Reddit po “largohet” nga r/popular, feed-i i parazgjedhur për përdoruesit e rinj, dhe planifikon ta zëvendësojë atë me flukse më të mira, më të përshtatura dhe më relevante, sipas CEO-së Steve Huffman (i njohur online si Spez). Sipas tij, r/popular thjesht s’është i mirë.
“Për një kohë të gjatë njihej si faqja kryesore e internetit, por ne e kemi tejkaluar fazën e një faqeje të vetme për të gjithë,” thotë Huffman. “Ju keni interesa të ndryshme nga unë, dhe Reddit-i juaj duhet të duket ndryshe nga i imi. Dhe nga ai i fqinjit, kolegut apo shokut tuaj.” Sa i përket r/popular, ai shton se “në teori duhet të tregojë përmbajtjet më të pëlqyera në Reddit, por në praktikë pasqyron vetëm atë që pëlqehet nga përdoruesit më aktivë – që nuk është e njëjta gjë. Ta kesh si feed parazgjedhur krijon idenë e gabuar se ekziston një kulturë e vetme Reddit, e cila nuk përfaqëson platformën dhe nuk është joshëse për përdoruesit e rinj (apo për këdo tjetër, sipas mendimit tim).” Prandaj, “në një të ardhme të afërt”, Reddit do të ndalojë së shfaquri r/popular për përdoruesit e rinj. Për më tepër, nëse një përdorues nuk e viziton rregullisht, ajo do të hiqet nga grupi kryesor i feedeve në aplikacion.
Sipas zëdhënësit Tim Rathschmidt, ndryshimet do të nisin të shfaqen për disa përdorues që këtë javë. Kujtojmë se Reddit e bëri r/popular feed-in kryesor për vizitorët e paloguar në vitin 2017. Huffman nuk dha detaje mbi atë se si do të duken feed-et e reja të përmirësuara, dhe Rathschmidt konfirmoi se kompania është “ende në fazat e hershme të testimit, ndaj nuk ka më shumë detaje për të ndarë”. Megjithatë, Huffman iu përgjigj një postimi ku kërkohej rikthimi i filtrave të lajmeve, duke thënë se është “plotësisht dakord” dhe se funksionalitete të tilla janë pikërisht ajo çfarë nënkuptohet me feed-e më të personalizuara dhe më relevante.
Lexo edhe:Nis në 2026 programi kombëtar për përgatitjen e kompanive për BE
Ndryshime edhe për moderatorët
Reddit po ndryshon gjithashtu politikat e moderimit, duke synuar të kufizojë përdoruesit që mbikëqyrin një numër të madh komunitetesh me trafik të lartë, me qëllim të reduktimit të të ashtuquajturve “powermods”. Siç u njoftua në shtator, duke filluar nga 31 marsi 2026, një moderator do të mund të menaxhojë deri në pesë komunitete me mbi 100 mijë vizitorë javorë. Sipas kompanisë, ky ndryshim do të ndikojë në “më pak se 0.1% të moderatorëve aktivë”. “Komunitetet e ndryshme kërkojnë liderë të ndryshëm,” thotë Huffman. “Një situatë ku dikush moderon një numër të pakufizuar komunitetesh gjigante nuk është modeli i duhur, prandaj po bëjmë disa ndryshime.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto