8 idetë kryesore që mësova nga eventi i Brian Tracy dhe Michael Tracy në Milano - Business Magazine Albania

8 idetë kryesore që mësova nga eventi i Brian Tracy dhe Michael Tracy në Milano


Ashtu si lumturia, edhe idetë marrin më shumë kuptim e vlerë kur shprehen e ndahen me të tjerët. Ndaj, dua të ndaj me ty disa nga idetë kryesore që mësova gjatë trajnimit të Brian Tracy-t dhe djalit të tij Michael Tracy këtë fundjavë në Milano.

Brian Tracy është një nga trajnerët e biznesit më të mirë në botë. Gjatë asaj dite të plotë trajnimi, dëgjova shumë ide, strategji biznesi dhe mendime frymëzuese nga eksperienca mbi 40-vjeçare e tij në fushën e zhvillimit personal dhe të biznesit. Gjithashtu, pata kënaqësinë të intervistoja personalisht Michael Tracy-n, e të diskutoja me të idetë kryesore të eventit. Intervistën e plotë mund ta shikoni së shpejti në Business Mag.

Thuhet se, ndonjëherë ajo që kemi nevojë është thjeshtë një ide apo mënyrë e re e të menduarit, për të ndryshuar të gjithë botëkuptimin tonë. Këto ide e mendime më bënë të reflektoj, e shpresoj të jenë me vlerë edhe për ty.

Ja cilat janë 8 idetë kryesore që mësova gjatë trajnimit:

  1. Syno të bëhesh versioni më i mirë i vetes tënde.

Imagjino veten tënde pas 10 vitesh në versionin tënd më të mirë, më të realizuar dhe të suksesshëm. Imagjino sikur ta takoje e të bisedoje me të. Çfarë mendon se do të të këshillonte? Mendon se do të të sugjeronte të bëje të njëjtat gjëra? Apo të veprosh me më shumë guxim për gjërat që dëshiron e të luftosh për ëndrrat e tua?

Ndoshta, për t’iu përgjigjur më mirë këtyre pyetjeve, duhet të shkojmë edhe në të shkuaren tonë kur ne ishim fëmijë. Do ishte bukur sikur të kishim mundësi ta takonim veten tonë kur ishim të vegjël, e ta pyesnim se çfarë mendon ai për personin që jemi bërë. A do gëzohej ai nga takimi me ty?

Kur ne fillojmë të veprojmë me guxim, të ndjekim ëndrrat dhe të mos kemi më frikë nga mendimi i të tjerëve, ne fillojmë të ndjehemi më të lirë e të fortë brenda vetes. Me këtë ndjesi, vendos të bëhesh versioni më i mirë i vetes tënde.

  1. Jeta fillon bëhet më e mirë, vetëm kur ne bëhemi më të mirë.

Ne zhvillohemi vetëm duke mësuar ide të reja dhe duke përjetuar eksperienca të reja. “Asgjë nuk ndodh, nëse asgjë nuk lëviz” thoshte Albert Einstein. Vetëm duke shkëmbyer ide dhe eksperienca me vlerë, ne përmirësojmë mënyrën e të menduarit, inteligjencën tonë emocionale, veprimet dhe rezultatet tona në të gjitha sferat e jetës personale dhe profesionale.

Nëse ne nuk synojmë të përmirësohemi e të ndryshojmë vazhdimisht, me kalimin e kohës do hasim pengesa e vështirësi që do të na detyrojnë të ndryshojmë objektivat tona. Do t’i ulim e zvogëlojmë ato, në nivelin tonë të botëkuptimit dhe aftësive. E me kalimin e kohës, do krijohet një rreth vicioz nga i cili është vështirë të dalim: Duke zvogëluar objektivat, zvogëlojmë edhe intensitetin e dëshirës për t’i arritur ato, e më pas nuk do përpiqemi të kërkojmë më zgjedhje të reja, të ndryshojmë e të përmirësohemi. Liria jonë është në raport të drejtëpërdrejtë me zgjedhjet e mundësitë që ne i ofrojmë vetes.

  1. Nuk mjafton vetëm zhvillimi i inteligjencës (IQ). Duhet të zhvillojmë edhe inteligjencën emocionale për ta kthyer vizionin në realitet.

Nëse do të ishe i sigurtë që do arrije sukses, çfarë do të doje të bëheshe?

Është e habitshme, por thuhet se mbi 80% e limiteve tona, janë limite që ne ia vendosim vetes. Vetëm 20% janë limite për arsye të jashtme. Edhe pse shumica e njerzve e dinë se çfarë duan, kanë vizion të qartë nga ana intelektuale, përsëri nuk e realizojnë. Sepse të realizosh çdo gjë me vlerë, duhet forcë karakteri, vullnet e disiplinë. Intensiteti i dëshirës, përkushtimit, qëndrueshmërisë dhe forca për të qenë optimist edhe pas çdo vështirësie, janë cilësitë kryesore që bëjnë diferencën. Ato i japin jetë ideve dhe i bëjnë realitet.

Të jesh optimist është forcë e brendshme e mendjes. Ajo është sfida kryesore dhe loja individuale më e rëndësishme e jona. Mjeshtëria jonë do të jetë kur të arrijmë të kontrollojmë mendimet dhe emocionet, si gishtat e dorës.

  1. Tre fjalët kryesore për të arritur atë që duam.

Një nga pyetjet që i bëra Michael Tracy-t gjatë intervistës, ishte: Cila është aftësia më e rëndësishme për të arritur sukses në jetë? Dhe përgjigjia e tij ishte: – Qartësia! – Çfarë dëshiron ti të arrish në jetën personale dhe profesionale?

Këto janë tre fjalët kryesore që na ndihmojnë për të arritur performancë të lartë:

  1. Qartësia – Çfarë dëshiron të arrish?
  2. Fokusi – Cilat janë gjërat më të rëndësishme që duhet të bësh në fillim?
  3. Përqendrimi – Disiplina për të punuar deri sa të arrish rezultatet e dëshiruara.

Fillo tani. Bëj një listë me objektiva personale dhe profesionale. Renditi sipas rëndësisë dhe impaktit që kanë për ty. Më pas, krijo një plan veprimesh ditore, javore e mujore, e përqendrohu të punosh vetëm për ato veprime dhe aktivitete që sjellin vlerë e rezultate më të larta.

  1. Si mendojnë njerëzit që arrijnë performancë të lartë.

Ata mendojnë shumicën e kohës rreth: Asaj që ata duan të arrijnë, dhe për mënyrat se si t’i realizojnë ato. Ndryshe nga ata, performuesit e dobët, mendojnë e bëjnë gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me objektivat kryesore, si përshëmbull: flasin për gjërat që i shqetësojnë e ankohen për to, harxhojnë kohën me aktivitete që nuk sjellin vlerë për rritjen e performancës. Ata ndihen të pafuqishëm, sepse harxhojnë energjitë dhe kohën e tyre rreth gjërave ose ngjarjeve që nuk i kanë në dorë për t’i ndryshuar.

Shpesh, ne zgjedhim rrugën me më pak vështirësi e sfida. Por, duhet të kuptojmë se nuk ka progres nëse rrimë vetëm brenda zonës tonë të rehatisë.

  1. Çdo gjë që duam/duhet të bëjmë, meriton ta nisim, edhe pse jemi dobët në hapat e parë.

Tani të gjithë kemi mundësi për të mësuar për çdo gjë që kemi nevojë. Me ndihmën e teknologjisë, ti mund të mësosh çdo gjë që dëshiron, për t’u përmirësuar. Mjafton të kesh përkushtim, disiplinë e vullnet.

Duhet të kuptojmë se nuk e arrijmë dot suksesin duke ndejtur në zonën tonë të rehatisë. Ji mendjehapur të mësosh e provosh eksperienca të reja. Mëso, bëhu i mirë në atë fushë, e më pas mëso edhe të tjerët duke u bërë mentor i tyre në fushën tënde të ekspertizës. Imagjino sikur të kesh 100 mentorë rreth vetes, të fushave që të interesojnë, të flisnin për gjërat që ata dinë më mirë. Të gjithë ne do të mësonim më shpejt e më mirë, nëse do të mësonim së bashku.

  1. Gjej mentorë që mund të të ndihmojnë të arrish atë që dëshiron.

Jeta nuk është një sport individual, por një lojë skuadre. Duhet të krijojmë një skuadër e rrjet njohjesh për të mësuar nga të tjerët, për t’u fuqizuar më shumë, për të shtuar më shumë vlerë e për të rritur mundësitë për të fituar. Vetëm, edhe lojtari më i mirë, (mendo Cristiano Ronaldon ose Lionel Messin) nuk mund të fitojë dot, edhe nëse luajnë kundër skuadrës së lagjies time (dhe skuadrës tënde :).

Mentorët na ndihmojnë të shohim më larg e më qartë. Na orientojnë të fokusohemi në gjërat që kanë më shumë rëndësi, e na ofrojnë perspektiva të reja, falë vizionit dhe eksperiencës së tyre.

  1. Marrëdhënia jonë me të tjerët përcakton lumturinë tonë.

Ato gjëra që janë më të rëndësishme për lumturinë tonë, nuk janë materiale. Asnjë nga ne nuk do të mendojë në ditën e fundit të jetës, se sa të bukur e ka shtëpinë, makinën apo celularin. Lumturia vjen nga marrëdhëniet e mira me njerëzit. Cilësia e marrëdhënies me familjen, me miqtë dhe me kolegët, kanë impakt të drejtpërdrejtë në lumturinë dhe mirëqenien tonë. Harmonia, mbështetja e dashuria reciproke, i japin kuptim jetës, punës dhe përpjekjeve tona. Vetëm ato na japin ndjesinë e plotësimit dhe realizimit.

Përfundimet e mia

Duke krijuar më shumë mundësi për veten, ne bëhemi më të lirë. Ndaj, duhet t’u japim më shumë rëndësi zgjedhjeve që bëjmë çdo ditë. Duhet të kërkojmë sfida edhe më të mëdha e të veprojmë me guxim, sepse jeta fillon të bëhet më e mirë vetëm kur ne bëhemi më të mirë.

Duhet të mësojmë nga më të mirët. Duhet të kemi persona që na mbështesin, mentorë që na ndihmojnë të shohim më qartë, që na orientojnë të fokusohemi në gjërat që kanë vërtetë rëndësi.

Dhe së fundi, kuptova se ashtu si idetë, edhe lumturia jonë personale merr më shumë kuptim kur ne e shprehim dhe e ndajmë me të tjerët. Duhet ta shprehim jo vetëm sepse ajo është ngjitëse, por edhe sepse nuk ka dhuratë që mund të bësh, më të bukur se ajo.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0