Bukinist.al, tashmë edhe me librari fizike - Business Magazine Albania

Bukinist.al, tashmë edhe me librari fizike

Librari

Me rastin e 8-vjetorit të krijimit të tij, platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist krijon në zonën më dinamike të Tiranës edhe një hapësirë të madhe në shërbim të bashkësisë së lexuesve dhe të autorëve

Si sot, 8 vite më parë, më 22 korrik 2016, u lançua platforma e librit Bukinist.al, me misionin e qartë të themeluesve të tij për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë lexuesve brenda dhe jashtë vendit për të patur mundësinë që të blejnë online botimet në gjuhën shqipe. Ky rrugëtim nisi për të përmbushur shumë prej nevojave që kishte tregu i librit shqip në atë kohë. Në një periudhe të shkurtër, ekipi i tij ofroi një mënyrë inovative të menaxhimit dhe marketingut të librit shqip, duke krijuar një vlerë në këtë treg dhe në menaxhimin kulturor në përgjithësi. Falë një stafi të përgatitur, me pasionin për librin, Bukinist u kthye platforma online më e mirë në shqip, si dhe destinacioni kryesor për informimin rreth botimeve në gjuhën tonë.

Sot, pas 8 vitesh, Bukinist.al është një nga dy operatorët më të mëdhenj të librit në Shqipëri, me një bashkësi prej rreth 85 mijë lexuesish që e kanë ndjekur kudo, me një portofol prej 17 mijë titujsh, shumica e të cilave në gjuhën shqipe, me dy panaire të mëdha: “BookFest” dhe “Ditët e librit” që zhvillohen në partneritet me dy prej qendrave më të mëdha tregtare në vend. Që prej janarit të vitit 2024, çdo lexues mund të porosisë edhe librin në gjuhën angleze.

8 vjet janë shumë në jetën e një individi apo sipërmarrje, por janë modestisht pak krahasuar me nevojat e kulturës së një vendi dhe me kërkesat që kanë bashkësitë e lexuesve për të gjetur ato botime që përmbushin siç duhet kërkesat për ushqimin mendor dhe shpirtëror të përditshëm dhe për të përftuar njohuri që i përafrojnë apo përshtasin më mirë me kohën tonë. Pikërisht, për këtë arsye, si dhe për të zgjeruar të gjithë grup-moshat e lexuesve tanë, ne kemi parë prej kohësh nevojën që të kemi edhe një hapësirë fizike për ekspozimin e librit dhe kontaktin fizik me lexuesit.

Tashmë, në këtë 8-vjetor, Bukinist.al ka edhe një librari fizike rreth 500 m2 në zonën më të gjallë të kryqytetit, në ish-Bllok, e cila do të jetë e gjitha në shërbimin e bashkësisë së lexuesve dhe të autorëve shqiptarë. Ne kemi menduar që të ketë këndin e takimeve të autorëve shqiptarë me lexuesit e vegjël; një zonë për promovimin e autorëve të rinj, një kënd për klubet e leximit apo kurset e tjera të shkrimit krijues: Mbi të gjitha, kjo do të jetë edhe një mundësi për botuesit tanë që të promovojnë titujt e tyre. Ky mesazh shërben njëherësh edhe si një ftesë e hapur për autorët e rinj që tashmë kanë edhe një shtëpi të re librore që mendon për krijimet e tyre….

Ashtu si platforma online, edhe libraria Bukinist.al do ta mbajë të fortë identitetin e formësuar prej 8 vitesh; duke e informuar vazhdimisht lexuesin për titujt që hidhen në qarkullim, duke ndjekur politikën e ofertave, duke mbajtur afër lexuesin Mik i Bukinist, dhe duke rritur fuqinë rekomanduese.

Në këto vite, ne kemi mësuar nga sfidat që na kanë dalë përpara, sidomos gjatë periudhës së pandemisë, teksa lexuesit na kanë mirëkuptuar edhe për problematikat tona gjatë dhënies së shërbimit, por edhe për hallet e mëdha që ka tregu i librit shqip në përgjithësi. Me hapjen e kësaj librarie do të përmirësojmë shërbimet tona edhe për lexuesit tanë besnikë që duan shërbimet tona online, duke përshpejtuar kohën e shpërndarjes së librit,  duke zgjeruar kategoritë e librave, sidomos botimet për fëmijë, librin në gjuhë të huaj, tekstet profesionale dhe akademike dhe shumë kategori të tjera të cilat kishin vështirësitë e tyre në kushtet e tregtimit online.

Lexo edhe: 10 librat më të shitur të janarit 2024 sipas Bukinist

 

Në mjediset e librarisë Bukinist janë të mirëpritur të gjithë krijuesit, ata që e duan librin, ata që besojnë në fuqinë transformuese të librit,  prandaj ne synojmë që të bashkëndërtojmë një ekosistem dinamik me pjesëmarrjen e ekspertëve, menaxherët dhe drejtuesit e biznesit, njerëzit që bëjnë politika kulturore, mësuesit, pedagogët dhe ekspertët e komunikimit dhe shumë e shumë të tjerë që kanë librin si pjesë të rrugëtimit të tyre.

Libraria “Bukinist” do të jetë një hapësirë promovuese edhe për bibliofilët, bibliografët, koleksionistët e pullave dhe hartave si dhe të gjithë nxënësit dhe ekspertët që duan të kuptojnë dhe mësojnë më mirë historinë e zhvillimit të librit, fuqinë transformuese të tij edhe në ditët tona si dhe ndikimet e leximit në jetën tonë. Ngjashmërisht, si në guvën e Platonit, hapësirat e manastireve dhe universiteteve, edhe libraritë moderne kthehen në vende ku përndizet imagjinata, përftohen njohuri, përtërihet bota e ideve dhe gjallërohet agora kulturore dhe prej andej marrin jetë ide dhe nisma që transformojnë shoqërinë.

Së fundi edhe diçka tjetër që do të kuriozojë shumëkënd: Libraria “Bukinist” gjendet brenda dy tuneleve që janë ndërtuar gjatë kohës së komunizmit për të mbrojtur vilën e diktatorit Hoxha. Krejt ndryshe nga dje, sot, duke u shndërruar në librari, besoj se kjo hapësirë përmes librit dhe me lexuesit, do të ketë fuqinë dhe magjinë e çlirimit të mendjes dhe rritjes së dimensionit të lirisë për të gjithë ata që e bëjnë leximin si pjesë të përditshme të jetës së tyre, dhe përmes tij, të ketë aftësi për tu përshtatur me botën dhe për ta kuptuar më mirë atë.

Në kohëra të vështira, investimi për librin është vendimi i duhur që shkon përtej qëllimit për fitim. Këtë sfidë kanë marrë në sy aksionerët e Bukinist.al edhe 8 vite më parë, por edhe sot duke krijuar këtë qendër në shërbim të kulturës.

Dyert e librarisë fizike të “Bukinist.al” janë të hapura që tani, në pritjen e miqve tanë lexues.

leximtari.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0