Çmimet e naftës rriten ndjeshëm pas sulmeve ndaj Iranit, rrezik për furnizimin global me energji - Business Magazine Albania

Çmimet e naftës rriten ndjeshëm pas sulmeve ndaj Iranit, rrezik për furnizimin global me energji

Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm në orët e para të së hënës (sot), ndërsa investitorët vijojnë të peshojnë ndikimin e përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme mbi furnizimin global me energji.

Rritja erdhi pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes së shpejtë të Teheranit, që shënjestroi asete në disa vende të rajonit. Tregjet reaguan menjëherë ndaj rrezikut të ndërprerjeve në eksportet e naftës.

Në tregtimin e hershëm, nafta amerikane e referencës u rrit fillimisht me rreth 8%, për t’u stabilizuar më pas 5.9% më lart, në 71 dollarë për fuçi. Ndërkohë, nafta Brent u ngjit 6.2%, në 77.38 dollarë për fuçi.

Tregtarët po vënë bast se furnizimet me naftë nga Irani dhe pjesë të tjera të Lindjes së Mesme mund të ngadalësohen ose të ndërpriten plotësisht. Sulmet në rajon, përfshirë ato ndaj dy anijeve që kalonin nëpër Kanalin e Hormuzit, gryka e ngushtë që lidh Gjirin Persik me oqeanin kanë kufizuar aftësinë e vendeve për të eksportuar naftë drejt tregjeve globale.

“Rreth një e pesta e flukseve globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Nuk është një kanal i parëndësishëm. Është aorta e sistemit global të energjisë,” tha Stephen Innes nga SPI Asset Management.

Një luftë e zgjatur do të sillte gjasa për rritje të mëtejshme të çmimeve të karburanteve dhe benzinës, duke krijuar valë goditëse në ekonominë globale përmes rritjes së kostove të prodhimit.

Edhe RaboResearch Global Economics & Markets paralajmëroi se ndërprerjet e zgjatura të flukseve të naftës në Lindjen e Mesme do të kishin “implikime të mëdha për tregjet e naftës, LNG-së dhe çdo treg tjetër në botë, pasi energjia është input bazë për çdo prodhim”.

Irani eksporton rreth 1.6 milionë fuçi naftë në ditë, kryesisht drejt Kinës. Nëse këto eksporte ndërpriten, Pekini mund të detyrohet të kërkojë furnizues alternativë, një faktor tjetër që mund të ushtrojë presion shtesë mbi çmimet.

Lexo edhe: Sulmi i Trump ndaj Iranit dhe skenari i ndryshimit të regjimit. Sa i rrezikshëm është ky bast?

Megjithatë, sipas Michael Langham nga Aberdeen Investments, Kina disponon rezerva të konsiderueshme, deri në 1.5 miliardë fuçi, dhe mund të kompensojë rënien e importeve iraniane duke rritur blerjet nga Rusia.

Sulmet ishin parashikuar pjesërisht nga tregjet, pas grumbullimit të konsiderueshëm të forcave amerikane në rajon, ndaj shumë tregtarë kishin rregulluar tashmë pozicionet e tyre për të reflektuar këtë rrezik.

Në tregjet e tjera, ari, tradicionalisht i konsideruar si aset i sigurt në kohë pasigurie u rrit 2.4%, duke arritur në rreth 5,371 dollarë për ons.

Ndërkohë, kontratat futures për S&P 500 dhe Dow Jones Industrial Average shënuan rënie rreth 0.8% në mesditë në Bangkok.

Edhe tregjet aziatike u hapën me humbje. Indeksi japonez Nikkei 225 ra fillimisht mbi 2%. Në Hong Kong, Hang Seng humbi 1.6%, ndërsa në Kinë, Shanghai Composite mbeti pothuajse i pandryshuar. Indekset në Tajvan, Singapor, Tajlandë dhe Australi gjithashtu shënuan rënie.

Tregjet globale mbeten në pritje të zhvillimeve të mëtejshme në konfliktin me Iranin, ndërsa çdo përshkallëzim i ri mund të ndikojë drejtpërdrejt në energjinë, inflacionin dhe stabilitetin ekonomik ndërkombëtar.

ED

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0