Nga Gjergji Kajana, kontributor
Një marrëdhënie historikisht e ngushtë lidh Italinë me Shqipërinë, vende të karakterizuara nga shkallë të ndryshme të zhvillimit ekonomik por protagoniste ndërveprimesh dypalëshe të përhershme. Me rënien e Perdes së Hekurt komuniste në vendin ballkanik para tre dekadash Roma u rikthye të kishte aty një rol duke vepruar në 8 vjet me tre misione ushtarake e humanitare (Pelikan, Alba, Ylberi) për të lehtësuar pasojat e pasigurisë ushqimore, problemeve të rendit publik e krizës së refugjatëve kosovarë – të gjitha vështirësi të shkaktuara prej një kalimi plot drama në demokracinë pluraliste e vendndodhjes gjeografike në një rajon tronditur prej luftërave jugosllave.
Në agimin e mijëvjeçarit të ri ndërveprimet nisën të përqendroheshin tek mbështetja e Romës ndaj perspektivave të aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe rritjes së pranisë ekonomike italiane në Vendin e Shqiponjave, në sfondin e shkëmbimesh tregtare që tejkalojnë shifrën e një miliardë eurove. Vitin e shkuar eksportet italiane në vendin fqinj kanë arritur shifrën 1 miliardë e 739 milionë euro, numër që shkallë krahasimore në rajonin e vendeve të Ballkanit Perëndimor ende jashtë BE-së tejkalohej vetëm prej Serbisë (2 miliardë e 221 milionë euro), e cila përbën një treg me madhësi që e tejkalon mbi dy herë Shqipërinë. Urë lidhëse të frytshme mes dy brigjeve të Adriatikut përbën edhe diaspora e madhe shqiptare në Itali, në të cilën 36.342 sipërmarrje kanë një titullar nga vendi ballkanik.
Gazetari Gjergji Kajana ka folur mbi temën e këtyre urave lidhëse mes dy vendeve fqinje me presidentin e shoqatës kulturore Esperienza Italia Andrea Torracca, i cili para kësaj detyre ka mbuluar rolin e përgjegjësit të bashkërendimit me botën e jashtme mbi ndërkombëtarizimin e sipërmarrjeve të Confesercenti, konfederata ekonomike italiane në sektorët tregti, turizëm e shërbime, artizanat e industri e vogël. Esperienza Italia ka lindur në perëndimin e periudhës pandemike me objektiv mbështetjen e firmave italiane në shfrytëzimin e mundësive të reja për shtrirje veprimtarish dhe ka seli në gjithë Italinë e jashtë saj (Tiranë, Kazakistan, Republika Çeke).
Cila gamë veprimtarish përbën sferën kryesore të veprimit për Esperienza Italia?
Mendoj se veprimtaria e Esperienza Italia duhet lexuar në kuadrin e një vizioni: shoqata që kam nderin të drejtoj lind me qëllim ndihmese ndaj sipërmarrjeve e institucioneve në këtë çast kompleks historiko-ekonomik. Ky çast kompleks nënvizon rëndësinë e politikës së jashtme, mbështetur në mënyrë praktike e faktuale me selitë tona jashtë.
Cilat janë modalitetet operative që hasni në ndërveprimet me Evropën Lindore?
Nuk është e thjeshtë të flasësh për Evropën Lindore, duke patur parasysh faktin se kemi të bëjmë me një zonë parësore si në tema popullsie si në ato të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nëse para pandemisë mund të mendonim se e ardhmja ekonomike në kontinentin tonë mund të përkonte me emrin e nismës kineze “Një brez, një rrugë”, jam i mendimit se sot ky projekt përbën një koncept të tejkaluar dhe interesi i Kinës përqendrohet në korridorin aziatik, çështjen e pavarësisë së Tajvanit dhe atë të së ardhmes së Rusisë. Ndryshe paraqitet vizioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që po ushtrojnë përsëri një ndikim të fuqishëm në Evropë. Guxoj të pohoj se sot koncepti i Lindjes për Evropën duhet përkthyer në termin Ballkan. Në këtë kontekst të ri ky gadishull mund të ushtrojë një rol themelor në realitetet e reja gjeopolitike botërore si përsa i përket furnizimeve ushqimore (duke patur parasysh se flasim për një rrip toke të pasur nga ana hidrike e me një klimë të butë) si në terma industrialë përmes konkurrueshmërisë së rrogave e popullsisë së re.
Nuk duhet harruar fakti se Ballkani e ndjen veten plotësisht evropian dhe po angazhohet në zbatime projektesh rajonale komplekse, siç është për shembull nisma Ballkani i Hapur, e cila përmes shkëmbimit të lirë të mallrave mes vendeve që aderojnë (Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut) rrit konkurrueshmërinë e vendos shtyllat e një rrugëtimi të përbashkët me Bashkimin Evropian dhe ato të lidhjeve ekonomike, ligjore e monetare mbi të cilat bazohet Evropa.
Lexo: Dita ndërkombëtare e refugjatëve, çfarë po kërkon më tepër Europa?
Si paraqitet klima ekonomike që hasni në Shqipëri?
10 vitet e fundit Shqipëria ka pësuar një ndryshim rishtar të pamohueshëm. Tirana përbën faktikisht një kryeqytet evropian pa tipare mangut ndaj të tjerave. Vendi po përjeton një rritje vjetore prej 30% në sektorin e pranive turistike dhe ka ende plot sektorë të nënvlerësuar si bujqësia e blegtoria, që mund të jenë vlera të fuqishme të shtuara në vitet në vijim.
Në këndvështrimin tim perspektivat e zhvillimit në bujqësi kërkojnë vëmendje të detyruar në kuadrin e atij të vendit. Italia paraqitet si një mundësi tregu eksporti për vendin ballkanik duke qenë se ka nevoja furnizimi me perime, fruta, kafshë e shpendë që rriten.
Shqipëria mund të jetë një partner i përkryer edhe për Zonën e re Ekonomike Speciale Jonike, e cila mund të bashkojë në një nyje bujqësore rajonet italiane të Puljas e Bazilikatës duke vepruar si rrjet ndërlidhës për gjithë tregun evropian.
Nëse nuk kryen gabime të Italisë (e cila është rritur me shpejtësi të ndryshme mes Veriut më të përparuar e Jugut më të prapambetur, ndërsa në Shqipëri ky raport paraqitet invers) dhe ka fuqinë të ndalë emigrimin jashtë vendit të të rinjve të talentuar e të diplomuar, Shqipëria mund të kthehet në një derë të Ballkanit e vend që realizon diferencën në gadishull. Natyrisht prej ekzekutivit kërkohet një rritje e investimeve në infrastrukturë, hap themelor për çdo lloj zhvillimi si në nivel industrial si përsa i përket shërbimeve turistike. Është në fazë punimesh kantieri për aeroportin e Vlorës, i cili do të përgjysmojë kohët e mbërritjes në Jug. Vendi ka si pikë kryesore atraksioni turizmin, megjithëse paraqiten në rritje agriturizmi e fabrikat tekstile. Nuk e shoh të pamundur realizimin e idesë së qeverisë për të fuqizuar turizmin duke ndërtuar një tjetër aeroport jugor në Sarandë, veprimtaria e të cilit do të hapte konkurrencë me Greqinë fqinje.
Cilat mund të jenë potencialitetet e reja për t’u shfrytëzuar në marrëdhënien ekonomike mes Italisë e vendit ballkanik?
Marrëdhëniet dypalëshe duhet të jenë të natyrshme por mbeten absolutisht të nënvlerësuara e pamjaftueshmërisht të eksploruara në potencialin e tyre. Ato duhet të jenë të natyrshme, mbi të gjitha duke konsideruar afërsinë kulturore sjellë nga fakti se popullsia shqiptare vlerëson e respekton Italinë dhe i paraqet prodhimet Made in Italy si markë cilësore e synim standardi për t’u arritur. Mendoj se duhet të zhvillojmë shumë më tepër marrëveshje tregtare në fushën e bujqësisë e atë të blegtorisë, duke konsideruar mungesën vitet e fundit të frutave e perimeve për vendin tonë, i cili përjeton periudha të gjata thatësire dhe duhet të tejkalojë dëmtimet shkaktuar nga përmbytjet në rajonin e Emilias.
Tirana mund të jetë partner strategjik në sektorin e mishit të përpunuar nëse fotografojmë faktin se sot mishra për përpunim vijnë të konservuar në ngrirje nga Brazili.
Një rrugëtim kulturor i përbashkët duhet t’i bashkangjitet shkëmbimeve kulturore mes vendeve tona. Fatkeqësisht sot në Shqipëri gjithnjë e më pak persona flasin italisht dhe mbetet një nevojë ngritja e shkollave italiane të formimit professional që kryejnë kurse specifike në sektorë si veprimtari restorantesh e hoteleri.
Nga gjithë këto ndërshkëmbime potenciale të dyja palët tona mund të gëzojnë fryte pune të përbashkëta.
(Versioni origjinal i intervistës është botuar italisht në median online italiane Lanterna.)
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.