Zv. kryeministrja dhe ministrja e Energjitikës Belinda Balluku në një konferencë për shtyp ka bërë me dije disa detaje të reja në lidhje me sektorin energjitik.
Kriza, e cila ka mbërthyer të gjithë Europën dhe rrjedhimisht vendin tonë kërkon masa urgjente sipas Ballukut. Kështu një nga hapat e marra nga ekzekutivi është përshpejtimi i ankandit për kompanitë që do të ndërtojnë parqe eolike.
“Këto do jenë parqet e para në Shqipëri. Shuma totale e prodhimit do te jetë 150 megavat orë. Do të kërkojmë nga kompanitë që të përfundojnë sa më shpejt punën. Nuk e dinim që do të kishte një krizë energjie kur ne e kemi nisur punën për parqet.
Në fazën e parë, ku morën pjesë 17 kompani kryesisht ndërkombëtare, ne kemi arritur në një numër prej 6 kompanish që do të vlerësojmë kushtet financiare që do të bëhet live. Pra nga faza e parë për kushtet teknike janë fitues 6 kompani të huaja e një konsorcium shqiptar. Janë kompani Franceze, gjermane, turke, turke dhe shqiptare. Kemi vendosur një tavan, që do të jetë 75 euro për megavat orë.”– tha Balluku.
Lexo edhe: Projekti: Qeveria do të subvencionojë 70% të kostove për panelet diellore
Më tej ministrja bëri me dije se do të mbështeten familjet që do të instalojnë panele diellore për prodhim energjie. Ajo theksoi se nga 1 nëntori hapen aplikimet për panelet diellore që duan ta përdorin për vetëkonsum
“Do të mbështesim familjet për të prodhuar energji me panele diellore, do të lehtësojmë procedurat për të gjitha bizneset që do të aplikojnë për të prodhuar energji nga foto-voltaikët.
Gara për ofruesit e impianteve diellore do të hapet më 1 tetor, ndërsa qytetarët do të mund të aplikojnë duke nisur nga data 1 nëntor sipas parimit “i pari që aplikon, shërbehet i pari”. Do ketë një aplikacion elektronik transparent ku qytetari do shikojë se i sati është në aplikim. Aplikimet e para janë 2000, por këtë numër e kemi vënë për efekt të numërimit.” – u shpreh më tej Balluku.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.