Genti Selenica është themeluesi dhe CEO i Baboon. Ai është fituesi i çmimit “Mobility of the Year” në Albania ICT Awards në vitin 2016 me aplikacionin e tij Baboon. Për t’u njohur më shumë me Gentin dhe risinë që ka sjellë në tregun shqiptar në industrinë e teknologjisë, përkatësisht në shërbimin “delivery online” Business Magazine realizoi një intervistë ekskluzive.
BM: Çfarë është Baboon? Si funksionon ai?
G: Baboon është një shërbim online për porositjen e ushqimit në Mobile dhe Web.
Mënyra e funksionimit është fare e thjeshtë. Baboon mund të shkarkohet falas nga AppStore dhe PlayStore. Pasi hapet aplikacioni duhet vendosur adresa ku ndodhesh ose mund të lokalizohesh me GPS.
Në këtë moment dalin të gjithë restorantet që janë afër zonës ku ndodhet klienti.
Mund të seleksionosh një restorant, të shikosh menunë, çmimet etj. Mund të seleksionosh produktet dhe të vendosësh detaje mbi to, psh Pizza Margherita me pak mozzarella, ose sufllaqe pa qepë. Në fund pasi dërgon porosinë, restoranti në kohë reale e pranon atë dhe klienti merr feedback në më pak se 10 sekonda nëpërmjet një njoftimi në aplikacion.
BM: Cili është kuptimi i fjalës Baboon? Si lindi ideja e këtij emri të veçantë?
G: Ishte momenti i duhur për të bërë gjënë e duhur, janë disa shanse që të vijnë vetëm një herë në jetë dhe në qoftë se i kupton, mund të bësh mrekullira.
Jam tip kurioz dhe kisha informacione mbi bizneset më të mira për të investuar në atë periudhë dhe njëri ishte shërbimi i porositjes së ushqimit online.
Zgjodhëm emrin Baboon, sepse duam ta bëjmë BRAND dhe nuk donim që të ishte i lidhur drejtpërdrejtë me ushqimin. Çdo njeri pas disa vitesh kur t’i shkojë mendja për të ngrënë do i kujtohet menjëherë Baboon. Baboon është Babouini, majmun shumë i zgjuar dhe që ushqehet vazhdimisht si njeriu.
BM: Në cilat qytete është i shtrirë momentalisht ky biznes?
G: Momentalisht është vetëm në Tiranë, së shpejti do të jetë edhe në Durrës, Fier, Vlorë.
BM: Sa kohë ka që operon në treg si aplikacion? A i keni arritur objektivat që keni patur në fillim të këtij rrugëtimi?
G: Baboon është online prej datës 5 Shkurt 2016. Në një vit i kemi arritur objektivat që kemi vendosur në fillimet tona.
BM: Duke parë ecurinë e Baboon, si mendoni a janë shqiptarët të prirur për të porositur online? Cila është arsyeja që i shtyn ata të porositin? Cilat ushqime porositen më shpesh/çfarë konsumojnë më shumë shqiptarët?
G: Po sigurisht që janë të prirur, edhe pse fillimi ka qenë shumë i vështirë për t’i edukuar ata. Arsyeja që i shtyn të porositin është zgjedhja e shumtë dhe e thjeshtë e restoranteve dhe në të njëjtën kohë komoditeti për të porositur nga aplikacioni mobile. Ushqimet që porositen më shumë janë sallatrat dhe supërat.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të numrit 13 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 13 të saj.
BM: Cili është ekipi që punon momentalisht për këtë aplikacion?
G: Ekipi është i përbërë nga disa persona.
Një Designer, një Marketer, dy Account Manager, një Support, një Projekt Manager dhe 4 zhvilluesë, Mobile, Web dhe Core API.
BM: Deri më tani, sa biznese bashkëpunojnë me ju? Mund të na përmendni disa prej tyre.
G: Momentalisht ne kemi afërsisht 100 biznese. Lista e tyre është në aplikacion, në bazë të zonës ku ndodhet klienti, nuk mund të përmend emra pasi për ne janë të gjithë të rëndësishëm njësoj.
BM: Çfarë përfitojnë restorantet nga ky bashkëpunim? Si bëhen ata pjesë e Baboon?
G: Ata përfitojnë klientë të rinj dhe mundësi për të marrë porosi thjesht dhe në kohë rekord. Mund të aplikojnë online nëpërmjet faqes tonë zyrtare ose në Facebook. Një ekspert i yni teston ushqimin e restorantit, zonën, shërbimin dhe më vonë vendos që të bëhet pjesë e Baboon.
https://www.youtube.com/watch?v=UJ2OtvwnwxQ
BM: A ka kompani të tjera të ngjashme që funksionojnë në të njëjtën mënyrë si ju?
Për momentin jo, ka pasur disa të ngjashme, por nuk e di nëse funksionojnë ende.
BM:Cila është këshilla që mund t’i jepni të rinjve, lexuesve të BM të apasionuar pas sipërmarrjes njësoj si Genti?
G: Ajo që unë kam kuptuar është se nuk ka gjëra të thjeshta dhe për të bërë diçka të madhe dhe me impakt social si Baboon, ka nevojë për përqëndrim, përkushtim, këmbëngulje, vetëbesim dhe thjeshtësi në çdo gjë që bën.
Do t’i këshilloja shumë gjëra. Fillimisht do i këshilloja që të informoheshin në qoftë se do kishin një ide në kokë, të kuptonin si funksionon sa më shumë dhe pastaj të gjenin rrugën se si ta bënin të mundur, duke gjetur partnerët e duhur dhe të besuar.
Nuk ka asgjë që bëhet vetëm dhe nuk duhet të ketë frikë t’ia tregojë idenë e tij personave që ai mendon se mund t’i japin një mendim të vlefshëm.
Ideja duhet formuluar dhe treguar me shifra, pastaj duhet t’i prezantohet dikujt për të marrë investime. Shumica e njerëzve nuk arrijnë dot të shprehin thjesht dhe saktë atë që mendojnë.
Këshilla më e rëndësishme që dua të jap është se duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të numrit 13 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 13 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.