62% e shqiptarëve nuk munden të kursejnë - Business Magazine Albania

62% e shqiptarëve nuk munden të kursejnë

Më shumë se gjysma e shqiptarëve nuk arrijnë dot të kursejnë para. Janë këto gjetjet e një vrojtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilit, rreth 62% e familjeve e kanë të pamundur të heqin para mënjanë, për shkak të të ardhurave të pakta që përfitojnë.

Ndërsa pjesa tjetër 38% rezulton se kanë mundësi të kursejnë nga të ardhurat e tyre. Më kursimtarë duket se janë familjet me 3 anëtarë, ndërsa më pak të prirur për të kursyer janë ato me një anëtar.

Por, për çfarë kursejnë më shumë shqiptarët?

Referuar vrojtimit, mbi gjysma e tyre që arrijnë të kursejnë, e bëjnë këtë për të mundësuar sidomos shkollimin e fëmijëve si dhe për kursimet e pleqërisë.

Lexo edhe: Ja cilët janë sektorët e ekonomisë shqiptare që preken direkt nga konflikti Rusi-Ukrainë

Të tjerët kujdesen të shpenzojnë më pak e të kursejnë më shumë deklarojnë se e bëjnë këtë për blerjen e një shtëpie apo makinë, për pushime apo për detyrime të tjera si shlyerja e borxheve.

Burimi kryesor i të ardhurave për pjesën më të madhe të familjeve shqiptare që i përdorin për konsum, por edhe për të kursyer, janë ato nga puna, ndjekur nga dërgesat e emigrantëve që kanë një peshë të konsiderueshme dhe shërbejnë si një ndihmë e madhe për shumë shqiptarë që kanë jashtë të afërmit e tyre.

Shqiptarët, pjesën më të madhe të shpenzimeve të tyre e çojnë për blerjen e ushqimeve, që sipas INSTAT zë rreth 42% të totalit të buxheteve familjare. Në gjetjet e saj, Banka Qendrore vlerëson se një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 35.3 mijë lekë në muaj për ushqime dhe për shërbime, që lidhen me energjinë, ujin, gazin apo pagesat e telefonisë dhe internetit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0