Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri shoqëruar nga administrator i Operatorit të Shpërndarjes z.Adrian Çela ndoqën dje nga afër prezantimin e këtij aplikacioni.
Me anë të aplikacionit OSHEE Mobile çdo përdorues i një telefoni “smart” mundet të regjistrohet për të patur llogarinë online pranë kompanisë; të kontrollojë konsumin dhe faturën mujore; të kryejë pagesa të faturave pa komision; të kryejë një kërkesë apo ankesë si dhe të ndjekë statusin e saj; të aksesojë portalin e punësimit dhe aplikojë për një vend pune pranë kompanisë. Gjithashtu krijohet mundësia që të denoncohet çdo abuzim me të cilin ndeshet qytetari duke e shoqëruar me fotografi dhe të dhëna konkrete. Qytetarët mund të shikojnë në hartë dhe informohen edhe mbi Qendrat e Kujdesit ndaj Klientit apo aktivitetet e produktet e Operatorit të Shpërndarjes.
Ministri Gjiknuri deklaroi se përmes rimëkëmbjes financiare të kompanisë dhe sektorit në tërësi, po bëhet e mundur që të kryhen investimet aq të domosdoshme si në infrastrukturën e rrjetit ashtu edhe në shërbimin ndaj konsumatorëve.
“Këto investime janë shumë të rëndësishme pasi në qendër të tyre është klienti. Qytetarët e kanë mirëpritur investimin në teknologji dhe gjithnjë e më shumë po përdorin format alternative të pagesave dhe informimit”, u shpreh z.Gjiknuri.
Duke ju referuar aplikacionit OSHEE Mobile, ai theksoi se “ka ende probleme pasi ka edhe punonjës të papërgjegjshëm. Çështja është të gjejmë format dhe mundësitë për t’i kontrolluar ata gjithnjë e më shumë. Aplikacioni është mundësi e mirë për të gjurmuar ankesa, për të kryer denoncimin në kohë reale duke dhënë mundësinë e ndjekjes së saj, ndëshkimin e personave përgjegjës dhe zgjidhjen e problemit. Përmes denoncimeve do ti jepet mundësia kompanisë të korrigjojë edhe performancën e saj”.
Administratori i OSHEE-së, z.Adrian Çela ju referua edhe asaj çka ka bërë kompania më herët në kuadër të përfshirjes së teknologjive të reja në shërbimet ndaj klientit.
“Ky nuk është shërbimi i fundit pasi ne jemi duke punuar që së shpejti të ofrojmë të tjera produkte që lehtësojnë komunikimin me qytetarët. Ndërkohë, më parë kemi bërë hapa të rëndësishëm që nga çelja e sporteleve alternative për pagesat çka solli në eliminimin e radhëve. Sot jemi në rangun e 200 mijë veprimeve në muaj pikërisht nga sportelet alternative. Nëpër qendra tregtare shpërndamë Infokioskat, si një tjetër alternativë për shërbimin ndaj qytetarëve. Instaluam këtë vit mbi 50 mijë matësa elektronikë që me një ndryshim të vogël mund të kthehen edhe në matësa inteligjentë. Nuk duhet të harrojmë edhe lexuesit elektronikë PDA, të cilët i prezantuam pak muaj më parë e që lehtësojnë e automatizojnë leximin e faturës duke shmangur problemet me leximin nga faturistët”, theksoi z.Çela.
burimi: oshee.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.