Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve nxit institucionet të zbatojnë

Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve nxit institucionet të zbatojnë protokollet


“PROEKSPORT ALBANIA”, Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve me rreth 762 subjekte, pohon se ditët e fundit, në një numër të kufizuar ndërmarrjesh të sektorit të regjimit të përpunimit aktiv (fason), janë vërejtur raste të mosplotësimit të kushteve dhe të protokolleve të mbrojtjes së shëndetit të punëmarrësve dhe të punëdhënësve.

Shoqata “ProEksport Albania”, që ka një komunikim të përditshëm me anëtarësinë, ka tërhequr vëmendjen për respektimin rigoroz të protokollit të shëndetit, një akt që e kanë hartuar dhe miratuar vetë fasonistët dhe drejtuesit e ndërmarrjeve.

Në noftimin e saj, Shoqata ‘ProEksport Albania” ka qenë në një komunikim të vazhdueshëm dhe thuajse të përditshëm me institucionet shtetërore si ISHSH, ISHP, DPT etj., që të koordinonte veprimtarinë e saj dhe të anëtarëve të saj me këto institucione. Ne kemi marrë informacion të përditshëm nga këto institucione dhe ua kemi shpërndarë anëtarëve, për t’i ndërgjegjësuar për kushtet dhe rreziqet, që paraqet puna në këtë sektor.

Kompanitë shqiptare të fasonit, në kushtet kur kontratat e mëparshme me porositësit janë ngadalësuar apo në disa raste ndërprerë, kanë filluar të përshtatin tipologjinë e prodhimit me situatën aktuale, për ta orientuar prodhimin drejt veshjeve dhe këpucëve për mjekësinë, policinë, ushtrinë etj., për të minimizuar humbjet që vijnë nga situata e pandemisë së COVID-19.

Sipas shoqatës, në tërësinë e tyre kompanitë që punojnë (jo të gjitha kompanitë kanë punë dhe vijojnë të marrin porosi nga kontraktorët e tyre kryesore) kanë respektuar kushtet e kërkuara nga ligji dhe Aktet Normative të Qeverisë, duke realizuar mbrojtjen e punonjësve dhe të stafeve administrative, që janë në të njëjtat kushte me punonjësit dhe punojnë në të njëjtat mjedise me ta.

Shoqata shprehet e indinjuar në njoftimin e saj për mënyrën se si grupe të caktuar interesi, përfshirë edhe median e lirë, e trajtojnë këtë dukuri.

“Mijëra punëmarrës dhe punëdhënës, që punojnë në këto kushte, për të mbajtur në këmbë sektorin, për të respektuar kontratat dhe për të ndihmuar familjet shqiptare, janë të vetëdijeshëm për rrezikun dhe kanë investuar dhe investojnë në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Për disa kompani në Krujë, në Gjirokastër apo Elbasan, që nuk i janë përgjigjur- jo vetëm kërkesës së Shoqatës,- por as legjislacionit aktual, është kërkuar, edhe nga ana jonë që, të mbyllin veprimtarinë e tyre dhe institucionet e kontrollit të ushtrojnë të gjithë pushtetin e tyre ligjor për t’i detyruar kompanitë të plotësojnë protokollin e mbrojtjes së shëndetit, ose në të kundër të mbyllen ligjërisht.

Sulmet në grup, që i bëhen sektorit, duke mos dalluar aspak punën e bërë dhe investimet e realizuara, nuk i shërbejnë askujt, thonë drejtuesit e shoqatës.

Institucionet, sipas tyre, i kanë të gjitha mundësitë dhe gatishmërinë e bizneseve për të kontrolluar, pa panik dhe pa asnjë kufizim, të gjitha subjektet, që nuk respektojnë rregullat e shkruara.

“Ne jemi të shqetësuar për kontrolle pa objekt kontrolli, nga më shumë se një institucion kontrolli, (deri edhe në pesëmbëdhjetë vetë në një grup kontrolli, si në disa qytete), që ushtrojnë një presion të panevojshëm ndaj bizneseve,  ndërkohë që, duhet të ndikojnë në përmirësimin e kushteve të punës, sipas specifikave të kohës që kalojmë dhe të bizneseve që zhvillojmë. Ne shpresojmë shumë që të mos etiketohen në grup bizneset e këtij sektori, por të investigohet dhe të gjenden ata që nuk respektojnë ligjin. Ata duhet të penalizohen, pa mëdyshje!” thuhet në deklaratë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0