A duhet t’i blini një dhuratë shefit dhe kolegëve tuaj për festa? - Business Magazine Albania

A duhet t’i blini një dhuratë shefit dhe kolegëve tuaj për festa?

Është sezoni i festave, por a duhet të përfshijë lista e shpenzimeve për festa edhe shefin apo kolegët tuaj? Blerja e dhuratave për kolegët dhe drejtuesin mund të jetë e ndërlikuar. Me afrimin e festave të fundvitit mund të bëheni nervozë në vendimin se cili prej kolegëve tuaj duhet të marrë një dhuratë, sa do të shpenzoni, çfarë të blini ose nëse është rasti t’u bëni një dhuratë të gjithëve.

Në rastin ideal, dhuratat duhet të jenë një shfaqje vlerësimi apo për t’i treguar një kolegu se ju pëlqen me të vërtetë të punoni me të – shpjegon Burgette White, zëvendëspresidente e Burimeve Njerëzore të Adecco North America, shoqëri për zgjedhjen e personelit për CNBC Make It. “Nuk duhet të jetë një sipërmarrje e kushtueshme apo që të shkaktojë ankth” – thotë ajo. Por koha është gjithçka në dhënien e një dhurate në vendin e punës – shton White. Për shembull t’i shfaqeni drejtuesit me një dhuratë të shtrenjtë dhe luksoze përpara rishikimit vjetor të ecurisë mund të perceptohet si një tentativë korrupsioni dhe “ju nuk doni ta vini në pozitë shefin tuaj”, shton White.

Më poshtë janë tri rregulla që duhet të ndiqni në rastin kur doni t’u bëni dhurata bashkëpunëtorëve në punë – sipas drejtuesve të Burimeve Njerëzore.

Mos shpenzoni shumë

Whitë këshillon të mos shpenzoni më shumë se 30 dollarë për t’u bërë dhuratë drejtuesit apo kolegëve.
“Secili prej nesh ka një nivel mirëqenie financiare të ndryshme dhe duhet ta respektoni, veçanërisht në kohëra inflacioni dhe një recesioni të mundshëm” – shpjegon White. Sipas një raporti të shoqërisë së rekrutimit Robert Half, përgjegjësit e Burimeve Njerëzore u këshillojnë punonjësve të shpenzojnë rreth 20 dollarë për t’u bërë dhurata drejtuesve apo kolegëve.

Tregohuni të kujdesshëm

Edhe pse dhuratat duhet të jenë të përshtatshme për punën, duhet të jenë edhe personale, – thotë André Heinz, Chief People and Culture Officer në Celonis, shoqëri software.
“Të bësh dhurata është një mënyrë me të vërtetë efikase për të krijuar një ndjesi përkatësie, bashkimi dhe gëzimi, veçanërisht gjatë festave” – pohon ai. Me rastin e mbrëmjes së fundvitit me kolegët, Heinz la në pjatën e secilit një kartolinë të shkruar me dorë, me përgëzime specifike për punën e tyre dhe arsyet se pse i vlerësonte ata. Nëse një kartolinë me urime të sinqerta nuk është në stilin tuaj, merrni në konsideratë t’i dhuroni drejtuesit tuaj apo kolegëve produkte për furrë, kartë klienti në kafenë e tyre të preferuar etj. Shmangni dhuratat me ngjyrime të mundshme politike, seksuale ose fetare, shton Heinz.
I njëjti rregull vlen edhe për pijet alkoolike dhe dhurata të papërshtatshme, të cilët mund t’i kalojnë caqet e Burimeve Njerëzore dhe të jenë fyese për të tjerët.

Merrni shembull nga kolegët

Në fund të fundit, nuk duhet të ndiheni të detyruar t’i bëni dhuratë dikujt në vendin e punës – thotë White. Është një traditë në punë që disa e përqafojnë, por sigurisht nuk është detyrim. Nëse jeni të pavendosur apo punonjës të rinj, pyesni ndonjë koleg se çfarë kanë bërë të tjerët në vitet e mëparshme. Është e rëndësishme të theksohet se një numër gjithnjë e më i madh kompanish po e braktisin idenë e dhuratave personale, duke adoptuar traditën e “Babagjyshit të Krishtlindjeve Sekret”, që mund të kërkojë “më pak angazhim dhe të jetë më argëtuese”. Por ju mund ta anashkaloni fare rutinën e dhënies së dhuratave – thotë White. “Ju mund t’u shprehni mirënjohje kolegëve dhe të festoni festat pa dhurata”. CNBC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0