Hap dyert Panairi i Turizmit 2026, thirrje për bashkëpunim dhe standarde më të larta në sektor - Business Magazine Albania

Hap dyert Panairi i Turizmit 2026, thirrje për bashkëpunim dhe standarde më të larta në sektor

Janë plot 145 subjekte që po shpalosin ofertat e tyre turistike si për bizneset ashtu edhe për qytetarët.

Dita e parë e Panairit të Turizmit 2026, organizuar nga Iceberg Exhibitions, u shndërrua në një platformë të fuqishme takimi mes institucioneve, operatorëve turistikë, investitorëve dhe përfaqësuesve rajonalë, me një mesazh të qartë: koordinim më i fortë dhe vizion afatgjatë për ta kthyer turizmin në motor të qëndrueshëm zhvillimi.

Ceremonia zyrtare e hapjes u nis në një atmosferë energjike dhe optimiste, ku fjala kyçe që dominoi ishte “bashkëpunimi”. CEO e Iceberg Exhibitions, Enejda Sheku, theksoi rëndësinë e krijimit të një platforme të përvitshme që lidh aktorët kryesorë të industrisë. “Ky panair nuk është thjesht një ekspozitë. Është një hapësirë ku ndërtohen ura bashkëpunimi, ku idetë marrin formë dhe ku sektori  flet në një zë të përbashkët,” u shpreh ajo.

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, nënvizoi se ky është momenti për të forcuar dialogun mes sektorit privat dhe institucioneve. “Turizmi shqiptar ka bërë hapa të mëdhenj, por për të ecur përpara na duhet më shumë bashkërendim, më shumë profesionalizëm dhe politika që mbështesin sipërmarrjen,” tha Kasa, duke shtuar se panaire të tilla krijojnë mundësi konkrete për partneritete dhe kontrata të reja.

Në të njëjtën linjë, Baki Hoti, Kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar. “Rajoni ynë duhet të prezantohet si një destinacion i përbashkët.” u shpreh ai.

Nga ana institucionale, Blendi Goxhaj, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, e cilësoi panairin si një dëshmi të pjekurisë së sektorit, duke theksuar se turizmi mbetet prioritet kombëtar. Ai nënvizoi se investimet në infrastrukturë, promovim dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve do të vijojnë, ndërsa shtoi se suksesi mund të arrihet vetëm nëse sektori publik dhe ai privat ecin në të njëjtin drejtim.

Ceremonia e hapjes u shoqërua edhe me një performancë artistike nga Albanian Night, e cila solli elementë të traditës dhe kulturës shqiptare, dëshmi e pasurisë sonë jomateriale e cila është në të njëjtën kohë tregon identitet dhe përbën atraksion për cdo turist.

Në kuadër të ditës së parë u zhvilluan edhe dy panele tematike që vunë theksin tek zhvillimi afatgjatë i sektorit, ku turizmi mos të shtrihet vec brenda periudhës mars-tetor, por edhe më tej, gjatë gjithë vitit.

Lexo edhe: Paketa e Maleve, bilanci i një nisme që mbetet ende në letra

Paneli i parë, “Sustainable Tourism as the Foundation for the Development of Year-Round Tourism in Albania”, trajtoi rëndësinë e turizmit të qëndrueshëm si bazë për zgjatjen e sezonit turistik dhe për shpërndarjen më të balancuar të fluksit gjatë gjithë vitit. Ndërsa paneli i dytë, “Strategic Marketing of Albania as a Year-Round Destination”, u fokusua në nevojën për një strategji të unifikuar marketingu që promovon Shqipërinë si destinacion tërheqës në çdo stinë, duke forcuar brandin kombëtar dhe prezencën në tregjet ndërkombëtare.

Panairi do të jetë i hapur edhe nesër ku vizitorët kanë mundësinë të gjejnë jo vetëm partnerë biznesi, por edhe destinacione të rëndësishme, paketa për udhëtime fundjave apo pushime verore, si dhe elemente të traditës dhe kulturës shqiptare etj.

Panairi i Turizmit 2026 është më shumë sesa një momentum i ofertës turistike shqiptare. Ai është si një moment reflektimi dhe projeksioni për të ardhmen. Viti 2025 u konsiderua pozitiv për nga fluksi i vizitorëve dhe të ardhurat, por pritshmëritë ishin edhe më të larta. Sektori tashmë ndodhet në një fazë ku nuk mjafton vetëm rritja numerike, kërkohet cilësi, standard, përvojë dhe ndërtimi i një tradite të fortë në mikpritje, hoteleri dhe shërbime turistike. Jemi përballë atij momenti ku duhet të kalojmë nga entuziazmi sezonal në një strategji afatgjatë që e konsolidon Shqipërinë dhe rajonin si destinacione të qëndrueshme dhe konkurruese në hartën europiane të turizmit.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0