E themeluar në vitin 2013 në inkubatorin e ICK-së (Innovation Center Kosova), ZAG Apps ka zhvilluar mbi 50 aplikacione për smartphone dhe web, të cilat kanë qenë në shërbim të miliona përdoruesve, si dhe u ka shërbyer më shumë se 30 klientëve nga mbarë bota. Që nga viti 2017, kur është themeluar kompania, KODE Labs ka bashkëpunuar me ZAG Apps për të zhvilluar software të personalizuar për partnerë strategjik dhe software për ‘smart buildings’. Së bashku, dy kompanitë kanë marrë përsipër projekte për kompani të mëdha të ‘commercial real estate’ si dhe për kompani ndërtimore në të gjithë SHBA-në. Duke pasur parasysh misionin e kompanive për të ofruar zgjidhje të automatizuara dhe të personalizuara teknologjike, ka qenë e natyrshme që KODE Labs dhe ZAG Apps t’i bashkojnë forcat zyrtarisht.
Tani si një ekip i vetëm, KODE ka në plan të zgjerojë më tej dhe të implementojë inovacione lidhur me IoT për ‘commercial real estate’ dhe industri të ‘building integration’. Bashkëthemeluesit e saj, vëllezërit Edi Demaj dhe Etrit Demaj, kanë lënë shenja në Detroit me iniciativa dhe inovacione të tjera teknologjike. Ata gjithashtu kanë zhvilluar një gjurmë të fortë biznesi edhe në vendin e tyre të lindjes, në Kosovë. Partner në KODE Labs është edhe ish-kapiteni legjendar i Kombëtares së Futbollit të Shqipërisë, Lorik Cana, i cili bashkë me vëllezërit Demaj mezi presin që partnerët e ZAG Apps, Gentrit Gojani dhe Zell Bakalli, t’i bashkohen ekipit. Gojani po i bashkohet ekipit si CTO (Chief Technology Officer) i KODE Labs kurse Bakalli si VP of Engineering (Zv. Inxhinier).
Në një prononcim për BusinessMag, Edi na tregon: “Unë bashkë me Ertritin kemi punuar me ZAG dhe me kompani të tjera për disa vite. Para një viti vendosëm që të blinim një kompani për software dhe ZAG ishte pikërisht e para në listën tonë.” Ai shtoi se pas disa muajsh negociata, më në fund kanë rënë dakord për çmimin dhe kushtet.
Përsa i përket rezultatit që do të sjellë kjo blerje Edi tha “Për ne është një mundësi për të rritur ekipin e KODE Labs dhe për të ndihmuar shqiptarët të kapin tregun ndërkombëtar në të njëjtën kohë. Blerja e ZAG do e shpejtojë rritjen e KODE Labs në tregun Amerikan dhe më gjerë.”
Për më shumë, kompania në mënyrë aktive investon në kompani të tjera, të cilat i sheh si të përshtatshme për të ofruar shërbime në bazën e klientëve të saj.
“KODE” në KODE Labs përfaqëson rrënjët dhe origjinën e krijuesve të kompanisë, Kosova dhe Detroiti, të bashkuar në një fjalë të vetme. Pra, kjo blerje është vërtetë e përshtatshme për KODE Labs, strategjikisht dhe figurativisht.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.