Albanik, një fermë për t’u bërë njësh me natyrën  - Business Magazine Albania

Albanik, një fermë për t’u bërë njësh me natyrën 

Albanik

Një pikë takimi me veten mund të quhet ferma Albanik. Në mes të natyrës së larmishme dhe ushqimit të zonës, vizitorët në këtë fermë kanë hapësirën dhe mundësinë për t’u bërë njësh me natyrën, për të medituar dhe për të dëgjuar zërin e tyre të brendshëm.

Ferma Albanik është një sipërmarrje rurale, agro dhe eko-turistike, që po drejtohet nga Elona Bejo, e apasionuar me natyrën. Klientët e saj janë po me të njëjtin pasion e filozofi për jetën. Ferma ndodhet 17 km larg qytetit të Këlcyrës, në thellësi të luginës së Deshnicës. Prej vitit 2016, kur u hodhën themelet e saj, ferma vazhdon të rritet me shërbime të reja dhe produkte artizanale, kulinare e tradicionale të zonës, produkte të cilat janë mbledhur e përzgjedhur me kujdes, si fillim në një bio-boutique brenda fermës dhe tani janë gati të eksplorojnë tregun e gjerë nëpërmjet shitjeve online. Aktivitetet kryesore që ofrohen për vizitorët e Fermës Albanik janë të lidhura ngushtë me natyrën. 

Artikulli u publikua më parë në faqen 52  të numrit 26 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.

Ecje, çiklizëm malor, peshkim, kanotazh, kamping në natyrë, mbledhje dhe njohje e bimëve të egra medicinale dhe aromatike, kopshtari, etj. 

Vizitorët e fermës janë kryesisht amatorë të natyrës dhe me një ndjeshmëri të lartë për mbrojtjen e saj. Ata i tërheq i gjithë koncepti dhe filozofia mbi të cilën mbështetet aktiviteti i fermës, kuzhina e parimit Slow-Food, por edhe pozicioni i zgjedhur dhe materialet e përdorura në ndërtimin e godinës së saj. E ndodhur në mes të një pylli lisash, ferma është e ndërtuar me materiale tradicionale, natyrale dhe ekologjike si druri dhe guri. Efiçenca energjitike e godinës është shumë e lartë në sajë të përdorimit të materialeve izoluese natyrale dhe përdorimit të gjeotermisë. Hapjet e dritareve në jug sigurojnë dritë natyrale në ambjentet e brendshme dhe e gjithë atmosfera është e ngrohtë dhe familjare. 

Lexo: BBC: Bimët shqiptare që na mbajnë të rinj

Synimi i Fermës Albanik për të ardhmen është rritja e bashkëpunimit të ngushtë me banorët e zonës, të cilët herë e furnizojnë atë me lëndën e parë, herë punojnë si udhërrëfyes për turistët, herë hapin dyert për të pritur vizitorë, etj. Kjo do të rrisë kapacitetet dhe shërbimin në fermë, por edhe të ardhurat në familjet fshatare. Gjithashtu, ky bashkëpunim do sjellë edhe një edukim rreth turizmit, por do hapë edhe prespektiva të reja ekonomike për zhvillimin e Luginës. Gradualisht dhe të gjithë së bashku po punojmë për ta shndërruar Luginën e mrekullueshme të Deshnicës në një destinacion të padiskutueshëm të turizmit rural, turizmit të natyrës, të aventurës dhe atij kulinar e folklorik. 

Elona Bejo thotë se,“Pandemia, pavarsisht se ka sjellë probleme financiare për Fermën, nuk na ka penguar të punojmë dhe ëndërrojmë për të ardhmen. Ne besojmë fort se turizmi, e veçanërisht lloji i turizmit që promovojmë, është e ardhmja për Shqipërinë, por edhe zgjidhja e duhur e me më pak efekte anësore e rritjes së qëndrueshme ekonomike.”

Fermën Albanik e drejton një grua dhe bashkëpunëtoret e saj më të ngushta janë përsëri gra, duke sjellë një risi në këtë drejtim, por edhe duke ndihmuar në fuqizimin e rolit të gruas në të gjithë zonën përreth fermës.

Artikulli u publikua më parë në faqen 52  të numrit 26 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0