Sipërmarrjet e fokusuara në fushën e inovacionit, përfituese të disa programeve mbështetëse ishin në qendër të takimit të zhvilluar nga Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj dhe Ministri për Shtetin dhe Sipërmarrjen, Eduard Shalsi. Gjatë këtij bashkëbisedimi u theksua nevoja e zhvillimit të sipërmarrjeve inovative si një mundësi për të t’iu kundërpërgjigjur pandemisë.
Kryeministri Edi Rama prezantoi masat e marra nga qeveria në fushën e teknologjisë, duke theksuar lehtësitë fiskale dhe së fundi edhe miratimin e ligjit për monedhën digjitale. Sipas tij, Shqipëria është vendi i parë në botë që ka kaluar në parlament një legjislacion të plotë për të rregulluar aktivitetin e kësaj monedhe.
“Për shkak të pozicionit ku jemi na jepet të bëjmë kapërcime të mëdha në këtë fushë. Kjo fushë u jep mundësi atyre që janë më mbrapa të bëjnë kapërcime, ku në kohë tjetër do të ishin të pamundura. Duke kaluar nga një makinë shkrimi normale, në një makinë shkrimi më të përparuar, sot me kapacitetet e teknologjisë bën kapërcime epokale. E bëra këtë parantezë për të thënë që për të shfrytëzuar shansin e kohës, jemi i pari vend që kemi kaluar në Parlament një legjislacion të plotë për të rregulluar të gjithë aktivitetin e monedhës digjitale. Kjo nuk lidhet drejtpërdrejt me pagesat digjitale. E thashë këtë pvr të treguar që jemi shumë të vëmendshëm në këtë drejtim dhe kemi shkuar lart në këtë legjislacion, e para me interes mes shteteve të tjera.”
Lexo: Si të mbështesni dhe fuqizoni sipërmarrësit e rinj
Kryeministri tha gjithashtu se Bashkimi Europian ofron momentalisht shumë fonde dhe se Shqipëria me organizim dhe eficencë mund të arrijë të thithë shumë prej tyre. “Në këtë mënyrë, sipërmarrësit duhet të fokusohen dhe të përfitojnë në interes të tyre”, tha Rama.
Si shembull solli projektet në fushën e bujqësisë. “Përpara disa vitesh kemi qenë vendi i fundit në rajon për kapacitetin përthithësh të fondeve të BE për fondet e bujqësisë. Sot jemi të parët. Pse? Nuk kemi bërë asnjë çudi, thjesht kemi mësuar, kuptuar, përmes AZHBR-së si mjet kanalizues për t’u ardhur në ndihmë sipërmarrësve në bujqësi dhe faktikisht për të qenë përfituesit e parë. Edhe në këtë fushë duhet të shkojmë në këtë drejtim. Ju jeni ata të cilët mbase mund të bëheni pionierë të çarjes së kësaj rruge duke dhënë shembuj për të tjerët. Duke qenë subjekte që i jeni drejtuar forcës së ideve, juve e keni këtë kulturë. BE ka miratuar një program, plan shumë ambicioz investimesh për Ballkanin Perëndimor. Një plan me një shifër 20 miliardë euro, në tre shtylla, infrastrukturën, ndërlidhjen, rrugët, portet, me të gjitha ato akse që janë të rëndësishëm jo vetëm për një vend por edhe ata rreth e rrotull. Së dyti energjinë dhe se treti digjitalizimin. Tek kjo e fundit bëhet fjalë për të bërë atë gjë që thash më parë, të mësojmë, organizojmë dhe të veprojmë më shumë për interesat tona. Kjo është shumë e rëndësishme në sensin e përfshirjes së drejtpërdrejt. Një bashkëpunim që duhet forcuar me institucionet.”
Ministri Shalsi pasqyroi lehtësitë e qeverisë për biznesin online dhe risitë që vijnë me ligjin e startup-eve. “Nëse më parë nuk kishim kuadër ligjor që rregullonte fushën e startup-eve, sot e kemi. Startup-et mund të regjistrohen shumë lehtë tani e tutje. Startup Albania është kompozuar në mënyrë të tillë, që drejtohet më së shumti nga vetë sipërmarrja”.
Sipas ministrit Shalsi, “ligji parashtron shumë lehtësi në taksa. Edhe taksat e tabelës kemi menduar se nuk duhet që të aplikohen. Duam të ndjekim modelin e Izraelit dhe të Lituanisë. Kemi siguruar garanci mbi riskun”.
Në këtë takim, ku merrin pjesë dhjetëra sipërmarrje, ishte edhe BusinessMagAlbania dhe sipërmarrje të tjera në fushën shërbimit IT. Janë sipërmarrje për të cilat ne kemi shkruar, përfshirë këtu, Gral Albania, ICTS Lab, Kallz Qendër Multifunksionale, etj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.