Albvision Ltd fut në Kosovë automatin e parë të Bitcoin. Ja kush janë destinacionet e radhës - Business Magazine Albania

Albvision Ltd fut në Kosovë automatin e parë të Bitcoin. Ja kush janë destinacionet e radhës


Kompania me seli në Kosovë, Albvision, me aktivitetit në sektorët e sistemeve të informacionit, ka njoftuar zyrtarisht se ka sjellë në Kosovë, ATM-në e parë të saj të monedhës virtuale Bitcoin, me premtimin se Tirana dhe Shkupi do të jenë dy destinacionet e radhës të furnizimit me ATM të këmbimit të parasë virtuale.

“E ndërsa në Prishtinë dhe Tiranë, institucionet qeveritare si Doganat e Kosovës, apo Banka e Shqipërisë dalin me deklarata edukative, duke bërë apel për maturi në përdorimin e monedhave kriptografike, si gjithmonë sektori i biznesit është aktori proaktiv, i cili bën hapin e parë,” ka pohuar kompania në njoftimin zyrtar.  “Kjo ATM pritet të ofrojë disa prej monedhave virtuale më të përdorura si Ether, Dash, Bitcoin, Doge dhe LiteCoin. Kosova i bashkohet listës së 57 shteteve të botës, të cilat operojnë një ATM të monedhave virtuale”, thotë njoftimi.

Banka e Shqipërisë, që së fundmi ka dalë me deklaratë, ku i paralajmëron qytetarët që monedha bitcoin është ilegale në Shqipëri dhe investimi në të nuk ka asnjë garanci, tha se ajo sapo ka pohuar se nuk ka kompani të liçencuara për këtë qëllim. Kjo automatikisht përjashton që ka një ATM në këtë fazë.

Banka e Shqipërisë tha se i qëndron deklaratës së mëparshme, ku ajo theksonte se “nuk ka liçencuar asnjë subjekt financiar në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale. Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e liçencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues dhe atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë. Si pasojë, në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme rreziku dhe pasigurie, pa garanci të plota për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Nisur nga ky këndvështrim, përfshirja e çdokujt në këtë lloj veprimtarie mbetet një veprim në përgjegjësinë individuale të çdo personi që e ndërmerr atë”.

Edhe burime zyrtare nga Banka Qendrore e Kosovës, thanë se monedha e vetme zyrtare deri më tani në Kosovë është euro. Sipas Besnik Kadës, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës, nuk ka një instrument ligjor që e rregullon përdorimin e parave virtuale. “Ato nuk janë të rregulluara ligjërisht si valuta apo instrumente të pagesave”, ka pohuar ai.

Albvision Ltd thotë se “ATM vjen në një kohë kur interesi për monedhat virtuale është rritur ndjeshëm në Shqipëri dhe Kosovë. 800 mijë Euro janë shpenzuar për blerjen e pajisjeve që prodhojnë këto monedha në Kosovë shpreheshin dy javë më parë institucionet doganore. ATM-ja, ku qytetarët e Kosovës mund të blejnë dhe shesin Bitcoin, do të vendoset në qendër të Prishtinës. Transaksionet e para do të kryhen vetëm në Bitcoin ndërsa në të ardhmen edhe në 10 monedha të tjera virtuale.”

Albvision, sipas burimeve të saj, është themeluar në 2000 në Kosovë dhe ushtron aktivitetin e saj në sektorët e sistemeve të informacionit dhe sigurisë, bankarë, postarë, energjitik, telekomunikacionit, komunikimit me mbi 10 vite eksperiencë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Por, nga një kërkim në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania nuk rezulton e regjistruar në Tiranë.

Ndërkohë, Bitcoin.com, faqja zyrtare e monedhës virtuale bitcoin, ka pohuar se në Shqipëri ka disa tregtues të localbitcoin, megjithëse ajo pranon që ende ka një pjesë tregu shumë të vogël në këtë vend.

burimi: monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0