Më 15 dhjetor 2022, u zhvillua në Tiranë, Konferenca mbi Vlerën e Pronës në Kryeqytet, organizuar nga Oz Marketing dhe mbështetur nga Bashkia Tiranë.
Ky event u ndoq nga 210 pjesëmarrës, profesionistë nga fusha e industrisë imobiliare, ndërtimit dhe projektimit.
Panelet e konferencës u përbënë nga përfaqësi të grupeve kryesore të interesit, si drejtues të Industrisë Imobiliare në Tiranë, përfaqësuar nga z. Jonian Antoni dhe z.Dritan Leka, përkatësisht CEO i Century 21 Albania dhe CEO i CPM International.
Përfaqësues të Industrisë së Ndërtimit në Tiranë, si zj. Rudina Murati, Commercial Director – Orion Construction; zj. Ermira Brozi, Director of Sales & Marketing pranë EdilAL, z. Dritan Nako, Legal CSR & External Relations Manager pranë Titan Antea Cement, si dhe z. George Batsakis General Manager i Alumil Albania.
Një panel tjetër diskutimi u përbë nga specialistë të fushës si Inxhinierë dhe Arkitektë me zë që e njohin Tiranën dhe zhvillimin e saj urban të cilët fokusuan diskutimin e tyre mbi zhvillimin e qytetit dhe perspektivat sociale. Ky panel u moderua nga Matilda Pando, Drejtoreshë e Shoqatës Shqiptare të Arkitektëve.
Paneli i parë nga Industria Imobiliare, u fokusua në ndikimet që ka pasur rritja e vlerës së pronës në dinamikën e blerjes dhe shitjeve të pasurive të paluajtshme.
Përcaktueshmërisht, është rritur kërkesa për komplekset për ndërtesat e reja dhe zonat në dhe pranë qendrës. Ka një prirje të bizneseve për të lëvizur në godina komerciale të krijuara me facilitete të posaçme për bizneset e madhësive të ndryshme.
Taksat e ulëta janë një faktor favorizues për pronësinë e pasurive të paluajtshme duke i dhënë një përfitim edhe më të lartë zotëruesit të saj ardhur nga rritja e vlerës së pronës.
Kryeqyteti i Tiranës, ofron aksesueshmëri unike në shërbime, dhe në dinamikën e përditshme të jetës, gjë kjo që ka sjellë një densitet gjithmonë e më në rritje të banorëve. Ky densitet dhe diversifikim i zonave brenda unazës së madhe i ka dhënë qytetit gjallëri në çdo orë të ditës duke sjellë dhe rritje të kërkesës për blerje dhe investim në imobiliare. Duke sjellë gjithashtu dhe rritjen e interesit të turistëve të huaj. Gjatë vitit 2022 Tirana ishte lokacioni me numrin më të lartë të vizitorëve të huaj në Shqipëri.
Përgjatë këtij viti ka pasur dhe rritje të interesit të të huajve për të investuar në Real Estate. Kryesisht nga Italia, SHBA, Çekia, Norvegjia, Polonia, etj.
Pyetjes se si kanë ndikuar ndërtesat e larta në rritjen e vlerës së pronës profesionistët e Century 21 Albania, iu përgjigjën duke u fokusuar në interesin gjithmonë e më në rritje për hapësira në këto ndërtesa. Duke qenë se Tirana ende përbëhet në përqindjen më të madhe nga ndërtime të para viteve 2000, standardi dhe cilësia që sjellin ndërtesat e reja dhe ndërtesat e larta, është maksimalisht i kërkuar.
Lexo: Tregu imobiliar në Shqipëri ka nevojë të standardizohet. Flet Gjin Gjoka, Billion G&G Group
Dritan Leka ndau me audiencën 4 tipologjitë kryesore të blerësve të ndërtesave të larta, të cilët janë:
- Kompanitë lokale të cilat janë zhvilluar dhe shtojnë ose përmirësojnë kapacitetet e tyre me zyra moderne, kjo kategori është rreth 20% e ndërtimit.
- Hotelet, kryesisht marka ndërkombëtare të cilat sot zënë rreth 20% të kullave në ndërtim.
- Diaspora shqiptare e cila përbën 15% të blerjeve në pallatet e reja.
- Përfaqesitë e kompanive të huaja të cilat duke parë afrimin e Tiranës me BE, vijnë për të zhvilluar biznesin e tyre në një treg që po shkon gjithnjë e më shume drejt atij perëndimor, por duke përfituar nga benefitet e të qënit akoma i lirë. Kjo kategori përbën 15%.
- Investitorët vendas të cilët blejnë për të dhënë me qira me qëllim investimi duke përfituar edhe nga interesat e ulëta bankare në vitet e fundit.
Pyetjes se çfarë parashikimi kanë profesionistët e Real Estate për kurbën e çmimeve në 2023, z. Jonian Antoni u përgjigj se pritet një stanjacion. Gjithashtu pritet të ketë një rritje të normave të interesit duke sjellë ndoshta uljen e fuqisë blerëse. Kjo është diçka që do kërkojë dhe politika të posaçme nga pushteti vendor.
Viti 2021-2022 ka shënuar zhvillime domethënëse në real estate, krijimi i NAREA, ndryshimet ligjore dhe hapja e negociatave ka sjellë më shumë siguri për investitorët apo blerësit e huaj, tha gjatë fjalës së tij Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA – Shoqatës Shqiptare Kombëtare të Industrisë Imobiliare.
Konferenca vazhdoi në panelin e dytë të diskutimit me përfaqësuesit e industrisë së ndërtimit duke u fokusuar në përmirësimin e cilësisë së ndërtimit në vitet e fundit, si dhe në respektimin e çdo kriteri duke sjellë si inovacion në këtë industri edhe ndërtimin me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm.
EdilAl, përfaqësuar nga Ermira Brozi foli mbi faktorët që po e ndikojnë ndërtimin në Tiranë dhe pse. Ajo tregoi se trendi vazhdon të jetë për ndërtime cilësore brenda unazës së Tiranës dhe tashmë firmat e ndërtimit janë 100% të dedikuar në ofrimin e ndërtesave me fasada të ventiluara, ambiente të përbashkëta, hapësira të gjelbërta dhe të bollshme. Një kërkesë në rritje është hasur dhe për parqet industriale të bizneseve.
Orion Construction përfaqësuar nga zj. Rudina Murati u fokusua tek ndërtimi me bazë performancën energjitike si dhe tek klienti i viteve 2020, që është shumë më i edukuar dhe kërkues se më parë. Klientët tashmë janë të vetëdijshëm për të gjitha kushtet e nevojshme që një kompleks rezidencial duhet të ofrojë për të qenë në cilësinë e duhur të jetesës. Duke konsideruar jo vetëm cilësinë e ndërtimit, por edhe tipologjinë e pronës, facilitetet që ofron dhe gjithashtu mos-kompromisin me mungesën e hapësirave të përbashkëta. Firmat e ndërtimit janë tashmë të përballur me një treg dhe kërkesë më cilësore dhe do duhet të jenë në një hap me këtë.
Titan përfaqësuar nga z. Dritan Nako, trajtoi politikat e kompanisë për një zhvillim të qëndrueshëm, për struktura të qëndrueshme dhe për politikat e tyre të përgjegjësisë sociale. Çdo ndikim që veprimi i kompanive të ndërtimit ka në mjedis, do duhet të kompensohet me veprime dhe projekte që kanë në fokus kujdesin ndaj mjedisit, shëndetit dhe inovacionit. Duhet të ndërtojmë duke qëndruar në harmoni me mjedisin dhe duke përdorur inovacion për të ndërtuar impiante që ulin vazhdimisht dëmin. Një nga politikat për mbrojtjen e mjedisit që Titan aplikon në gjithë vendet ku operon, është duke mbjellë hektarë pemësh dhe duke krijuar kontribute komunitare në zonat ku operojnë.
George Batsakis nga Alumil u fokusua në fjalën e tij tek objektivat e qëndrueshmërisë. Se sa e rëndësishme është e ardhmja e bazuar në strukturat e qëndrueshme, të cilat janë të domosdoshme jo vetëm për shëndetin, mirëqenien dhe mbrojtjen e planetit, por edhe tek një aspekt i rëndësishëm, që është ai ekonomik. “Kur dikush nuk e kupton rëndësinë e përdorimit të materialeve të qëndrueshme, mund ta bësh t’a kuptojë duke i thënë që nëse përdoren materialet e duhura ti do kursesh €600 nga fatura e energjisë.”
Paneli i fundit, i moderuar nga Matilda Pando, u përbë nga disa prej arkitektëve më në zë të Tiranës. Saimir Kristo, Zv. Dekan Fakulteti i Shkencave të Aplikuara dhe Industrive Kreative në Universitetin BARLETI; Indrit Hamiti, Zv. Kryetar i SHASH; Anisa Mançe, Drejtoreshë, Drejtoria e Planifikimit të Territorit; si dhe Dr. Jonila Prifti, Drejtuese e Departamentit të Urbanistikës në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, UPT. Ky panel diskutoi mbi orientimin që qyteti po merr duke u zhvilluar vertikalisht dhe çfarë të mirash sjell kjo për një qytet me densitet të lartë brenda unazës së madhe. Tirana e ka të nevojshëm zhvillimin vertikal si mënyra më e mirë për të ofruar akseset, infrastukturën dhe lehtësitë e përmbledhura brenda unazës së madhe ku është dhe densiteti më i lartë dhe në rritje i popullsisë së Tiranës.
Diskutimi u përmbyll nga z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës i cili iu bashkua panelit duke bërë një përmbledhje të historisë së shpalljes së Tiranës Kryeqytet dhe se si plani urban i Tiranës është i fokusuar për të ndërtuar qytetin pranë zonave ekzistuese me një zhvillim që i përgjigjet densitetit dhe kërkesës. Bashkia Tiranë përmban tashmë 1,000,000 banorë dhe çdo vit shtohen banorë të rinj.
Lexo: Ku po shkon ndërtimi?!
Kryetari i Bashkisë u ndal në perceptimin e gabuar të konceptit të kullave duke thënë se ekzistojnë vetëm 10 të tilla dhe nuk mund të konsiderohen të tillë çdo pallat 12 katësh.
Për t’u nënvizuar është fakti që statusi i qytetarit të Tiranës në vitet e fundit është përmirësuar dukshëm në të gjithë Evropën e më gjerë duke e kthyer Tiranën në një brand të konsoliduar. Tirana Europe’s Youth Capital gjatë 2022 ka sjellë për qytetarët e saj ngjarje, aktivitete dhe artistë ndërkombëtarë duke na bërë të lakmueshëm për sytë e qytetarëve të rajonit dhe duke rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e vizitorëve të huaj nga rajoni dhe jo vetëm.
Konferenca u ndoq nga 210 pjesëmarrës dhe u pasqyrua nga të gjitha mediat kryesore.
Të gjithë panelistët u shprehën të interesuar për të vazhduar temën në vazhdimësi në aktivitete të ngjashme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.