Nga Fatima Gorezi – Në një nga qytetet më të mëdha të botës, një emër shqiptar po spikat në administratën e New York City. Vanesa Limani, një e re nga Prishtina, ka ndërtuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm nga momenti që mbërriti si adoleshente në Staten Island, e deri te roli i saj si Drejtoreshë e Borough-t në Zyrën e Kryetarit të Bashkisë së NYC. Me përvojë në nivelet të larta të administratës shtetërore dhe lokale, ajo po kthehet në një zë të rëndësishëm për komunitetin, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjitha grupet shumëngjyrëshe që jetojnë në Staten Island. Në këtë intervistë për Bussinessmag, ajo ndan me ne sfidat personale dhe profesionale, rrugëtimin deri tek pozitat drejtuese, ndikimin e kulturës shqiptare në lidershipin e saj dhe vizionin për fuqizimin e diasporës shqiptare në politikë dhe shoqëri.
Ju si shqiptare që keni arritur të drejtoni një degë të rëndësishme në administratën e New York City, cilat kanë qenë sfidat kryesore që keni hasur dhe si i keni kapërcyer ato?
Do të thoja që pjesa më sfiduese ka qenë që në momentin kur u shpërngula për herë të parë në New York City. Si një vajzë e re nga Prishtina, ardhja në New York ishte një ndryshim i madh për mua. Pastaj do të thoja se sfida tjetër ka qenë puna e palodhur në çdo vend pune që kam pasur, fillimisht si praktikante në zyrën e ish-Asambleistit Cusick, pastaj si Drejtoreshë e Shërbimeve për Qytetarët në të njëjtën zyrë, dhe më pas në zyrën e Senatores Scarcella-Spanton. Çdo punë ka sfidat e veta, por nuk do të isha aty ku jam sot pa mbështetjen e familjes dhe miqve të mi, dhe gjithashtu të ish-shefave të mi që më kanë shtyrë gjithmonë përpara dhe më kanë frymëzuar.
Si ndikon kultura dhe përvoja juaj shqiptare në mënyrën se si menaxhoni dhe ndërtoni lidhje me komunitete shumëngjyrëshe në Staten Island?
Jam rritur në Kosovë dhe kam ardhur në Staten Island si 17-vjeçare, gjë që më ka dhënë aftësinë të lëviz mes kulturave me lehtësi dhe respekt. Kjo më ndihmon të lidhem natyrshëm me komunitete të ndryshme, të dëgjoj me vëmendje dhe të punoj në mënyrë gjithëpërfshirëse. Puna ime në nivel shtetëror dhe tashmë më nivel qyteti/lokal më ka mësuar sa e rëndësishme është që secili zë të dëgjohet dhe përfaqësohet.
Në një qytet si New York, ku sfidat urbane janë shumë të ndryshme, cilat janë prioritetet kryesore të degës që drejtoni dhe si i përshtatni politikat për të përmbushur nevojat lokale?
Në Staten Island, sfidat shpesh duken ndryshe nga pjesët e tjera të qytetit . Prandaj, fokusi ynë është që të bashkëpunojmë me banorët për të ndërtuar zgjidhje që lindin nga vetë përvojat dhe nevojat e tyre.
Si e shihni rolin e liderëve të komunitetit shqiptar në Diasporë për të ndikuar në politikat sociale dhe integruese në qytetet ku jetojnë?
Mendoj se liderët shqiptarë në Diasporë janë ura lidhëse që ndihmojnë komunitetin të integrohet dhe të ndihet pjesë e qyteteve ku jetojmë. Përvojat e tyre i bëjnë të rëndësishëm në mbështetjen e shqiptarëve dhe ndërtimin e marrëdhënieve me komunitetet e tjera.
Ju jeni edhe studente e MIA në Baruch College, si ju ka ardhur në ndihmë edukimi akademik në sfidat e përditshme të punës në sektorin publik?
Studimet në Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Baruch College po më ndihmojnë të kuptoj më mirë sfidat e ndryshme që has në punën e përditshme. Ato më japin aftësi për të analizuar situata komplekse dhe për të marrë vendime më të informuara në sektorin publik.
Lexo edhe: Xheneta Krasniqi, shqiptarja e renditur mes “Top Young Women Engineers in Germany 2025”
Cilat janë tri këshilla kryesore për të rinjtë shqiptarë që duan të ndërtojnë një karrierë të suksesshme në administratë publike apo në pozicione lidershipi jashtë vendit?
Së pari, merrni iniciativë dhe bëhuni proaktivë. Mos prisni që mundësitë t’ju vijnë, kërkojini dhe krijojini vetë.
Së dyti, mësoni nga gabimet. Nuk ka sukses pa sfida; çdo gabim është një mundësi për të mësuar dhe për t’u përmirësuar.
Së treti, mos kini frikë të filloni nga e para. Çdo eksperiencë, edhe ajo më e vogël, është një hap drejt karrierës që dëshironi.
Çfarë projektesh apo iniciativash specifike në Staten Island ju bëjnë më shumë krenare dhe si kanë ndikuar ato në komunitetin që shërbeni?
Diçka që më bën shumë krenare është koha kur punoja për Senatoren e Shtetit, Scarcella-Spanton, si Drejtoreshë për Staten Island, kur për herë të parë në vitin 2024 organizuam manifestimin për Pavarësinë e Kosovës në Kapitolin e Shtetit të New York-ut. Këtë vit e realizuam për herë të dytë dhe tashmë është kthyer në një traditë vjetore.
Është një nder i madh të jesh pjesë e një nisme që përkujton Pavarësinë e Kosovës në një vend kaq të rëndësishëm siç është New York-u. Mendoj se kjo jo vetëm që më bën krenare mua personalisht, por i bën të ndihen të vlerësuar dhe mirënjohës edhe të gjithë pjesëtarët e komunitetit tonë. Është vërtetë emocionuese të shohësh se kemi përfaqësues të zgjedhur që e duan komunitetin tonë dhe që e tregojnë këtë përmes veprimeve të tyre.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.