Ju i flisni me inat kolegut tuaj. Karriera e suksesshme e mikut tuaj ju bën të ndiheni xheloz. Ju duket sikur keni dështuar sepse nuk keni realizuar ende qëllimet që i keni vendosur vetes. A ju bën kjo një njeri të keq?
“Absolutisht jo”, thotë psikologia Susan A. David, me doktoraturë në fushën e psikologjisë. Të ndiesh emocione të forta është thjesht pjesë e të qenurit njerëzor. Është mënyra sesi vendosni t’i adresoni emocionet që kanë rëndësi për ju.
David është psikologe në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe folëse e TED. Ajo studion sesi emocionet ndikojnë në formimin tonë. Studimi i saj ka treguar se njerëzit që kanë nivel të lartë dhembshurie për veten, janë më të motivuar dhe më të suksesshëm.
Lexo këtu: Si të ankoheni më pak dhe të ndjeheni më mirë në punë?
Në një postim të fundit për TED Ideas, David jep këshilla praktike sesi mund të jeni më të sjellshëm me veten, sidomos kur jeni në humor të keq.
Mos u përpiqni të largoni apo injoroni emocionet e padëshiruara
David përdor një analogji me kekun. Në frigorifer është një kek i shijshëm me çokollatë. Tani përpiquni t’a injoroni atë. Sa më shumë përpiqeni, aq më pak do të keni sukses. E njëjta gjë vlen edhe për emocionet.
“Kërkimet për shtypjet emocionale tregojnë se kur emocionet lihen mënjanë ose injorohen, bëhen më të forta”, shpjegon David. Injorimi i emocioneve të dhimbshme nuk ju ndihmon të fitoni kontroll mbi to. Përkundrazi, i bën emocionet t’ju kontrollojnë juve.
Pranojeni atë që ndjeni sido që t’a ndjeni. Nuk është as mirë as keq. Thjesht është.
Vëzhgoni emocionet tuaja
David na nxit t’i shikojmë emocionet tona si të dhëna. Përpiquni të kuptoni burimin e inatit, tërbimit apo stresit tuaj. Qasuni me kuriozitet ndaj emocioneve. Pyesni veten: Çfarë po më tregon ky emocion?
Provojeni këtë. Herën tjetër, kur të ndieni një emocion sfidues, thoni me vete: “Po e vë re se po ndiej (plotësojeni)”.
Për shembull, po thoni se jeni të stresuar në punë. Në vend që të thoni “Jam i stresuar”, provojeni të thoni “Po vë re se jam duke u stresuar”. Kjo do t’ju ndihmojë të vëzhgoni dhe të kuptoni pse ky emocion ju bën të ndiheni në këtë mënyrë. Në vend që të gjykoni veten, ju do të kuptoni arsyen e emocioneve tuaja.
Përdorni vëzhgimet tuaja për të gjetur përgjigjet
“Nëse mund të merrni frymë thellë dhe të kuptoni nga se shkaktohen emocionet, e keni bërë gjysmën e rrugës. Kur bëheni kuriozë për eksperiencat tuaja, keni arritur në gjysmën e rrugës për t’u bërë i dhembshur me veten”, thotë David.
Tani mund t’a kuptoni se cila është gjëja që duhet të bëni. Ja pyetja që rekomandon David për t’i bërë vetes: Cili veprim do të më çojë drejt vlerave të mia?
Stresi që ndieni në punë mund të ketë shumë shkaqe. Nëse jeni të aftë të identifikoni burimin e stresit, mund të filloni të mendoni sesi t’a adresoni atë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.