Si sot, 105 vite më parë, më 4 Tetor 1913, Ismail Qemal bej Vlora së bashku me 5 ministra të kabinetit të tij: Luigj Gurakuqi, Petro Poga, Mehmet pashë Dërralla, Myfid bej Libohova dhe Jorgji Cakra, nënshkruan konçesionin e parë për krijimin e një banke kombëtare shqiptare. Nënshkrues të tjerë ishin përfaqësuesit e dy prej grupeve financiare më në zë të kohës, përkatësisht Karol Pitner dhe Oskar Pollak të atij austro-hungarez, Weiner Bank-Verein, dhe Pietro Fenolio e Guido Ansbaher të grupit italian, Banca Commerciale Italiana.
Në Shqipërinë e trazuar të atij fillimshekulli, por edhe për shkak të tronditjeve që do të vinin shumë shpejt me shpërthimin e Luftërave Ballkanike dhe Luftës I Botërore, Banka Kombëtare Shqiptare nuk mundi të zhvillojë aktivitet. Por, hartimi i këtij konçesioni për krijimin e “Bankës Kombëtare të Shqypërisë” mbetet një dokument i rëndësishëm në historinë e bankingut qendror shqiptar, një gur themeli i këtij institucioni që, në konceptin e vet paraqitës, i përmbahet të gjitha standardeve europiane të kohës.
Jo më kot, themeluesi i shtetit modern shqiptar, Ismail Qemali, më 28 Nëntor 1913 tha:
“…..Këtë n’a e donte shpirti, po nuk kuxonim ta prisnim të baneshe kaq shpejt nga shkaku që punërat e Shqipëries, ndo nga kufinjt, ndo nga organizim’ i vendit që kemi, nuk kanë marrë funt. Kur dyë banka të mëdha, si Weiner Bank-Verein e Austrisë dhe Banca Commerciale Italiana e Italisë, duke pasur pas krahut banka të tjera me një kapital 750,000,000 frangash erdhën ndër neë për t’a dëftyer besimin e ‘tyre e të vënë në përdorim të qeverriës edhe popullit shqipëtar 11,000.000 franga, nuk kishim veç se t’i përgjigjemi me gëzim të math kësaj mirësiës. Pas shumë marrëveshjeve dhe passi u- këmbyen shumë mendime, kabineti e pranoi projektin e fundit, i cili u- nënshkrua.
E themi me lavdurim se puna e bankës, për Shqipërriën asht nji i dyti fitim pasë lirisë nga pikëpamja ekonomike dhe politike. …” Ismail Qemal bej Vlora, 28 nëntor 1913.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.