Luciano Cirillo zbulon sekretet e suksesit të Ujit “Tepelena” - Business Magazine Albania

Luciano Cirillo zbulon sekretet e suksesit të Ujit “Tepelena”


Rudina HOXHA 

Inxhinieri Luciano Cirillo, i cili është Administratori dhe Drejtori i Përgjithshëm i Uji i Ftohtë “Tepelena” sh.p.k. garanton edhe njëherë konsumatorët shqipëtarë se Uji “Tepelena” është i duhuri.
“Ne  garantojmë çdo ditë, çdo shishe të konsumuar,” thotë ai në një intervistë ekskluzive meInfoalbania.
Por si ka arritur ky brand të jetë kaq  i suksesshëm dhe cilësor në tregun shqiptar? Cirillo zbulon sekretet në këtë intervistë ku i bie gjërave kokës.

Cirillo, si ka ecur Uji Tepelena që nga fillimet e tij në vitin 1998? Ishte përvoja juaj e parë si biznesmen në tregun shqiptar me ujin Tepelena?

Ka qënë eksperienca ime e parë e punës në Shqipëri. Nga viti në vit, kompania ka fituar gjithnjë e më shumë pjesë të tregut duke rritur shitjet në tregun e brendshëm.

Si e nisët këtë biznes? A mendoni se është një investim që ja ka vlejtur? Keni hasur një ambjent biznesi miqësor?

Rritja e shitjeve ka rritur me siguri vlerën e kompanisë dhe si rezultat edhe  investimet. Të flasësh për një “mjedis miqësor” nuk është e mundur, sepse kur jeni në treg, çdo ditë është një betejë: me klientët, me konkurrentët dhe me institucionet.

Si e keni ndërtuar brandin Tepelena? Në cilat pikat të forta jeni mbështetur për të krijuar një markë të cilën sot e konsumojnë masivisht në Shqipëri?

Uji Tepelena është një nga ujërat më të mirë, edhe nëse e krahasojmë me ato europianë. Suksesi është  përcaktuar nga fakti se ne kemi garantuar gjithmonë një produkt me cilësi, pa ndryshuar karakteristikat e ujit.

Ka një mjegull sa i takon cilësisë së ujërave të pijshëm që konsumojnë shqipëtarët. Si do ti bindnit konsumatorët shqipëtarë se Uji Tepelena është i garantuar? Kush janë tre nga avantazhet më të mëdha të Ujit Tepelena?

Në të gjitha këto vite, konsumatori ka mësuar dhe ka verifikuar personalisht se cilësia e ujit ka qenë gjithmonë konstante dhe e barabartë me atë që do të jetë direkt në burim. Ne nuk kemi bërë asgjë veçse kemi siguruar  këtë cilësi. Kjo është bërë me punën e përditshme dhe me kontrollin e vazhdueshëm të cilësisë (mbi 800 kontrolle në javë), të cilat – edhe në qoftë se ato përfshijnë një kosto të lartë – janë absolutisht të domosdoshme.

Tre përparësitë më të rëndësishme:

1. Cilësinë e produktit që ne  garantojmë çdo ditë, për çdo shishe të konsumuar.
2. Një strukturë shpërndarëse të produktit efikase dhe të përhapur në të gjithë vendin.
3.  Një grup punë të bashkuar dhe me një ndjenjë të përkatësisë ndaj kompanisë që është ndryshe nga e zakonshmja.

Aktualisht keni lançuar brande të tjera ne treg, të cilat operojnë nën brandin Tepelena? I jeni përgjigjur kërkesës së konsumatorëve për këto shije të ndryshme të ofruara, apo kjo ka ardhur si reagim ndaj produkteve të reja të futura në treg nga konkurrenca?

Në tre vitet e fundit ne kemi lancuar shumë produkte të reja, duke përfshirë ujërat që ne i quajmë”funksionale”, për shkak se ato përmbajnë ekstrakte natyrore dhe vitamina. Këto produkte kanë qenë absolutisht të reja për tregun shqiptar dhe ka qenë zgjedhja jonë dhe ‘basti’ jonë komercial që mund të themi se e kemi fituar.

Po skandenca e ujit, sa e vlefshme është? Duhet ti besojmë datës së shkruar mbi shishe? Deri më sot s’kam parë ujë të skaduar prandaj edhe dyshoj pak rreth këtyre numrave…

Më vjen keq që ka dyshime në lidhje me datën e duhur. Ne garantojmë se ajo që tregojnë në shishe është e vërteta absolute.

Çfarë teknologjish të zgjuara përdorni për përpunimin e ujit?

Të përshkruash teknologjinë është e lehtë, por në të njëjtën kohë edhe komplekse. Ne përdorim impiante kryesisht italiane dhe respektojmë rreptësisht të dy legjislacionet, si atë shqiptar ashtu edhe atë të Komunitetit Europian. Tani është që nga viti 2001 që ne jemi të autorizuar për të eksportuar në vendet e BE.

Ju i keni përqëndruar forcat tek riciklimi, etiketimi, varietet e produktit, kujtoj ujin e aromatizuar me shije limoni. Si po e forconi brandin tuaj në një treg super konkurrues siç është ai në Shqipëri?

Përveç ujit të aromatizuar me limon, kujtojmë edhe ujërat funksionale të përmendura më parë. Nëse e shikojmë konkurrencën vetëm në aspektin e çmimeve,  kemi humbur, por në qoftë se e kombinojmë  dhe e konsiderojmë raportin e cilësi/çmim, nuk ka dyshim që produkti ynë del fitues. Vitin e kaluar, ne morëm një çmim nga një kompani e huaj që kreu  një studim mbi konsumatorët shqiptarë, duke i parashtruar pyetjen:

“Sipas mendimit tuaj, cili është uji i ambalazhuar që garanton raportin më të mirë të cilësi /çmim?

Shumica e të anketuarve nuk kishin asnjë dyshim: Uji “Tepelena”.

Si kanë ecur eksportet tuaja në Angli, Itali, Greqi, Kosovë dhe Amerikë? Keni plane për tu shtrirë më tej në të ardhmen? Si pritet ne ato tregje nje brand shqiptar?

Sigurisht eksportet  kanë nisur të përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të shitjeve tona:  sot ato përfaqësojnë rreth 10% të shitjeve totale, por ne duhet dhe duam të vazhdojmë në këtë rrugë dhe kjo për dy arsye:

1. Prania e rëndësishme e Ujit  Tepelena në shumë tregje të huaja siguron edhe më shumë konsumatorët shqiptarë për cilësinë e produktit.

2. Tregu shqiptar – në aspektin e popullsisë – është ai që është, kështu që mundësitë e rritjes janë shtrënguar dhe në qoftë se duam që të rritet më tej volumi i shitjeve, këto kërkohen jashtë vendit. Sot, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë, Uji “Tepelena” ka një pjesë tregu mes 25 dhe 30% të tregut të brendshëm, por ne duhet të konsiderojmë se janë të regjistruar rreth 80 aktivitete produktive në këtë fushë.

Fillimisht nuk ka qënë e lehtë të penetrosh në disa vende me një  produkt “Made in Albania”, në disa vende të tilla si Greqi dhe Itali, ku Shqipëria nuk kishte një imazh pozitiv. Por sot situata ka ndryshuar dhe ne nuk kemi më reagime negative.

Kush është qëndrimi juaj ndaj ujit? Mendon se diçka duhet të ndryshojë në këtë drejtim sidomos në Shqipëri?

Ne presim një rritje në shitje në vitet e ardhshme sepse  konsumimi për frymë është ende i ulët në Shqipëri, në krahasim me atë të të gjithë vendeve të tjera, si ato të Evropës Perëndimore ashtu edhe ato të Ballkanit. Por do të ishte e nevojshme një vëmendje më e madhe nga ana e autoriteteve tatimore (për të shmangur  konkurrencën komerciale të pandershme) dhe nga autoritetet përgjegjëse për kontrollin e proceseve të prodhimit, për të shmagur rastet kur konsumatorit ti vijë në dorë nje shishe me ujë pa garancitë e nevojshme higjeniko-sanitare.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0