Konfindustria shpreh shqetësimin për gjendjen jo të mirë të marrëdhënieve ekonomike dhe të biznesit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Shkalla e bashkëpunimit në fushën ekonomike ndërmjet dy shteteve shqiptare jo vetëm nuk po shënon fuqizim të prekshëm, por janë në nivelin më të ulët të viteve të fundit. Tashmë, përfaqësuesit e ekzekutivit dhe politikës të Shqipërisë dhe Kosovës e kanë vështirësuar dhe rralluar mjaft edhe uljen formale në tryeza të përbashkëta për të trajtuar problematikat ekonomike dhe biznesit mbarëshqiptar.
Konfindustria vlerëson, se pritshmëritë e larta me rastin e krijimit të qeverisë së re të Kosovës për fuqizim të marrëdhënieve ekonomike me synim ndërtimin e Tregut Kombëtar si pjesë natyrale e integrimit të përbashkët në BE, nuk u përligjën. Për më shumë, shkarkimet e përplasjeve politike ndërshqiptare u shfaqën dukshëm në lënien qartësisht mënjanë të krijimit të Tregut Kombëtar për ta zëvendësuar me projektin e Tregut Rajonal. Ndërkohë, është plotësisht e qartë, që krijimi i Tregut Mbarëshqiptar, si qëllim strategjik kombëtar, është i mundur dhe duhet të vazhdonte njëkohësisht dhe pavarësisht lindjes dhe ecurisë së projekteve politike rajonale.
Lexoni: Shqipëri-Kosovë, gratë sipërmarrëse angazhohen për të zhvilluar tregun e përbashkët
Konfindustria vlerëson, se një numër projektesh strategjikë Shqipëri-Kosovë, për të cilët është punuar vite me radhë po vonohen dukshëm. Projekte si ai i krijimit të Tregut të Përbashkët Energjitik nuk ka përparuar. Asnjë investim i përbashkët në energji jo vetëm nuk është jetësuar, por as nuk është parashikuar edhe në të ardhmen e afërt. Projekti strategjik i Bursës Kombëtare të Energjisë, plotësisht i mundur pas anëtarsimit të KOSTT-Rrjetit Transmetues të Kosovës në ENTSO dhe hapjes së linjës 400kv Shqipëri-Kosovë, ka mbetur vetëm në krijimin formal në letër pa asnje aktivitet të deritashëm. Nuk ka asnjë ide të qartë për furnizmin e Kosovës nga Shqipëria me gazin e TAP/Trans Adriatic Pipeline.
Në fushën e politikave tregtare vazhdojnë problematikat ligjore, që në cdo rast mund të shndërrohen edhe në përballje me pamjen e një lufte tregtare të pastër, sikurse në jo pak raste ka ndodhur si p.sh masat mbrojtëse ndaj prodhimeve bujqësore dhe industriale të secilit shtet si çimento, birra, qumështi, materialet e ndërtimit, etj. Pengesat jo tarifore në kufi, gjithashtu rrisin kostot dhe pengojnë zhvillimin e bashkpunimit tregtar. Në fushën e infrastrukturës rrugore pavarësisht zotimeve të politikës nuk ka asnjë projekt të përbashkët të investimeve. Vendosja e njëanshme e taksës në Rrugën e Kombit është shembull i qartë për sa më sipër.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto