Njerëzit nga e gjithë bota, të cilët besojnë se mediat si CNN dhe The New York Times janë aq të besueshëm, objektive dhe me integritet siç kanë qenë dikur, nuk dinë asgjë për arritjet ekonomike të presidentit, çfarë do të thotë kjo për të gjithë ekonominë botërore dhe anët e tij reale të mira dhe të këqija.
Ngadalë, megjithatë, qytetarët amerikanë të paktën, po fillojnë të kuptojnë se këto burime lajmesh e shtrembërojnë të vërtetën për t’u shërbyer qëllimeve të tyre politike. Kjo shpjegon rënien e shikueshmërisë së CNN për shembull, i cili rregullisht ka mbetur prapa Fox News prej shumë kohësh tashmë, sipas të dhënave të audiencës.
Megjithatë, a ka diçka të vërtetë në pretendimet e mediave dhe të Partisë Demokratike Amerikane? Një misogjinist, sipas Fjalorit të Kembrixhit, është dikush, zakonisht një mashkull, i cili urren gratë ose beson se burrat janë shumë më të mirë se gratë. Natyrisht, është e arsyeshme, që një person i tillë kurrë nuk do të ngrinte gratë në pozita pushteti. Megjithatë, Presidenti e ka bërë Nikki Haley-n, një grua indiano-amerikane, ambasadore të OKB-së. Menaxherja e fushatës së tij ishte Kellyanne Conway, gruaja e parë që drejtoi një fushatë të suksesshme presidenciale në SHBA. Ajo tani shërben si Këshilltare e Presidentit. Sekretari i Shtypit, Sekretari i Arsimit, Sekretari i Transportit, Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Drejtuesja e Thesarit të SHBA dhe shumë të tjerë janë gjithashtu gra. Shumë njerëz do të kundërshtojnë me argumentin se ai ka thënë shume gjëra jodelikate për gratë, duke iu referuar regjistrimit të Billy Bush vitin e kaluar, por problemi me të majtën është se përqëndrohet shumë në fjalë dhe shumë pak në veprime. Veprimet e Presidentit tregojnë se ai është e kundërta e një misogjinisti. Megjithatë, mediat vazhdojnë të përhapin këtë gënjeshtër dhe shumë e marrin atë si një fakt.
Së dyti, sipas Fjalorit të Kembrixhit, një racist është dikush që beson se rracat e tjera nuk janë aq të mira sa rraca e vet dhe prandaj i trajton padrejtësisht. Përsëri, faktet tregojnë të kundërtën e pretendimeve të mediave. Ben Carson, një afrikano-amerikan, është anëtar i kabinetit qeveritar. Po ashtu është Elaine Chao, një grua aziatike amerikane dhe Nikki Haley, e përmendur më sipër. Për më tepër, Donald Trump nuk ka lënë kurrë rast pa nderuar Martin Luther King Jr. Së fundi ka nënshkruar një deklarate ku ka nderuar Ditën e Martin Luther King.
Gjithashtu, në vitin 1989, atij iu dha çmimi Ellis Island për kontributin e tij në përmirësimin e kushteve të të rinjve me ngjyrë. Në vitin 1990, ai këmbënguli në pranimin e hebrenjve dhe anëtarëve të komunitetit afrikano-amerikan në klubin e tij. Edhe sot, shumë klube në Palm Beach diskriminojnë kundër këtyre komuniteteve. Nëse Presidenti është racist ose një misogjinist, atëherë pse askush nuk ka folur para se ai të shpallte kandidaturën e tij për President? Nëse ai është racist sepse ka thënë se njerëzit duhet të ndalojnë të vijnë në mënyrë të paligjshme në ShBA, atëherë po racist është edhe Bill Klinton, i cili ka thënë të njëjtën gjë kur ishte President. Nëse ai është racist, pse mbështetet nga mbesa e Martin Luther King? Nëse ai është racist, atëherë pse norma e papunësisë për bashkësinë afrikano-amerikane ka rënë në 6.8%, më e ulëta ndonjëherë në historine e Shteteve e Bashkuara? Të gjitha këto fakte tregojnë se ky debat i racizmit është i kotë, sepse nuk prodhon asgjë, përveç thashethemeve dhe mbushjes së orëve të programacionit të mediave.
Së fundi, pretendimet më absurde janë ato që e bëjnë atë të jetë një diktator. Nuk është aspak e besueshme se, në një kohë kur shumica e mediave janë kundër Presidentit, flasin çdo ditë atë që pëlqejnë, krijojnë karikatura dhe filma vizatimorë që tallen me Presidentin dhe familjen e tij, Amerika po transformohet në një diktaturë. Është e qartë se shumica e këtyre njerëzve nuk kanë jetuar kurrë në një diktaturë dhe nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë mungesa e së drejtës së lirisë së fjalës. Përdorimi i fjalëve si racistë, seksistë dhe diktaturë pa ndalesë dhe për gjithçka, bën që këto fjalë të humbasin vlerën e tyre. Ky inflacion në përdorimin e tyre është dëmi i vërtetë që po bëhet për diskursin politik dhe jo politik në të gjithë SHBA dhe më gjerë. Kjo është arsyeja pse kjo temë është e rëndësishme për t’u diskutuar në të dy anët e Atlantikut. Në ditët e sotme, nëse dikush nuk pajtohet me ty dhe atij i mungojnë argumentet, quhesh një racist. Diskursi dhe debati janë zhvendosur nga gjërat që kanë vërtetë rëndësi, në gjëra të pakuptimta që paraqiten nga opinion bërësit si e kundërta e asaj që në të vërtetë janë.
Pra, pyetja që lind është pse paraqiten të gjitha këto lajme të rreme para njerëzve? Sigurisht, kjo është një çështje e interesave politike dhe ekonomike. Mediat dhe Partia Demokratike po përdorin këto fyerje si mbulim për të fshehur nga populli amerikan dhe Bota sukseset ekonomike të kësaj administrate, të cilat do të bënin që ai të rizgjidhej sërisht, duke penguar demokratët dhe donatorët e tyre përsëri. Siç tha dikur Bill Klinton, është ekonomia, budalla! Sepse, çka mund të jetë më e rëndësishme se prosperiteti dhe mirëqenia e qytetarëve të një vendi? Donald Trump kishte një axhendë. Ai u zgjodh për shkak se njerëzit e pëlqyen atë që u premtoi atyre. Është aq e thjeshtë. Tani ai po bën pikërisht atë që është zgjedhur për të bërë. Kjo po e bën Uashingtonin të mos ndihet rehat, sepse nuk është mësuar me politikanë që mbajnë premtimet. Rivalët e tij e njohin rrezikun që u paraqitet mbi mbijetesën e tyre.
Duke i qëndruar korrekt ideologjisë konservatore, Presidenti Trump dëshiron të përforcojë individin dhe ta bëjë atë të pavarur dhe të lirë të ndjekë rrugën e tij. Një qytetar i fortë dhe i përgjegjshëm, i lirë dhe i aftë të mendojë, të krijojë dhe të sfidojë status quo-n, çon në një komb dhe në një ekonomi të fortë. Si një sipërmarrës, Trump e kupton dhe e respekton këtë.
Megjithatë, burokratët dhe e majta duan që qytetarët të jenë të varur tek ta, përndryshe humbasin fuqinë e tyre. Kjo është arsyeja pse Trump i frikëson dhe pse ata po e luftojnë me të gjitha ato që munden. Ky fenomen është i rëndësishëm për t’u kuptuar, sepse është një ngjarje mbarëbotërore. Është një kërkim për llogaridhënien dhe transparencën e qeverive ndaj njerëzve që i zgjedhin ato. Në thelb ky është shpjegimi se pse Trump u zgjodh. Njerëzit ishin të lodhur nga donatorët në hije që besojnë se interesat e tyre janë më të rëndësishme se vullneti i qytetarëve; ata ishin të lodhur nga dinastitë politike dhe marrëveshjet prapa skenave. Njerëzit ishin të lodhur nga një ekonomi e ngadaltë që po i linte më keq se prindërit e tyre. Në të njëjtën kohë, qeveria u thoshte atyre që të mësoheshin me këtë rritje të ulet, të hiqnin dorë nga shpresa se ata mund të bëjnë më mirë dhe të jenë të varur nga qeveria si mënyra e vetme për të mbijetuar.
Donald Trump paraqet të kundërtën e këtij fenomeni. Dhe ai ka ekonominë në anën e tij. Shumë njerëz përfshihen në debat në lidhje me kujt i takojnë meritat që tregu i aksioneve të rritet. Megjithatë, tregu i aksioneve nuk është ekonomia, edhe pse ato janë të lidhura ngushtë. Ekonomia dhe financat bazohen tek pritshmëritë për të ardhmen dhe bazat aktuale të ekonomisë sicc do të analizohen më poshtë.
Shkalla e papunësisë është 3.6%, më e ulta që ka qenë në rreth dy dekada. Sigurisht, rënia e saj filloi nën Presidentin Obama, sepse ekonomia ishte në atë që quhet fazë ekspansioni, post-krizë. Ky është cikli i zakonshëm i ekonomisë. Megjithatë, sa i përket papunësisë, ekziston një parametër që shumica e njerëzve nuk e marrin parasysh në analizën e tyre: shkalla e pjesëmarrjes – numri i njerëzve që punojnë ose kërkojnë punë. Shkalla e papunësisë është përqindja e atyre njerëzve që janë të papunë, por në lidhje me njerezit që janë në fuqinë punëtore. Forca e punës përfshin individë që janë të punësuar dhe ata që nuk janë të punësuar, por që janë duke kërkuar punë. Çfarë ndodh me ata që nuk mund të gjejnë punë dhe që heqin dorë? Ata nuk janë më të përfshirë në forcën e punës, por janë të papunë, që jetojnë në mbështetje të qeverisë. Pra, nëse nuk llogarit këta njerëz që janë të papunë por kanë hequr dorë, norma e papunësisë do të dalë më e ulët natyrisht. Numri i amerikanëve që nuk ishin në fuqinë punëtore kur Barak Obama mori detyrën në janar 2009 ishte 80’529’000. Kur u largua nga detyra, numri ishte 95’102’000. Pra, u rrit me 18.09% gjatë dy mandateve të tij si President. Herën e fundit qe shkalla e pjesëmarrjes ne tregun e punes ishte kaq e ulët, ishte në vitet 1970. Prandaj, gjatë administratës së tij, një arsye kryesore pse shkalla e papunësisë ka rënë ishte për shkak se shkalla e pjesëmarrjes gjithashtu ka rënë, dmth njerëzit hoqën dorë nga kërkimi i punës. Në shtator të vitit 2017, rreth 9 muaj pasi Trump mori detyrën, shkalla e pjesëmarrjes u rrit në 63.1 përqind, më e larta në 42 muaj.
Një masë tjetër që duhet parë është shkalla e papunësisë U-6, e konsideruar nga shumë prej ekspertëve si norma reale e papunësisë. Norma zyrtare i konsideron njerëzit si të papunë pas 30 ditëve të largimit nga puna, U-6 konsideron njerëzit që kanë pushuar së punuari për një vit. Pas 8 muajsh të Presidencës Trump, ky tregues ra me më shumë se 1 përqind, në 8.3%, niveli më i ulët që nga qershori 2007.
Për më tepër, pagat po rriten gjithashtu. Gjatë vitit të parë të administratës së re, të ardhurat mesatare për orë u rritën me 2.9%, sipas Byrosë së Statistikave të Punës.
Sipas statistikave zyrtare, borxhi kombëtar u ul me 100 miliardë dollarë gjatë 100 ditëve të para të mandatit të parë të Trump, nje fenomen i mirëpritur nga e djathta. Për krahasim, gjatë 100 ditëve të para të Presidentit Obama, borxhi u rrit me 560 miliardë dollarë. Është e vërtetë që pas 100 ditëve të para të Trump, borxhi u rrit; megjithatë, shkalla e rritjes ishte më pak se gjysma e mesatares gjatë administratës së mëparshme.
Lexo: Sekretet e suksesit të Donald Trump
Për herë të parë pas 8 vjetësh, PBB-ja u rrit me më shumë se 3%, diçka që zyrtarët e kohës së Obamës, duke përfshirë ish-Presidentin vetë, kishin thënë se ishte e pamundur. Në tremujorin e parë të vitit 2019, ekonomia u rrit me 3.1%, gjë që u përsërit edhe gjatë vitit 2017 dhe 2018, në tre mujorin e dytë të të cilit arriti 4/1%, duke arritur rritjen më të lartë që nga viti 2005.
Përveç kësaj, numri i njerëzve nën food stamps, një formë ndihme për familjet me të ardhura të ulëta, ra me mbi 2 milionë, duke nënkuptuar që më pak njerëz jane të varur prej tyre pasi kanë gjetur një punë.
Besimi i bizneseve dhe konsumatorëve u rrit gjatë periudhes 2017-18 në shifra që nuk janë parë që nga viti 2001. Optimizmi i prodhuesve arriti nivelet më të larta në 20 vjet. Sipas Pew Research Centre, besimi i publikut në rritjen e vendeve të punës arriti pikën më të lartë që kur Pew u krijua. Fed pohoi se pasuria e familjeve amerikane u rrit me 1.7 trilionë dollarë që në tremujorin e dytë të vitit 2017, pak muaj pas zgjedhjes se Trump, në një nivel rekord.
Për shkak të shkurtimeve të taksave, 164 kompani dhanë shpërblime për më shumë se 2 milionë punëtorë. Nancy Pelosi, shefja demokrate në Dhomën e Ulet te Kongresit, tha se shpërblimet prej $ 1000 janë thërrime buke, duke harruar se ishte ajo që kishte thënë se edhe 40 dollarë bëjnë ndryshimin për një familje, në vitin 2011 kur partia e saj ishte në qeverisje. Këto kompani jo vetëm që sigurojnë shpërblime për punonjësit e tyre, por shumë prej tyre po rrisin pagën e tyre minimale. Ky është një nga rastet që ka implikime edhe në Europë. Për të mbetur konkurrues, vendet europiane kanë ulur tashmë ose po konsiderojnë të zvogëlojnë taksat.
Rënia e tregut të aksioneve së fundi nuk ka të bëjë fare me ekonominë. Eshtë thjesht një korrigjim për shkak të mbivlerësimit të aksioneve, i cili pritej të ndodhte. Arsyeja kryesore e rënies së aksioneve në fund të vitit të kaluar është se tregu nuk kishte konsideruar rritjen e inflacionit në mënyrë kaq të shpejtë që do të çojë në rritjen e normave të interesit më shumë herë se sa pritej, një shenjë tjetër e një ekonomie më të fortë. Sapo Fed konfirmoi se normat do të qëndrojnë të palëvizura për momentin, ose dhe mund të ulen në periudhen afatmesme, tregjet rifilluan rritjen, duke thyer sërish rekorde.
Në përfundim, dy vjeccari i parë i presidencës Trump ka qenë një betejë e vazhdueshme mes faktit dhe fiksionit. Media po lufton një betejë të gabuar dhe në vend që të jetë paladin i së vërtetës, ajo është bërë shpërdoruesja më e madhe e saj. Ky fenomen është duke u kthyer në një problem me pasoja mbarëbotërore, që ka filluar në SHBA dhe po përhapet kudo. Megjithatë, faktet nuk mund të ndryshohen, vetëm të fshihen për një kohë. Kjo është arsyeja pse ekonomia dhe prosperiteti i popullit amerikan mbeten mbrojtja më e madhe e Presidentit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.