Por, cili është perceptimi mbi fjalën ndryshe? Ajo që na duket ndryshe, për shumë të tjerë shfaqet tërësisht e zakonshme, si pjesë e së përditshmes.
Flasim shumë për teknologji, inovacion, edukim, robotikë, shkencë, transformim dixhital, energji nga burime alternative, inteligjencë artificiale, apo realitet virtual duke i pasqyruar sikur janë ndodhi dhe evente të shkëputura nga njëra-tjetra.
Përkundrazi, gjithçka është e ndërlidhur dhe po zhvillohet si pjesë e asaj që po ndodh dhe që shumë shpesh e quajnë “Revolucioni i 4-t Industrial”.
Janë të paktë ata që i shohin gjërat në këtë këndvështrim dhe ky botim është një hap thelbësor, i cili tenton të hedhë dritë mbi drejtimin që po merr bota apo universi, Jo në të ardhmen, por TANI.
Ajo që duhet kuptuar është se të gjithë njerëzit janë pjesë e këtij orientimi dhe jetët e tyre do të ndryshojnë tërësisht.
Në këto ujëra më rrjedhin mendimet duke lexuar botimin e parë në Shqip të Exinn, i mahnitur sesi dikush, ka arritur t’i përmbledhë këto dukuri në një formë kaq të thjeshtë për t’u përthithur nga çdo mendje njerëzore.
Shfletojeni publikimin e parë nga Exinn, KETU: Future Technology
Nuk munda të mos mendoja që ideatorin dhe themeluesin e këtij publikimi duhej ta intervistoja me patjetër, për ta njohur më mirë dhe për të kuptuar më shumë.
Andrea Papa – Novator, Futurist
Përshëndetje Andrea, kam intervistuar shumë personazhe të botës së sipërmarrjes, inovatorë, investitorë, por për mua është sfidë të intervistoj një Novator, Futurist, si ju.
G: Cilat janë cilësitë që e bëjnë një person Novator dhe Futurist?
Cilësia bazë që përcakton një novator dhe futurist, varet nga marrëdhënia e tij me Universin…
A: Novator do të thotë të ndash mendimet dhe eksperiencat e tua me të tjerë. Novatorët unë i cilësoj si mbjellës “farash”, idesh. Karakteri i njeriut novator reflekton elementet e dizenjuar të mendimeve kreative të tij.
Truri i një novatori dhe futuristi është i pasur, shpirti i tij është kërkues, mendja e tij shumë herë ikën nga kufijtë që vendos shoqëria e një vendi.
Është vërtet interesante historia e njerëzve që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë së planetit. Përgjithësisht, ata shfaqin të njëjtat cilësi në karakterin e tyre. Të ushtrosh mendimin dhe imagjinatën është bekim, Gert. Kjo është një aftësi të cilën kryesisht e kanë ata lloj njerëzish që kanë imagjinatë, kreativitet, janë novatorë dhe inovativë. Po mundohem ta përkufizoj novatorin me fjalë që vijnë nga eksperiencat dhe njohuritë e mia gjatë 27 viteve të fundit. Novatorët kryesisht janë natyra kureshtare. Ata pyesin, vëzhgojnë, eksperimentojnë vazhdimisht, imagjinojnë, dizenjojnë mendimin kritik, rrjetëzojnë pasurinë kreative njerëzore, bashkojnë idetë e vogla për një ide të madhe dhe kanë fuqinë të vizualizojnë e konkretizojnë të ardhmen.
Mbi të gjitha, në shpirtin e tyre mbizotëron ndjenja e humanizmit dhe dashurisë për çdo element të jetës dhe universit. Karakteri i tyre ndërtohet nga rrjetëzimi i neuroneve krijuese, të cilat janë “stërvitur” ta bëjnë trurin të funksionojë si një sistem kreativ. Ky është ekosistemi natyral i trurit të tyre. Që të arrijë në një konkluzion, Futurizimi është rezultat që vjen nga procesi i përdorimit të Imagjinatës dhe Inovacionit. Ose e thënë ndryshe, Futurist është ai person që përdor si levë imagjinatën dhe inovacionin, për të menaxhuar me “design thinking” segmentin midis së tashmes dhe së ardhmes. Futuristi zakonisht ecën në fund të turmës, por shikon më larg se turma.
Shfletojeni publikimin e parë nga Exinn, KETU: Future Technology
Nuk është rastësi që Einstein arriti në konkluzionin se imagjinata është shumë herë më e rëndësishme se njohuritë. Imagjinata, në vlerësimin tim, është një element i mendimit që e shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës së tij. Sfida që kemi përpara është si të mbjellim modelin që edukon imagjinatën dhe futurizmin tek brezat që vijnë.
G: Ky botim i parë, “E Ardhmja Tani”, çfarë po sjell për publikun tonë?
A: Gert, askush nuk do të na mbajë mend për mendimet tona të fshehta. Ne duhet t’i ndajmë ato me të tjerët. Ky është misioni ynë si qënie. Jemi projektuar të funksionojmë në këtë mënyrë. Nëse e lexon me vëmendje informacionin tek “E ardhmja tani”, është e lehtë të dallosh që informacioni udhëton drejt qasjes së vizionit të Lidershipit aktual për një Shqipëri ndryshe. Ka një arsye madhore pse copat e puzzle-it po gjejnë vendin e tyre në vizionin e Lidershipit. “E ardhmja tani“ aktualisht ka ndodhur në shumë vende në planet. Ajo që mua më frymëzoi të prodhoj bashkë me drejtuesit e tjerë tek Exinn një qasje sa më të përmbledhur dhe të thjeshtë të “technology landscape”, vjen si një mesazh që të mbjell farën në mendimin tonë për t’i parë gjërat nga një dimension tjetër. Mesazhi, si të thuash, kërkon të na thotë se ajo që duam, duhet më parë ta imagjinojmë sa më larg dhe gjerë që mundemi. Më pëlqeu siç e the edhe më parë, “Ajo që na duket ndryshe, për shumë të tjerë shfaqet tërësisht e zakonshme, pjesë e së përditshmes”. Pikërisht Gert, Unë jetoj në një ekosistem të tillë prej shumë shekujsh.
Ne jetojmë në periudhën e konsolidimit të rrjetëzimit dhe marrëdhënies midis nesh dhe teknologjisë.
Unë dëshiroj që audienca të gjejë tek botimi, informacion që do t’i bëjë të rikonsiderojnë mendimet e tyre për të ardhmen që vërtet duam. Unë besoj se duke mbjellë shpresë, dije dhe informacion edukativ, ndihmojmë në procesin e projektimit dhe vendimarrjes të së ardhmes për brezat që do të pasojnë.
“Confucius” e thotë shumë bukur: “Nëse plani juaj është për një vit, mbillni oriz. Nëse plani juaj është për 10 vjet, mbillni pemë. Nëse plani juaj është për 100 vjet, mbillni dije për të edukuar brezat.”
G: “Duke imagjinuar të ardhmen, kupton më qartë të tashmen” – cituar nga parathënia juaj. Çfarë do të thotë kjo për njerëzimin?
A: E tashmja është para syve tanë, çdo sekondë. Është ajo me të cilën ne ndeshemi çdo ditë për të mbijetuar dhe na “shpenzon” kohën që duhet t’i kushtojmë të ardhmes. E thënë ndryshe, nëse do të vinim nga e ardhmja, i takon që ajo që do të gjenim tek e tashmja jonë, do të ishte shumë primitive, krahasuar me andej nga vijmë. E tashmja është pema dhe e ardhmja është pylli… E ardhmja të zgjeron mendimin, idealin, vizionin, të bën më të përgjegjshëm dhe më njerëzor. Si e tillë, atë që duam të transmetojmë me këtë thënie futuristike, po mundohem ta shpjegoj me krahasimin që vijon: Shqetësimi i çdo prindi është e ardhmja e fëmijëve të tij. Cili do të ishte dallimi i të menduarit midis së ardhmes të fëmijës sonë dhe së ardhmes së fëmijës së fëmijëve të fëmijëve tanë?
Shfletojeni publikimin e parë nga Exinn, KETU: Future Technology
Koha dhe e ardhmja shkojnë bashkë… E vërteta është që imagjinata dhe e ardhmja kanë aftësinë të na çojnë drejt destinacioneve që mund të duken sikur nuk ekzistojnë, por që është e mundur për të shkuar nëse e projektojmë. Kur truri i njeriut zhvillon aftësinë të zgjidhë probleme komplekse që i përkasin së ardhmes, e tashmja i duket shumë konvencionale dhe e thjeshtë për t’u kuptuar.
“Pashë një njeri që donte të kapte yjet. Të gjithë qeshnin, teksa unë i mbaja shkallët.” –Bukowski
G: Ky botim vjen nga Exinn – Explore Innovation? Cili është misioni dhe vizioni i Exinn?
A: Misioni i Exinn është të bëjë të mundur Vizionin e saj. Vizioni i saj dhe njerëzve që e përfaqësojnë, nuk mund të jetë i shkëputur nga vizioni i Shqipërisë dhe planetit që duam. Jetojmë në epokën e rrjetëzimit dhe globalizimit. Exinn është pikërisht një ent biznesi që merr jetë dhe kuptim nga ekosistemi i inovacionit lokal, rajonal dhe global. Për Exinn, Inovacioni është procesi që i merr, ose bashkon idetë dhe i vendos në funksion të tregut, është procesi i kalimit të ideve të reja nga laboratori në treg. Ky proces është për ato ente biznesi dhe njerëz që punojnë për qëllime të mëdha. Të shndërrohesh në një ekosistem inovativ, duhet të kalosh përmes kreativitetit të eksperimentuar. Rruga drejt shndërrimit në një ekosistem Inovativ, është një proces që kalon mes një gëzimi të “dhimbshëm”. Gert, siç e dimë, diamantët krijohen nga karboni, në presione të mëdha…
Lexoni: Cila është sfida për udhëheqësit e së nesërmes?
Inovacioni është parametri që bën dallimin midis konvencionales dhe Futuristikës.
Misioni i Exinn, është të udhëheqë me projekt-idetë e saj inovative, krijimin e një ekosistemi që projekton dhe edukon të ardhmen nëpërmjet rrjetëzimit të burimeve njerëzore dhe hibridizimit të dijes me teknologjinë. Vizioni i Exinn është të krijojë ekosistemin e parë inteligjent, ku idetë e vogla të bashkohen dhe gjejnë rrugën për t’u trupëzuar dhe realizuar në projektet e së ardhmes, për Shqipërinë që duam.
G: Çfarë do të presim në të ardhmen nga Exinn?
A: Përgjigje 1 milionë USD, haha!
E ardhmja është gjithmonë në varësi të kohës, njerëzve dhe ambientit që të rrethon… Është diçka relative, e cila ndryshon vazhdimisht nga faktorët që na rrethojnë.
Për shembull, dikush u diplomua në moshën 22 vjeç, por i’u desh të priste 5 vite që të fillonte një punë të mirë. Dikush u bë CEO në moshën 25 vjeç dhe vdiq kur ishte 50 vjeç.
Ndërsa dikush tjetër u bë CEO, Kryeministër ose President kur ishte 50 vjeç dhe jetoi deri 90 vjeç…
Dikush është ende beqar, teksa dikush tjetër dashurohet dhe martohet.
Obama doli në pension 55 vjeç, teksa Trump u bë president 70 vjeç.
Të gjithë në këtë botë funksionojnë bazuar mbi Zonën e tyre Kohore.
Disa njerez rreth nesh mund të duken sikur janë përpara dhe disa të tjerë pas nesh. Secili në këtë jetë po bën garën e vet, në kohën e vet, e cila plotëson kohën e të gjithëve njëkohësisht.
Lexoni: Gerti Boshnjaku: Me punë duhet të sfidojmë kohën
Çdokush është në zonën e tij kohore të ndodhjes së gjërave… Jeta po na mëson të mësohemi të jemi të duruar dhe të presim momentin e duhur për të vepruar. S’kemi alternativë tjetër, prandaj duhet ta pranojmë… Nuk jemi asnjëherë as vonë dhe as herët për të realizuar dëshirat. Jemi pikërisht në kohën dhe fatin e Zonës Kohore për të krijuar të ardhmen e përbashkët sipas versionit tonë.
Në të ardhmen e afërt, nga Exinn do të prisni gjëra, të cilat do të jenë produkt i dijes kolektive të hibridizuar me teknologjinë. Future Tech, designed by Exinn.
Faleminderit Gert për pyetjet e zgjedhura. Ju uroj që BM të futurizohet me shpejtësi kozmike!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.