Nga Eni Muça
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, vëmendja nuk ndalet vetëm tek sfidat tradicionale të punës. Sot, ajo shkon edhe tek ndryshimet që po sjell një brez i ri në tregun shqiptar — Gen Z. Të rritur mes teknologjisë dhe ndikimeve globale, të rinjtë e kësaj grupmoshe nuk hyjnë në punë vetëm për siguri financiare. Ata kërkojnë më shumë: kuptim, fleksibilitet, mundësi zhvillimi dhe një balancë të shëndetshme mes jetës dhe punës. Të dhënat më të fundit të INSTAT dhe një intervistë me znj. Eljana Mete, drejtuese e portalit të punësimit duapune.com, konfirmojnë se ky brez po sjell një frymë të re. Sipas saj, Gen Z po ndryshon mënyrën se si kompanitë duhet të mendojnë për rekrutimin dhe menaxhimin e talenteve. Ata janë digjitalë natyralë, kërkojnë përfshirje dhe vlerësojnë mjediset ku ndihen të respektuar dhe të motivuar. Nga profesione në teknologji dhe krijimtari, tek prirja për punë freelance apo projektet që lidhen me mirëqenien mendore, Gen Z po hap fronte të reja në treg. Megjithatë, sfidat mbeten — emigrimi, mungesa e përvojës dhe kërkesa për kushte më të mira janë ndër faktorët që e bëjnë këtë ndryshim jo gjithmonë të lehtë. Në këtë artikull do të analizojmë nga afër profilin e Gen Z në Shqipëri, çfarë kërkojnë ata nga puna dhe si mund të përshtaten më mirë kompanitë shqiptare për të përfituar nga potenciali i tyre.
Profili i Gen Z në tregun e punës shqiptar
Popullsia e re shqiptare përbën një segment të rëndësishëm të tregut të punës, me një nivel pjesëmarrjeje prej 53.6% për moshën 15-29 vjeç në fuqinë punëtore. Kjo tregon se mbi gjysmën e të rinjve janë aktivë në tregun e punës, megjithëse një pjesë e konsiderueshme ose vazhdojnë shkollimin ose hasin vështirësi për t’u punësuar. Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri (për popullsinë mbi 15 vjeç) ishte 8.8% në fund të vitit 2024, por papunësia tek të rinjtë mbetet më e lartë, veçanërisht për ata me arsim të mesëm (13.4%) krahasuar me arsim universitar (8.4%). Emigracioni vazhdon të ndikojë ndjeshëm tregun vendas, duke e tkurrur bazën e talenteve të reja. Një studim i INSTAT për sektorin e TIK gjeti se aspirata për t’u larguar jashtë vendit cilësohet nga kompanitë si pengesa kryesore për rekrutimin e profesionistëve të rinj. Pas emigrimit, pengesë e dytë më e madhe është “përvoja e pamjaftueshme në punë”, e ndjekur nga mungesa e aftësive dhe niveli jo tërheqës i pagës. Këto gjetje nënkuptojnë se shumë të rinj shqiptarë ose po planifikojnë karrierë jashtë vendit, ose nuk janë ende të përgatitur plotësisht për kërkesat e tregut – një sfidë për HR-në vendase por edhe një mundësi për kompanitë që të investojnë në zhvillimin e tyre.
Nga ana tjetër, anketat mbi kënaqësinë në punë tregojnë një shkallë të lartë pakënaqësie tek punonjësit shqiptarë, çka prek edhe Gen Z. Sipas një sondazhi të EPPC, rreth 60% e punonjësve në Shqipëri (dhe Kosovë) janë të pakënaqur me punën e tyre, ndërsa vetëm 39.5% ndihen realisht të angazhuar në vendin e punës. Kjo pakënaqësi reflektohet në tendencën për lëvizshmëri: 57% e të anketuarve pohuan se e shohin të mundur të ndërrojnë punë brenda vitit, kryesisht për një pagë më të lartë, mundësi karriere, vlerësim më të madh ose një punë më pak stresuese. Vlen të theksohet se ndër arsyet për të kërkuar një punë të re, balanca punë-jeta private ka pasur rritjen më të madhe në rëndësi krahasuar me disa vite më parë. Me fjalë të tjera, brezi i ri po i jep gjithnjë e më shumë përparësi mirëqenies personale dhe kohës jashtë punës, një trend që pasqyron edhe prirjet globale pas pandemisë.
Në këtë intervistë për temën në fjalë që përkon edhe me 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, znj. Eljana Mete, drejtuese e portalit të punësimit duapune.com, ndau disa nga vëzhgimet e saj mbi ndikimin e Gen Z në tregun shqiptar të punës. Ajo theksoi se ky brez po sjell një frymë të re, duke kërkuar më shumë fleksibilitet, përfshirje dhe kuptim në punë. Sipas saj, kompanitë që dëshirojnë të tërheqin dhe të mbajnë talentet e Gen Z duhet të përshtatin kulturën e tyre organizative dhe të ofrojnë mundësi që përputhen me vlerat dhe pritshmëritë e këtij brezi.
Lexo edhe:Gen Z: Gjenerata kundër punës apo e ardhmja e sipërmarrjes?
Çfarë tregojnë të dhënat nga duapune.com?
Gen Z i referohet brezit të lindur përafërsisht midis viteve 1997 dhe 2012. Ata janë brezi që kane lindur që në fëmijëri me teknologjinë digjitale, internetin, rrjetet sociale dhe telefonat inteligjentë. Në portalin tonë duapune.com, bazuar në Indeksin e Punësimit dhe shifrat e të regjistruarve në portal, gati 27% janë Gen Z, të cilët, edhe kur janë regjistruar, nuk kanë përdorur regjistrimin klasik, por atë me skanim të CV-së.
Disa fakte interesante që kemi konstatuar për Gen Z ndryshe nga Millennials
1. Digjitalë natyralë – Janë rritur me teknologji dhe kanë një aftësi të lindur për të përdorur pajisje digjitale dhe aplikacione.
2. Vlera sociale dhe qëndrime progresive – Janë më të vetëdijshëm për çështjet sociale, mjedisore dhe përfshirëse.
3. Kërkojnë fleksibilitet – Nuk e preferojnë orarin klasik 9-5 dhe shpesh kërkojnë punë të largët ose hibride.
4. Pritshmëri të larta – Presin që puna të ketë qëllim, mundësi zhvillimi dhe kulturë pozitive.
5. Ndryshojnë punë shpesh – Më pak të përkushtuar ndaj një punëdhënësi afatgjatë, por më të prirur të kërkojnë mundësi të reja.
Si sillen ata si punëkërkues? Cilat janë gjërat që kërkojnë më shumë në një punë?
Gen Z dhe puna – Si janë në lidhje me punësimin?
• Teknologjikisht të përgatitur – Shkëlqejnë në mjedise që kërkojnë aftësi digjitale dhe inovacion.
• Kërkojnë balancë jetë-punë – Vlerësojnë kohën për veten dhe shëndetin mendor.
• Përparësi për kuptim dhe mision – Puna duhet të ketë kuptim dhe përputhje me vlerat e tyre.
• Përvetësojnë shpejt aftësi të reja – Janë të shpejtë në mësim dhe përshtatje me ndryshime.
• Interes për sipërmarrje dhe freelance – Shumë preferojnë të jenë të vetëpunësuar ose të kenë projekte anësore.
Në një sondazh të duapunë gjatë vitit 2024 kemi grupuar rezultatet që lidhen me punën për Gen Z , Millennials dhe Gen X
- Qasja ndaj punës:
• Gen X: Tradicional, të përkushtuar, vlerësojnë stabilitetin.
• Millennials: Kërkojnë qëllim dhe pasion në punë.
• Gen Z: Kërkojnë fleksibilitet dhe kuptim personal.
2. Teknologjia:
• Gen X: E mësuar me teknologjinë, por jo digjitalë natyralë.
• Millennials: Përshtatur mirë me teknologjinë.
• Gen Z: Lindur me teknologji, shumë të aftë digjitalisht.3. Besnikëria në punë:
• Gen X: Qëndrojnë gjatë në një vend pune.
• Millennials: Më të prirur të ndryshojnë për mundësi më të mira.
• Gen Z: Shumë të lëvizshëm, ndjekin zhvillimin personal dhe fleksibilitetin.4. Preferenca pune:
• Gen X: Orar i rregullt, hierarki e qartë.
• Millennials: Punë me kuptim, mundësi zhvillimi.
• Gen Z: Punë hibride, freelance, kulturë e hapur dhe përfshirëse.
A e kanë ndryshuar ata peisazhin e tregut të punës në Shqipëri?
Sipas një kërkimi që kemi bërë në duapune se cilat janë profesionet ku një Gen z mund të ndihet i motivuar dhe që mund të japin maksimumin janë si më poshtë:
- Profesione në teknologji:
• Programues / Developer
• Data Analyst / Data Scientist
• Cybersecurity Specialist
• UX/UI Designer
• IT Support / Network SpecialistPse i pëlqejnë? – Paguhen mirë, ofrojnë fleksibilitet dhe janë gjithmonë në zhvillim.
2. Profesione kreative dhe digjitale:
• Content Creator (YouTuber, TikToker, Podcaster)
• Graphic Designer
• Digital Marketer / Social Media Manager
• Video Editor / Animator
• Brand StrategistPse? – Jepin liri, janë të lidhura me pasionet personale dhe ofrojnë vetëpunësim.
3. Profesione të reja / hibride:
• Freelancer / Remote në fusha të ndryshme
• Influencer Marketing Specialist
4. Profesione që lidhen me mirëqenien dhe qëllimin:
• Psikolog / Terapist
Pse? – Sepse Gen Z ka ndjeshmëri për mirëqenien mendore dhe ndikimin social.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.