Nis në 2026 programi kombëtar për përgatitjen e kompanive për BE - Business Magazine Albania

Nis në 2026 programi kombëtar për përgatitjen e kompanive për BE

Nis në 2026 programi kombëtar për përgatitjen e kompanive për BE

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se biznesi shqiptar mbetet aktori kyç në arritjen e qëndrueshmërisë, rritjes ekonomike dhe integrimit të plotë të vendit në tregun e përbashkët europian. Duke folur në konferencën “Business 2030 – A Sustainable Future Made in Albania”, të organizuar nga UNDP Albania, Ambasada e Suedisë dhe partnerë të tjerë vendas e ndërkombëtarë, ajo theksoi se sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm kërkojnë angazhim të menjëhershëm dhe transformues nga të gjithë sektorët ekonomikë.

Sipas Ibrahimajt, për bizneset shqiptare qëndrueshmëria nuk është më një koncept abstrakt, por një domosdoshmëri operative që ndikon drejtpërdrejt në konkurrueshmëri, aftësinë eksportuese dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian. Ajo theksoi se ky është një proces strategjik që synon të pozicionojë Shqipërinë në zinxhirët modernë të vlerës dhe prodhimit në Europë.

Ministrja nënvizoi se qëndrueshmëria dhe inovacioni duhet të jenë themeli mbi të cilin ndërtohet identiteti ekonomik i vendit, duke ruajtur dhe zhvilluar asetet më të çmuara të Shqipërisë: traditat, mjeshtërinë artizanale, prodhimet autentike, kreativitetin e të rinjve dhe kulturën kombëtare. “Janë këto vlera që duhet t’i mbrojmë dhe t’i kthejmë në avantazh konkurrues në tregjet globale”, u shpreh ajo.

Lexo edhe: Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit nis zbatimin e projektit ndërkufitar SEEDS!

Duke iu referuar procesit të integrimit europian, Ibrahimaj kujtoi se hapja e kapitujve të negociatave tregon se standardet e BE-së nuk janë më kërkesa formale, por detyrime konkrete për institucionet, bizneset dhe shoqërinë. Harmonizimi me rregulloret europiane, zbatimi rigoroz i legjislacionit dhe transformimi i proceseve të biznesit janë, sipas saj, elementët kyç të kësaj faze.

Ajo bëri të ditur se në tremujorin e parë të vitit 2026 do të prezantohet një program gjithëpërfshirës kombëtar për përgatitjen e biznesit shqiptar për integrimin në tregun e përbashkët europian. Programi do të përfshijë analiza sektoriale, modernizimin e proceseve prodhuese, forcimin e standardeve të cilësisë, dixhitalizimin dhe përgatitjen e të rinjve për kërkesat e ekonomisë moderne.

Ibrahimaj theksoi se vetëm përmes bashkëpunimit dhe një plani pune të qartë mund të shndërrohen sfidat aktuale në përparësi konkurruese për ekonominë shqiptare. Ajo vuri në dukje rëndësinë e koordinimit midis qeverisë, institucioneve financiare, biznesit, organizatave ndërkombëtare dhe akademisë, duke e cilësuar këtë partneritet si gurthemelin e suksesit drejt “Shqipërisë 2030”.

Konferenca “Business 2030 – A Sustainable Future Made in Albania” zhvillohet në formën e disa panelesh tematikë mbi sektorët kryesorë të ekonomisë, sfidat e financimit, transformimin e biznesit dhe rolin e të rinjve në zhvillimin e qëndrueshëm, me synimin për të nxitur një dialog të thelluar mbi tranzicionin e gjelbër, inovacionin dhe integrimin e vendit në ekonominë europiane të së ardhmes.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0