Një nismë në prodhimin dhe konsumin e verërave pritet të nxisë aktivitetin aktual të kantinave shqiptare. The Wine Society Albania është krijuar së fundi, duke synuar të promovojë prodhimet vendase për konsum të brendshëm e më tej edhe për eksport.
Themeluesit e fondacionit vunë në dukje se rritja e vëmendjes për verën, mundëson promovimin e pikave turistike të vendit, ndërsa me rritjen e prodhimit, pritet të zhvillohen vende të reja pune, si menaxherë eksporti, somelier etj.
Në lancimin e The Wine Society Albania, organizatorët sollën në Shqipëri një prej konsulentëve më të mirë në Europë. Mourad Ouada, foli për dinamikën e botës brenda një shisheje, duke theksuar gjallërinë e verës dhe pasqyrimin e tokës, ambientit e klimës së çdo vendi në mënyrë të veçantë, në çdo prodhim vere.
Me 35 vite përvojë në Itali, ai ka lindur në Francë dhe pasionin për verën e ka nisur pikërisht aty, ku studioi agronomi. Në Itali thelloi studimet në fushën e Enologjisë dhe Vitikulturës dhe sot jep konsulencë në shumë vende të Europës, kryesisht zonat mesdhetare.
Sipas tij, kur flitet për verë natyrale do të thotë të jesh i kujdesshëm në përdorimin e produkteve në vresht, jo në kantinë. Në kantinë nuk ka produkte të ndaluara. Çdo vend duhet të ketë parasysh të prodhojë verëra që pasqyrojnë territorin dhe personalitetin e këtij territori. Ndër vite cilësia e prodhimit është përmirësuar falë përvojës dhe përmirësimit të teknologjisë që po përdoret në prodhim.
Këshillë për konsumatorin: Para se të konsumoni verë informohuni, çfarë është ajo verë, nga nga cili vend është, origjina e rrushit dhe emri i rrushit.
Këshillë për prodhuesit
Studioni territorin. Grumbullimi i rrushit në çdo stinë ka historinë e tij. Natyra çdo vit ka karakteristikat e saj dhe vreshti e pasqyron atë. Vera është një produkti i gjallë, gjithnjë në zhvillim.
Faktë interesante rreth verërave
Nëse doni të kuptoni çfarë ka ndodhur me ndryshimet klimatike në nivel global studioni historinë e verës. Gjatë një interviste për Businessmag.al, Ouada tregon se, “25 vite më parë, askush nuk do ta besonte që vera e bardhë më e mirë sot do të bëhej në Gjermani. Sot atje janë verërat më të mira në botë. Në Kinë 20 vitë më parë nuk kultivohej rrushi, ndërsa pas dhjetë vitesh, me këtë ritëm, Kina mund të bëhet prodhuesi më i madh në botë i verës së tavolinës”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.