Takimi i parë zyrtar dypalësh i kryeministres italiane Giorgia Meloni me presidentin amerikan Donald Trump, erdhi në një moment kritik për Evropën. Me Trump që kërcënon me një luftë tregtare ndaj Bashkimit Evropian, vizita e saj shihet si një mundësi kyçe për të ndihmuar Italinë dhe Evropën të shmangin një përshkallëzim të tensioneve. Megjithëse Trump ka zgjedhur të pezullojë përkohësisht disa nga masat e planifikuara, duke zbutur disi tonin, mbetet e paqartë nëse Meloni do të arrijë të sigurojë rezultate konkrete nga ky takim.
Sipas Raffaele Marchetti, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Luiss të Romës, “mundësitë për të marrë lëshime janë të kufizuara”. Ai shton se kjo mund të kthehet në një problem, pasi “evropianët do të kërkojnë rezultate të prekshme nga kjo vizitë”.
Në axhendën e takimit u përfshinë tema si ekonomia, sektori industrial dhe mbrojtja. “Meloni do të ofrojë një rritje të shpenzimeve për mbrojtjen, një lëvizje që do të favorizojë fabrikat amerikane”, shpjegon Marchetti për Euronews. Por kjo mund të bjerë ndesh me planet e mbrojtjes së BE-së, të cilat duhet të synojnë forcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes.
Meloni, e cila mbështet marrëveshjen propozim të BE-së për tarifa zero për mallrat industriale me SHBA-në, theksoi forcën e marrëdhënieve bilaterale mes Italisë dhe SHBA-së, veçanërisht duke qenë se SHBA është partneri më i madh tregtar i Italisë jashtë BE-së. Sipas Marchettit, pozicioni i Melonit ndaj SHBA-së pasqyron edhe ekuilibrin e brendshëm të forcave brenda koalicionit qeverisës në Itali. Ajo duket se po përpiqet të ndërtojë një urë mes qëndrimit nacionalist të zëvendëskryeministrit Matteo Salvini dhe qasjes më pro-evropiane të zëvendëskryeministrit tjetër, Antonio Tajani.
Lexo edhe: Produkte luksoze për 5 dollarë? Kina trondit tregun amerikan përmes TikTok-ut
Deputeti i “Vëllezërve të Italisë” dhe Sekretari i Përgjithshëm i ECR, Antonio Giordano, u shpreh për Euronews:
“Një lider i vërtetë nuk është ai që improvizon, por ai që dëgjon të gjithë partnerët dhe përdor çdo mjet të mundshëm për të nxitur shkëmbimin e mendimeve dhe për të përfituar nga çdo kontribut.”
“Interesat italiane dhe ato evropiane në përgjithësi përputhen”, shton Giordano, “edhe pse Evropa është më komplekse, ajo i beson Giorgia Melonit.”
Burimi: Euronews.com/ Përshtati: Businessmag.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto