Disney dhe Universal kanë ngritur një padi kundër kompanisë së inteligjencës artificiale Midjourney, duke e akuzuar atë për shkelje të të drejtave të autorit në mënyrë masive, përmes gjenerimit të imazheve që imitojnë personazhet e tyre ikonike.
Dy gjigantët e Hollywood-it pretendojnë se vegla e Midjourney prodhon “kopje të panumërta” të personazheve të njohur si Darth Vader nga Star Wars, Elsa nga Frozen dhe Minions nga Despicable Me. Kjo padi vjen në një kohë kur marrëdhënia e industrisë së argëtimit me inteligjencën artificiale mbetet e ndërlikuar, njëkohësisht tërheqëse për potencialin që ofron dhe shqetësuese për rreziqet e vjedhjes intelektuale.
Midjourney është një platformë që krijon imazhe nga komandat e shkruara. Në padinë e paraqitur në një gjykatë federale në Los Anxhelos, studio të mëdha si Disney sollën shembuj konkretë të imazheve të gjeneruara, që përfshijnë personazhe si Yoda nga Star Wars, Spiderman, Hulk dhe Iron Man nga universi Marvel. Horacio Gutierrez, drejtori ligjor i Disney, u shpreh se kompania e tij është “optimiste për përdorimin e përgjegjshëm të AI-së si një mjet për të fuqizuar kreativitetin njerëzor.”
“Por pirateria është pirateri, edhe nëse kryhet nga një kompani AI, kjo nuk e bën më pak të paligjshme,” shtoi ai.
Lexo edhe:Vanesa Limani, vajza nga Prishtina që po shkëlqen në administratën e New York-ut
Sipas padisë, Midjourney ka realizuar të ardhura prej 300 milionë dollarësh vetëm vitin e kaluar dhe është në prag të lançimit të një shërbimi të ri për video. Profesor Shubha Ghosh nga Universiteti i Sirakuzës theksoi: “Shumë nga imazhet që prodhon Midjourney duken thjesht si kopje të personazheve të mbrojtur nga të drejtat e autorit, ndoshta të vendosur në skena apo sfonda të ndryshme.”
“Ato nuk duken si të transformuara në mënyrë krijuese apo imagjinative,” shtoi ai, duke theksuar se ligji për të drejtat e autorit e njeh konceptin e ndërtimit mbi vepra ekzistuese, për sa kohë që rezultati sjell diçka të re.
Nga ana tjetër, Randy McCarthy, drejtues i grupit të së drejtës së pronësisë intelektuale në firmën ligjore Hall Estill, theksoi se “asnjë proces gjyqësor nuk është i garantuar për fitore.”
“Ka çështje që duhen sqaruar nga gjykata, përfshirë termat e shërbimit të Midjourney dhe analizën e mundshme të përdorimit të drejtë (fair use), përpara se të përcaktohet rezultati i mundshëm,” shtoi ai.
Në faqen e saj zyrtare, kompania e bazuar në San Francisko përshkruhet si “një laborator i pavarur kërkimi”, me një ekip të vogël prej më pak se një duzinë punonjësish të përhershëm. Ajo drejtohet nga David Holz, i cili më herët ka themeluar kompaninë Leap Motion që merrej me sensorë harduerikë. Mes këshilltarëve të Midjourney listohen edhe ish-drejtuesi i Github, Nat Friedman, si dhe Philip Rosedale, themelues i platformës Second Life. Hollywood-i i sheh inteligjencën artificiale si një mjet me potencial të dyfishtë. Vetëm dy vite më parë, aktorët dhe skenaristët ndërprenë aktivitetin e industrisë me greva, duke kërkuar mbrojtje nga ndikimi i teknologjisë së re. Por sot, AI po përdoret gjithnjë e më shumë në prodhimin e filmave, serialeve dhe video-lojërave. Dy nga filmat garues në Oscars e përdorën teknologjinë për të ndryshuar zërat e aktorëve: Emilia Perez dhe The Brutalist. Po ashtu, AI ka ndihmuar në “rinimin” digjital të aktorëve si Tom Hanks dhe Harrison Ford.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto