Është koha që Shqipëria të ftojë emigrantë të punojnë këtu -

Është koha që Shqipëria të ftojë emigrantë të punojnë këtu

Kudo ku ecim shikojmë njoftimin”kërkojmë punëtorë”. Unë personalisht jam pjesë e shumë grupeve të sipërmarrësve në Shqipëri dhe tema numër një e problemit që hasin të gjithë është mungesa e punonjësve. Përveç mungesës në numër ka edhe një mungesë të theksuar në cilësi. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për ata njerëz që punojnë dhe duan të zhvillohen, edhe kjo duket qartë që disa njerëz zhvillohen në pagë, bëjnë nga dy punë njëkohësisht dhe kompanitë luftojnë për ata pak individë që kanë këtë qasje. Por, nga ana tjetër është një limitim i madh për zhvillimin e kompanive, për rritjen e tyre dhe daljen jashtë tregut nëse presim vetëm nga ata pak që ka tregu Shqiptar.

Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje, por zgjidhja shpeshherë duket aq komplekse sa të gjithë i drejtojnë sytë nga shteti dhe politikat që shqiptarët mos të largohen. Ndërkohë nuk është e thënë që zgjidhja të jetë kaq komplekse, mjafton të shikosh shtetet e tjera se si e kanë zgjidhur për të kuptuar që ka zgjidhje dhe ajo do të vijë shumë shpejt edhe në Shqipëri.

Kjo zgjidhje është shumë e thjeshtë, emigrantët nga vende të tjera më pak të zhvilluara se ne. Ashtu si shqiptarët ikin në vende më të zhvilluara për një mundësi më të mirë ashtu ne duhet të nisim të shikojmë individë të tjerë nga vende më pak të zhvilluara se ne. Gjithësej në botë ka pasur mbi 272 milionë punëtorë emigrantë përgjatë 2019 sipas UNDESA.

Po çfarë mund të ketë një vend që popullsia do të largohet për emigrantët e huaj?!

Në fakt, vendi ynë ka shumë për të ofruar për miliona njerëz që jetojnë në dhjetra shtete më pak të zhvilluara se ne.

Edhe jo, nuk vlen legjenda urbane që ne nuk kemi fuqi paguese për të sjellë emigrantë. Pakistani me një popullsi më shumë se 230 milionë banorë ka një GDP për frymë 1.505$ shumë herë më e vogël nga ajo Shqiptare 6.492$, Afganistani e ka GDP për frymë 368$ me një popullsi prej 40 milionë banorësh edhe shembujt janë të ndryshëm. Aktualisht, miliona individë jetojnë në kampe refugjatësh dhe mes atyre ka nga të gjitha nivelet e arsimit dhe aftësive.

Lexo: 10 pyetje që bëhen zakonisht në intervista pune dhe si t’u përgjigjeni atyre!

Gjatë përgatitjes së stadiumeve për kupën e botës në Katar 2022 janë marrë më shumë se 2 milionë emigrantë për të punuar. Këta emigrantë nuk kishin rroga më të larta se sa kanë shqiptarët tani dhe madje konsiderohet si një nga skandalet më të mëdha të 2022 sepse kushtet dhe trajtimi i tyre ishte i barazvlefshëm me skllevër, që nuk është një shembull i mirë për t’u marrë por, thjesht për të treguar që mundësi punësimi ka. Sepse ata individë që ishin të gatshëm të shkonin në ato kushte ç’njerëzore janë të lumtur të vinë në kushtet e Shqipërisë, me një klimë fantastike dhe nëse qëndrojnë gjatë marrin një pashaportë që mund të lëvizin lirisht në të gjithë Evropën.

Disa nga profesionet që kanë më shumë nevojë aktualisht bizneset janë, shpërndarës me motorr, kamarier, punonjës ndërtimi etj. Këto profesione bëhen aktualisht shumë mirë në Pakistan dhe nga mbi 230 milion banorë ka me mijëra dhe miliona të gatshëm të vinë për një mundësi më të mirë se vendi i tyre edhe në Shqipëri. Por, nuk janë vetëm këto profesione ato që mund të mbulohen janë edhe shumë të tjera, programues, social media manager, designer etj, aktualisht Pakistani ka numrin më të madh të freelancer në këto fusha në Fiver dhe po ata individë do bëjnë maksimumin të vinë këtu nëse ka një dritare mundësie.

Ju kujtohet Shqipëria në 1991 dhe madje nuk ka nevojë të shkojmë aq larg, njerëz nga çdo fushë janë të gatshëm të lenë gjithçka të largohen nga Shqipëria dhe të përshtaten në një vend tjetër, e njëjta gjë do të ndodhë por tani ne do të jemi vendi pritës për ata më pak me fat se ne.

Po si mund të realizohet?

Për tu realizuar kjo mjafton të lidhin kontrata agjensi punësimi, të cilat duhet ta shikojnë këtë nevojë si një mundësi e jashtëzakonshme për rritje dhe zhvillim të biznesit të tyre. Madje nevoja është aq e madhe sa nëse kompanitë aktuale të punësimit nuk e bëjnë, do të dalin sipërmarrës të rinj që do ta bëjnë dhe do pozicionohen shumë mirë në këtë industri duke i zëvendësuar kompanitë aktuale.

Gjithashtu tregu shqiptar do të ketë një zhvillim total më të madh sepse do të rritet popullsia që banon në vend, sipërmarrësit do të kenë mundësi të shtojnë investimet dhe të rrisin performancën dhe kjo mund të sjellë një spirale të madhe.

Arsyeja përse nuk ndodh është shumë e thjeshtë, të gjithë jemi të frikësuar nga ndryshimi dhe krijimi i një politike apo metode të re krijon gjithmonë rezistencë. Duhen nisur proçedura të reja pak komplekse në fillim me mundësimin e vizave të punës të këtyre banorëve të rinj, do të ketë pengesë në mësimin e gjuhës nga emigrantët dhe bizneset do e kenë të vështirë të pranojnë kombësi të reja në biznesin e tyre. Por, si çdo gjë, edhe kjo do të ndodhë në Shqipëri, vetëm se ky artikull është një thirrje që të ndodhë sa më shpejt nga ata që janë në këtë sektor ose duan të futen në një sektor me potencial të lartë zhvillimi.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0