Nga Eni Muça– Nga një djalë që bleu katër aksione të Microsoft me kursimet e verës, në një menaxher fondi që ndihmon qindra njerëz të marrin vendime të mençura financiare – Endrit Çela na rrëfen më shumë se një histori suksesi. Na jep një thirrje për të ndërtuar një kulturë të re ekonomike.
“Rrugëtimi im në botën e financave ka nisur shumë herët në jetë,” — tregon Endriti. “Që kur isha fëmijë në Shqipëri, kam qenë i përfshirë në mënyrë intuitive në menaxhimin e financave familjare. Babai më merrte me vete në punë gjatë verës dhe aty kuptova rëndësinë e parasë dhe të ekonomisë reale.”Ishte pikërisht kjo përvojë që e bëri të mendonte ndryshe për paranë. Dhe kur ishte adoleshent në SHBA, bleu kompjuterin e tij të parë me sistem operativ Microsoft, ai mendoi: “Nëse unë dhe të tjerët përdorim këtë produkt çdo ditë, ndoshta ka kuptim të investoj në të.”
Gabimet e para dhe mësimet që formësuan filozofinë e tij
Aksionet e para i shiti me humbje gjatë krizës financiare të vitit 2008. Por nuk e ka parë kurrë si dështim. Përkundrazi. “E kuptova se investitorët shpesh blejnë në eufori dhe shesin në panik. Por mësimi më i rëndësishëm ishte ky: suksesi në financa nuk vjen duke ndjekur ndjesitë, por duke analizuar thelbin e bizneseve.”
Filozofia e investimit: cilësia mbi emocionin!
Sot, Endriti është menaxher portofoli dhe bashkëpronar në AMF Capital, ku drejton fondin Family & Brands. Filozofia e tij është e qartë: “Rreziku real ekziston vetëm kur nuk ke bërë detyrat siç duhet. Unë investoj në kompani që kanë ndërtuar vlera në kohë, jo në modë të momentit.” Ai fokusohet te kompanitë që kanë një “pricing power” të fortë dhe që drejtohen nga familje me përkushtim afatgjatë. “Kur menaxhimi i një kompanie është vetë aksionar, atëherë interesi është i përbashkët me investitorët. Dhe kjo për mua ka vlerë të jashtëzakonshme.”
Nga bursat gjermane te komuniteti shqiptar: një mision i ri
Për Endritin, suksesi nuk ka kuptim nëse nuk ndahet. Prandaj ka krijuar formate që po tërheqin çdo javë mijëra shqiptarë në LinkedIn, Spotify dhe Apple Podcasts. “E kam të thjeshtë: nëse nuk mund ta shpjegosh një temë komplekse në mënyrë të thjeshtë, atëherë nuk e ke kuptuar vetë. Dhe pikërisht këtë mundohem të bëj, ta sjell botën e financës më afër njerëzve.” Ai përmend me pasion formatet që ka krijuar:
- Podcast-i “Investmentbabo”, që nisi si një bashkëbisedim miqësor me një koleg, sot ka ndjekës besnikë që dërgojnë pyetje çdo javë.
- Newsletter-i “Cela’s Weekly Insights”, ku përmbledh lajmet kryesore financiare të javës me një gjuhë të qartë dhe të kapshme.
- “Capital Markets Quickie”, një podcast i përditshëm 2-minutësh, i prodhuar përmes një kloni të zërit të tij me inteligjencë artificiale. “Nuk e kisha menduar kurrë që teknologjia do më ndihmonte kaq shumë për të edukuar publikun çdo mëngjes.”
Lexo edhe:Martohet Mira Murati, ceremonia “sekrete” në Toskanë!
Një shoqëri që kupton financat është më e lirë dhe më e fuqishme
Endriti është gjithashtu pjesë e strategjive kombëtare për edukimin financiar në Gjermani, dhe bashkëpunëtor me OECD. Por vëmendjen e tij e ka kthyer drejt Shqipërisë dhe diasporës shqiptare. “Në vendin tonë mungon edukimi financiar bazë. Dhe kjo sjell pasoja, vendime të nxituara, varësi nga kredia, mungesë planifikimi. Kjo duhet të ndryshojë. Kam një ëndërr të thjeshtë: të ndërtojmë një akademi moderne financiare në shqip, ku të rinjtë të mësojnë që në shkollë se si të menaxhojnë paranë e tyre.”
Tre rregulla të arta për çdo investitor të ri
“Nuk dua të jap receta magjike. Por kushdo që fillon të investojë, duhet të kuptojë këto tre gjëra”, thotë Endriti:
-
Tregjet funksionojnë mbi bazën e ofertës dhe kërkesës. “Çmimi nuk është arbitrar, është pasqyrë e mendimit të tregut.”
-
Aksionet janë pjesë reale të një biznesi. “Mos u fiksimi te grafiku. Shiko çfarë bën ajo kompani, kujt i shet, çfarë vlere sjell.”
-
Cilësia fiton gjithmonë në afatgjatë. “Mos ndiq zhurmën. Investo në kompani që kanë një avantazh të qëndrueshëm.”
Motivimi që nuk shuhet: ndikimi tek njerëzit
“Kur dikush më shkruan dhe më thotë që ka filluar të kursejë ndryshe, të investojë më me mend, ajo është dita ime më e mirë.” Ai dhe motra e tij, që gjithashtu vepron në fushën e financave, janë në hapat e parë për të krijuar një fondacion që do të fokusohet në arsim dhe edukim ekonomik, si mjeti më i fuqishëm për zhvillim të qëndrueshëm.
Fjalët e fundit? “Mos kini frikë nga kompleksiteti!”
“Nëse ka diçka që dua t’i them çdo shqiptari që po mendon të investojë, është kjo: fillo me dëshirë për të mësuar. Jo për të fituar shpejt. Kur kupton vërtet si funksionon një kompani, si gjeneron të ardhura, atëherë çdo vendim që merr është më i sigurt.”
Endrit Çela, një profesionist që e sheh investimin si mënyrë për të fuqizuar të tjerët. Dhe që çdo mëngjes, zgjohet me një mision të qartë: “Të ndihmoj njerëzit të ndërtojnë një të ardhme më të qëndrueshme.”
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.