Shqipëria e së ardhmes/ Inteligjenca artificiale dhe sektori i teknologjisë - Business Magazine Albania

Shqipëria e së ardhmes/ Inteligjenca artificiale dhe sektori i teknologjisë

Shqipëria e së ardhmes/ Inteligjenca artificiale dhe sektori i teknologjisë
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Alban Avdulla – Realiteti që njohim është duke ndryshuar me ritme të shpejta. Tregu botëror i inteligjencës artificiale pritet të 25-fishohet brenda një dekade. Është në interesin e çdo vendi të bëhet pjesë e këtij tregu, si dhe të vjelë benefitet që burojnë nga përdorimi i teknologjive të reja. Sekretarja e Përgjithshme e UN Trade and Development, Rebeca Grynspan, ka theksuar se trajektorja e zhvillimit të sektorit të inteligjencës artificiale, nuk është e paracaktuar. Avancimi i shteteve varet nga veprimet, politikat, investimet që ato do të ndërmarrin. Megjithatë, vetëm 1/3 e vendeve në zhvillim kanë një strategji të mirëfilltë për ndërtimin e këtij sektori.

Vendet e zhvilluara nuk e kanë neglizhuar këtë fazë përgatitore. Sot mund të studiojmë strategjitë kombëtare të vendeve si Bashkimi Europian, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Singapori, etj. Duke analizuar qasjen e tyre, rezulton se zhvillimi dhe përdorimi i inteligjencës artificiale është i lidhur ngushtësisht me investime, edukimin e gjeneratave të reja, rimodelimin e kuadrit ligjor për të menaxhuar risqet potenciale, etj. Por nuk mbaron me kaq. Zhvillimi i teknologjive të reja, specifikisht inteligjencës artificiale, është e lidhur ngushtësisht edhe me aksesin te baza e të dhënave që shërben për trajnimin e sistemeve AI dhe jo vetëm. Kështu, është parë e udhës nga vende të ndrsyhme, si India, Britania e Madhe, Europa, që të lehtësojnë aksesin në të dhënat e disponuara për sipërmarrjet, individin, organizatat, në suport të inovacionit.  

Çfarë masash/politikash ka ndërmarrë Bashkimi Europian për zhvillimin e sektorit të inteligjencës artificiale?  

Lidhur me edukimin: Edukimi/trajnimi i burimeve njerëzore është trajtuar në dy aspekte: 1. Aftësimin e potencialit të brendshëm njerëzor; 2. Tërheqjen e talenteve të huaja. Bashkimi Europian ka miratuar AI Continent Action Plan, që shpalos, ndër të tjera, strategjinë e BE-së për rritjen e kapaciteteve dhe potencialit njerëzor. BE ofron bursa studimi; grante për kërkim shkencor; suport për profesionist të inteligjencës artificiale; trajnime, etj. BE ka themeluar Europian Digital Innovation Hubs që, ndër të tjera, ofron edhe trajnime të specializuara në këtë sektor. Ka krijuar cikle studimi (bachelor, master, PhD) të fokusuara posacërisht në degën e inteligjencës artificiale. BE ka themeluar gjithashtu akademinë e  aftësive në AI (AI Skill Academy) për të ofruar edukim dhe trajnim me fokus në atë që njihet si generative AI. Britania e Madhe ka ndjekur një shëmbull të ngjashëm, ku përmes Strategjisë Kombetare, miratuar në vitin 2021, ka krijuar bazat për nxitur edukimin dhe aftësimin e burimeve njerëzore duke ofruar bursa studimi, lehtësimin e proçedurave të vizës britanike, grante për kërkim shkencor, etj. Është e qartë se edukimi/trajnimi i burimeve njerëzore është kyç për zhvillimin e sektorit. 

Lidhur me investimet dhe mbështetjen ndaj sipërmarrjes: Zhvillimi i sektorit të inteligjencës artificiale apo sektorit të teknologjisë në tërësi, kërkon detyrimisht investime në infrastrukturë digjitale, dhe jo vetëm.  Përmes AI Continent Action Plan, Bashkimi Europian synon të investojë rreth 200 miliard Euro. Ndër këto, 10 miliard mendohet të alokohen për ndërtimin e të paktën 13 AI Factories deri në fund të vitit 2026; 20 miliard mendohen të alokohen për ndërtimin e rreth 5 AI Gigafactories. Investimet e planifikuara synojnë të mbështesin edhe kërkimin shkencor të niveleve më të larta, të mbështetur nga infrastruktura e nevojshme. 

Përtej kësaj, Bashkimi Europian ka miratuar një sër programesh që vijnë në ndihmë të drejtërdrejtë të sipërmarrjes, organizatave dhe individitit, ashtu sic njëkohësisht shërbejnë si faktor incentivues për më tepër inovacion. Shohim disa prej tyre: 

  • GenAI4EU është një iniciativë e Komisionit Europian për të mbështetur me rreth 700 milion Euro grante biznese, organizata, individ për zhvillimin e sistemeve AI në sektor strategjik. 
  • EIC Accelerator është një program për të mbështetur me grante sipërmarrjet e reja, bizneset e vogla e të mesme, apo edhe individë. Ky program ndahet në dy degë, EIC Accelerator Challenge që lejon aplikim për grante në fusha dhe tematika specifike, dhe administron një buxhet prej 220 milion Eur; dhe EIC Accelerator Open për aplikime që nuk përfshihen në gamën e tematikave të listuara për degën e parë, me një buxhet prej 414 milion Eur. 
  • InvestEU është një instrument i BE-së që synon të mobilizojë investime private për zhvillim të qëndrueshëm, nxitje të inovacionit dhe hapje të vendeve të reja të punës në Europë. Duke përdorur garancinë e buxhetit të BE-së, programi parashikon gjenerimin e më shumë se 372 miliard euro investime në sektorë strategjikë që përputhen me prioritetet kryesore të politikave europiane.

Lidhur me aksesin në të dhëna (data): Për shkak të rëndësisë që të dhënat (data) ka në zhvillimin e inteligjencës artificiale, Bashkimi Europian ka miratuar një strategji që mundëson grumbullimin e databazave të ndryshme (të cilat më herët ishin të fragmentizuara) dhe garantimin e aksesit të sigurt në funskion të inovacionit. Kështu është ndërtuar Common European Data Space, një platform unike që ofron akses të sigurt në databaza të mëdha të dhënash. Të dhënat janë nga sektor të ndryshëm, si psh: agrikulturë, energji, financë, shëndetësi, etj. Garantimi i aksesit në këto databaza është kyç për zhvillimin dhe trajnimin e sistemeve AI, për kërkim shkencor në sektor të ndryshëm dhe për të nxitur inovacionin. Në strategjinë e BE-së përfshihen edhe 2 miliard euro investime në infrastrukturë për të lehtësuar proçesimin e të dhënave, krijimin e mekanizmave për shpërndarjen e tyre, etj.

Lidhur me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian: Me zhvillimin e inteligjencës artificiale, një rol tepër të rëndësishëm merr edhe strategjia e menaxhimit. Në këtë drejtim, kuadri rregullator merr një rëndësi të veçantë. Bashkimi Europian mund të jetë vendi i parë në botë që miraton ligjin për inteligjencën artificiale, i cili shihet si “the gold standard”. Ky ligji (the EU AI Act) i ndan sistemet AI në 4 kategori, sipas nivelit të riskut: 1. Risk i papranuaeshëm, ku futen sisteme AI që nuk lejohen të hidhen në tregun e BE-së; 2. Risk i lartë, sisteme që janë të detyruara të respektojnë një numër të lartë rregullash ligjore; 3. Risk minimal, që respektojnë kryesisht detyrimet e transparencës; 4. Risk i ulët, ku futen sisteme ndaj të cilave aplikohen pak ose aspak detyrime ligjore. 

Zbatueshmëria e këtij ligji është një proçes kompleks. Mbështetur në eksperienca të mëparshme, sa i përket implementimit të ligjeve me kompleksitet të lartë, Bashkimi Europian ndërmori disa iniciativa që të lehtësonin zbatimin e tij. BE ndërtoi The Single Information Platform, një platform digjitale e cila ofron asistencë gjatë proçesit të përmbushjes së detyrimeve ligjore. Disa nga mjetet e ofruara prej kësaj platforme janë: 1. AI Act Explorer; 2. AI Act Service Desk; 3. AI Act Compliance Checker. 

Lexo edhe: Hapet zyrtarisht kohorta e dytë e startupeve të Plug and Play

Çfarë mund të bëj Shqipëria për të përparuar në këtë sektor?

Pas sulmeve kibernetike të vitit 2022, Shqipëria i ka dhënë fokus edhe më të madh sektorit të teknologjisë. Një pjëse e mirë e shërbimeve qeveritare ofrohen online; Është ridimensionuar roli i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike; Është themeluar Agjencia për Ekselencë dhe Inovacioni; Është themeluar Agjencia Start-Up Albania për mbështetjen e siparmarrjeve të reja, ashtu si edhe Ministria për Ekonominë dhe Inovacionin i jep vëmendje të veçantë këtij sektori; Përtej këtyre, janë kryer investime të rëndësishme në infrastrukturën digjitale. Këto janë hapa shumë të rëndësishme për ndërtimin e një sektori i cili kërkon burime dhe kapacitete, shpesh përtej atyre që Shqipëria ka patur në dispozicion.

Shqipëria ka qënë pjesë e një proçesi vlerësimi ndërkombëtar për vitin 2025.  Nga raporti The Government AI Readiness Index 10 rezulton se Shqipëria merr vlerësim gati maksimal sa i përket ofrimit të shërbimeve qeveritare online. Vlerësim pozitiv shfaqet gjithashtu në fushën e cilësisë së të dhënave (data quality), investimeve në insfratrukturë teknike dhe nxitjes së përdorimit të mjeteve digjitale. Bazuar te ky raport, vëmendje e shtuar duhet të vendoset tek aftësimi i burimeve njerëzore; investime në atë që njihet si compute capacity; hartimi i një vizioni politik për zhvillimin e sektorit të teknoligjisë; siguria dhe mbrojtja. Megjithëse, këto janë drejtime ku Shqipëria duhet të tregojë më tepër kujdes, vështirësi të ngjashme kanë shumë vende të botës, shpesh edhe më të zhvilluara se Shqipëria. Thënë kjo, vendi ynë ka potencialin të përparoj në të gjitha drejtimet. 

Së pari, miratimi i një strategjie kombëtare për inteligjencën artificiale: Shqipëria rezulton të ketë miratuar një Strategji Kombëtare për Kërkimin Shkencor, Teknologjinë dhe Inovacionin, ku në fokus primar është kërkimi shkencor. Rezulton të jetë miratuar gjithashtu një Strategji Kombëtare e Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative, por aktualisht nuk rezulton të jetë miratuar një Strategji Kombëtare për Inteligjencën Artificiale apo zhvillimin e sektorit të teknologjisë, megjithëse një draft strategji duket se është përgatitur. Një strategji e mirëfilltë, që shpalos vizionin e vendit për zhvillimin e këtij sektori, ndihmon në përparimin me efikasitet, pasi iniciativat, investimet, politikat shtetërore përqëndrohen në arritjen e objektivave konkrete duke shmangur eksperimente të panevojshme. Megjithatë, strategjia në letër nuk është e mjaftueshme, zbatimi i saj me efiçencë, vlen edhe më tepër.

Së dyti, aftësimi i burimeve njerëzore: Ekziston një nevojë urgjente për edukimin/aftësimin e burimeve njerëzore. Investimi te kapitali njerëzor nuk është një nevojë e lindur rishtazi, pasi reflektohet edhe në raportet e Bankës Botërore, por sot bëhet edhe më emergjente pasi zhvillimi teknologjik, inovacioni dhe inteligjenca artificiale shtyhet përpara vetëm përmes burimeve të afta njerëzore, të cilat kanë potencialin për ti zhvilluar dhe për të punuar me to në drejtim të inovacionit.  

Transformimi i sistemit arsimor, në atë mënyrë që t’i përgjigjet nevojave të kohës, mund të jetë një proçes i vështirë dhe duhet vlerësuar në disa dimensione. 

  • Fillimisht, duhet nxitur/mbështetur krijimi i programeve të studimit me fokus të dedikuar tek inteligjenca artificiale (cikle studimi bachelor, mastër, PhD). 
  • Paralelisht duhen krijuar programe të shkurtra trajnimesh që fokusohen tek të mësuarit praktik. Aktualisht ekzistojnë disa programe/iniciativa, kryesisht të huaja, të cilat ofrojnë diçka të ngjashme. Marrë në konsideratë që përshtatja e sistemit arsimor (në tërësi) mund të marrë një kohë relativisht më të gjatë, dhe sektori i inteligjencës artificiale është shumë dinamik, mund të jetë e nevojshme të vendoset një fokus më i lartë dhe afatshkurtër tek të mësuarit praktik përmes trajnimeve/specializimeve disa mujore apo 1 (një) vjeçare. Përmes këtyre programeve, të rinjtë krijojnë bazat e nevojshme për të vijuar edukimin e tyre edhe në mënyrë autodidakte.
  • Shqipëria mund të nxis dhe të kërkojë një bashkëpunim më të ngushtë me BE-në, me synim përfitimin e një aksesi më të lehtë në universitetet europiane dhe institucionet e tjera akademike. Ky partneritet do të ishte edhe më i dobishëm nëse programet europiane, si AI Skills Academy dhe European Digital Innovation Hubs, do të ofronin asistencën e tyre për Shqipërinë që në këtë fazë.

Së treti, plotësimi i kuadrit ligjor: Zhvillimi i sektorit të inteligjencës artificiale duhet të shoqërohet me miratimin e një kuadri rregullash që do të garantojnë menaxhimin e riskut që buron nga përdorimi i sistemeve inteligjente. Shqipëria gjendet në proçesin e harmonizimit të ligjeve në kuadër të integrimit në BE. Aktualisht rezulton të ketë miratuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, ligjin për sigurinë kibernetike, etj. Është çështje kohe deri sa të miratohet edhe ligji për inteligjencën artificiale, qasjen e të cilit e trajtojmë shkurtimisht më sipër.

Së katërti, garantimi i aksesit të sigurt në të dhëna publike: Shqipëria duhet të shfrytëzojë në mënyrë efikase tërësinë e të dhënave publike që disponon, duke garantuar akses të sigurt dhe falas për individët, universitetet, organizatat dhe bizneset, me qëllim nxitjen e kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit teknologjik. Kjo mund të arrihet përmes krijimit të një platforme digjitale që mundëson akses në të dhëna të strukturuara sipas sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, duke shërbyer si katalizator për maksimizimin e potencialit njerëzor të angazhuar në zhvillimin e sektorit të teknologjisë në vend. Më tej, me rëndësi do të ishte përpjekja e Shqipërisë, që në kuadër të integrimit në BE, të synojë fitimin e aksesit në Common European Data Space (platforma që përmban një volum të madh të dhënash sektoriale të BE-së). Aksesi në këto databaza mund të rezultojë shumë i rëndësishëm për nxitjen e inovacionit në vend.  

Së pesti, mbështetja ndaj sipërmarrjes dhe kërkimit shkencor: Shqipëria e ka nisur këtë rrugëtim. Startup Albania (më vonë Innovation4Albania) është një agjenci e dedikuar për mbështetjen e sipërmarrjes inovative.  Marrë në konsideratë që burimet financiare të Shqipërisë janë të kufizuara, do të ishte e udhës të sigurohej akses në sa më shumë grante nga programet e Bashkimit Europian. Më pas, këto grante mund të ofrohen në formën e mbështetjes financiare ndaj sipërmarrjes/organizatave/individit në varësi të projekteve të tyre. Grantet mund të kanalizohen në dy nivele: 1. Në fusha prioritare, ku futen edhe sektorët strategjik; 2. Aplikime të hapura për projekte/sipërmarrje inovative që nuk përfshihen në katëgorinë e parë. Gjithashtu, Shqipëria duhet të krijojë mekanizmat e nevojshme për të nxitur investimet private, të huaja dhe vendase, në sektorin e teknologjisë, pasi është një motorr i posaçëm zhvillimi. 

Megjithëse mund të jetë objekt i një artikulli të veçantë, suport i rëndësishëm mund të ofrohet edhe përmes incentivave fiskale. Nga studimet e kryera, lehtësitë fiskale luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në nxitjen e inovacionit. Këto lehtësi duhet të ofrohen për të tejkaluar barriera konkrete, pra të jenë të mirëmenduara për t’i shërbyer një objektivi konkret. Megjithatë, qasja dhe strategjia duhet të vlerësohet nga ekspertët e fushës.

Me qenë se ligji për inteligjencën artificiale do të miratohet në një kohë jo të largët, mbështetje e rëndësishme për sipërmarrjen dhe shoqërinë në tërësi mund të jetë edhe ndërtimi i një platforme digjitale, të ngjashme me atë të Bashkimit Europian (The Single Information Platform), e cila informon mbi detyrimet e reja ligjore; incentivat e ofruara për sipërmarrjen inovative; benefitet dhe risqet që burojnë nga përdorimi i teknologjive të reja, duke luajtur edhe një rol ndërgjegjësues për shoqërinë. 

Në përmbyllje të sa më sipër kemi trajtuar, mbetet në diskrecionin e secilit shtet të përcaktojë trajektoren e zhvillimit dhe ritmin me të cilën e kërkon këtë progres. Sektori i inteligjencës artificiale përfaqëson një fushë jashtëzakonisht dinamike, tashmë e integruar në jetën tonë të përditshme, ndonëse ende ndodhemi në fazat e hershme të ndikimit të saj. Megjithatë, edhe në këtë stad fillestar, teknologjitë e reja po rimodelojnë thellësisht mënyrën tonë të jetesës, duke na afruar drejt një realiteti që deri pak kohë më parë do të ishte i paimagjinueshëm.

BIO: Alban Avdulla është Avokat në sektorin e energjisë dhe teknologjisë. Ai është diplomuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Duke University School of Law) dhe Shqipëri. Studimet në SHBA Albani i ka përqëndruar tek ndërlidhja e ligjit me inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave personale, etj. Albani ka bashkëpunuar me The Global Partnership on AI dhe Duke University për organizimin e një eventi që pati në fokus sistemet e ingeligjencës artificiale, ku morën pjesë përfaqësues nga Google, Open AI, Microsoft, Departamenti i Shtetit dhe Institucionet e BE-së. 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Ndonjëherë nuk e sheh veten tënde qartë, deri kur e sheh me sytë e të tjerëve.”
— Ellen DeGeneres
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0