmCham prezantoi zyrtarisht Komitetin në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, në mbështetje të qëllimit të përbashkët për të kultivuar frymën amerikane të sipërmarrjes tek një brez i ri liderësh, të mbështetur në vlera dhe të motivuar nga një qëllim i qartë. Aktiviteti u organizua qëllimisht në American Corner Tirana, një hapësirë që përfaqëson ekselencën amerikane në kulturë, arsim, shkencë dhe teknologji.

Eventi, i organizuar me praninë e të Ngarkuarës me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Nancy VanHorn, mblodhi jo vetëm anëtarët dhe drejtuesit e Komitetit për Sipërmarrjen dhe Inovacionin e të Rinjve, por edhe Bordin Drejtues, anëtarët Premium dhe kryetarët e komiteteve në AmCham. Në adresimin e përshëndetjes së saj, E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn theksoi simbolikën e momentit, 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA, një vend i themeluar nga sipërmarrës dhe inovatorë. “Kjo është një platformë e re ku sipërmarrësit e rinj mund të angazhohen me ekspertizën amerikane të biznesit dhe të kthejnë idetë në mundësi,” u shpreh ajo.

Gjatë moderimit të aktivitetit, Drejtori Ekzekutiv Neritan Mullaj e përshkroi nismën si “jo thjesht një strukturë e re brenda Dhomës, por një vizion i formësuar nga besimi i Bordit në fuqinë e rinisë, inovacionit dhe veprimit të përbashkët.” Në mbështetje të kësaj iniciative u shpreh edhe Presidenti i AmCham, Grant Van Cleve, duke theksuar se lidhja e sipërmarrësve dhe inovatorëve, veçanërisht në Shqipëri, me ekspertizën amerikane do të mbetet një objektiv thelbësor i AmCham.

Ambicia dhe vizioni i kësaj nisme u prezantua nga Zëvendëspresidenti i AmCham, Rexhino Çekrezi, iniciatori kryesor për krijimin e Komitetit. Ai theksoi se që në diskutimet e para iniciativa ka pasur mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së. “Misioni është i drejtpërdrejtë: të lidhim sipërmarrësit dhe inovatorët e rinj me standardet, përvojën dhe rrjetet e komunitetit të biznesit të AmCham dhe ta shndërrojmë këtë lidhje në rezultate konkrete.” Ai theksoi se kompanitë anëtare të AmCham përfaqësojnë jo vetëm lidershipin amerikan në teknologji, produkte dhe shërbime, por edhe një kulturë që shpërblen meritën dhe vlerëson idetë e reja. “E kam përjetuar vetë këtë. Pas kthimit në Shqipëri, mora mbështetje dhe besim real nga anëtarët e AmCham,” shtoi ai.

Lexo edhe: Të rinjtë kërkojnë partneritet real për klimën! Një zë i përbashkët nga 9 bashki të Shqipërisë

Drejtuesit dhe anëtarët e Komitetit formojnë një bashkësi sektoriale kompanish dhe profile biznesi, duke sjellë përmes roleve të tyre drejtuese apo menaxheriale optimizmin dhe sinergjinë e të rinjve që kanë guximin të sfidojnë standardet dhe të përqafojnë teknologjinë jo thjesht si mjet, por si mendësi.

Këtë frymëzim të orientuar nga forca e ndryshimit dhe inovacionit ata e përcollën nga prezantimet e tyre, ndërkohë që Klint Berdica, kryetar i Komitetit të të “Rinjve, sipërmarrjes dhe inovacionin”, prezantoi planin e punës së Komitetit, duke theksuar katër prioritete kryesore që do të udhëheqin veprimtarinë e Komitetit. Së pari, promovimi i vlerave amerikane dhe transatlantike të biznesit përmes prezantimit të liderëve të rinj me parimet e lidershipit etik, llogaridhënies dhe vendimmarrjes së strukturuar, nëpërmjet shkëmbimit të njohurive dhe rrjeteve ndërkombëtare. Po aq e rëndësishme është edhe mbështetja e tranzicionit brez pas brezi në bizneset shqiptare, duke nxitur mentorimin dhe dialogun mes themeluesve dhe liderëve të rinj për të forcuar qeverisjen, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.
Komiteti synon gjithashtu të nxisë inovacionin etik dhe të qëndrueshëm, duke lidhur liderët e rinj me ekspertizën globale dhe duke inkurajuar ide që krijojnë ndikim të qëndrueshëm ekonomik. Njëkohësisht, do të forcohet bashkëpunimi ndërmjet komiteteve të AmCham dhe Dhomave Amerikane jashtë vendit, për të mundësuar shkëmbimin e njohurive, harmonizimin e iniciativave dhe transferimin efektiv të praktikave më të mira në mjedisin e biznesit në Shqipëri.

Amcham

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0