5 këshilla për të qenë një i ftuar i paharrueshëm në një podcast - Business Magazine Albania

5 këshilla për të qenë një i ftuar i paharrueshëm në një podcast

5 këshilla për të qenë një i ftuar i paharrueshëm në një podcast

Podcastet janë bërë gjithnjë e më të njohura gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2013, vetëm 7% e popullsisë në SHBA (mosha 12+) dëgjonte podcaste çdo javë, ndërsa në vitin 2024 kjo shifër ka arritur në 34%. Alice Draper, themeluese e Hustling Writers, ndihmon klientët e saj të sigurojnë mundësi për të qenë të ftuar në podcaste, pasi kërkesa për këtë format është rritur ndjeshëm. “[Pjesëmarrja në podcast] e kapërcen ekonominë e vëmendjes, sepse njerëzit lëvizin shumë shpejt në rrjetet sociale dhe ke maksimumi dy sekonda për t’i tërhequr,” thotë ajo. “Podcastet ndërtojnë besim në një mënyrë që mediat e tjera nuk e bëjnë. Njerëzit qëndrojnë me ty, dëgjojnë historitë dhe ekspertizën tënde.”

Ti tashmë i di bazat: një lidhje e qëndrueshme interneti, mikrofon cilësor, ambient i qetë pa zhurma sfondi… por çfarë të dallon vërtet si një i ftuar i shkëlqyer? Ja 5 këshilla praktike për të shkëlqyer si i ftuar në një podcast:

1. Njih të zotin e podcastit

Shpesh, ndjekësit e tu do të ndjekin edhe podcastin ku je i ftuar, vetëm sepse ti je aty. Por më e rëndësishmja është që po ke mundësinë të prezantohesh për një audiencë krejtësisht të re që ende nuk të njeh – dhe kjo është një arsye e fortë për të përgatitur mirë para çdo episodi. Trajnerja e lidershipit, Kelli Rae Thompson, e cila ka qenë e ftuar në afro 100 podcaste, sugjeron të lexosh përshkrimin e podcastit, të shikosh listën e të ftuarve të mëparshëm dhe temat e trajtuara për të kuptuar se çfarë i pëlqen të diskutojë drejtuesit. “Shumë podcaste kanë pyetje të shpejta në fund… nëse shkon direkt në fund të disa episodeve, mund të zbulosh nëse kanë një pyetje të përsëritur për të cilën mund të përgatitesh.” Mos u ndje i pasigurt nëse je i ri në këtë fushë , edhe drejtuesit e podcasteve gabojnë. “Kam qenë në shumë podcaste ku edhe drejtuesi gabon, ngatërrohet, ndonjëherë kërkon që një pjesë të editohet,” thotë Thompson. “Pra, mos i vendos vetes presion të tepruar për të qenë perfekt.”

Lexo edhe:Arritje e re! Kina shëron diabetin me qeliza burimore

2. Njih audiencën

Gjatë prezantimit ose pitch-it tënd, shiko kush janë të ftuarit e mëparshëm dhe çfarë interesash kanë dëgjuesit. Alice Draper vlerëson kur të ftuarit në podcastin e saj My Rejection Story flasin me të në “green room” përpara regjistrimit, duke përmendur disa histori që mund të ndajnë dhe duke pyetur se cilat do t’i interesonin më shumë audiencës. Por ky dialog vlen vetëm pasi ke bërë kërkimin tënd paraprak. “Thuaj diçka si: ‘Po supozoj që audienca jote janë njerëz që duan të rrisin biznesin e tyre’, dhe pastaj drejtuesi mund të të korrigjojë nëse është e gabuar.”Shiko komentet e dëgjuesve, vlerësimet në platforma si Apple Podcasts apo Spotify dhe rrjetet sociale të drejtuesit për të kuptuar se çfarë i tërheq dëgjuesit e tij/saj. “Ke 30 deri në 60 minuta për të lënë një përshtypje të mirë te një i panjohur që nuk di asgjë për ty,” thekson Draper.

3. Mos bëj shitje të drejtpërdrejtë

Po, ndoshta arsyeja pse dëshiron të marrësh pjesë në një podcast është për të promovuar librin, kursin apo markën tënde. Por kjo nuk duhet të jetë fokusi kryesor i diskutimit. “Vendose veten në vendin e dëgjuesit,” sugjeron Thompson. “Kur dëgjon një podcast me vlerë, mendon: ‘Wow, ky person është fantastik.’ Pastaj e kërkon në Google dhe ndoshta blen librin ose regjistrohesh në kursin e tij/saj.” Draper shton: “Mënyra më e mirë për të shitur është të jesh një i ftuar i mrekullueshëm.” Ajo rekomandon të përgatitësh një lead magnet – një përmbajtje falas që adreson një problem konkret të audiencës dhe e lidh me temën e podcastit. Ruaje për në fund pitch-in tënd të shkurtër, të saktë dhe tërheqës për të ndihmuar njerëzit të të gjejnë më lehtë. “S’ka podcast ku nuk më kanë pyetur: ‘Kelli, ku mund të të ndjekin njerëzit?’ – kjo është mundësia jote,” thotë ajo.

4. Përgatitu, por mos e tepro me përgatitjen

S’ka nevojë të dëgjosh 20 episode apo të përgatitësh përgjigje të gjata për çdo pyetje. “Dëgjuesit e kuptojnë kur po lexon nga një letër. Por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të përgatitesh,” thotë Draper. Ajo sugjeron të mbash pranë disa pika kyçe dhe statistika që mund t’i hedhësh një sy gjatë bisedës. Thompson shton: “Të mësosh fjalë për fjalë çfarë do thuash është kundërproduktive – do të dukesh sikur po lexon. Më mirë mbaj mend 3-4 pika kryesore që dëshiron t’i komunikosh.”Me kohën, sa më shumë podcaste të bësh, aq më mirë do kuptosh cilat histori funksionojnë. “Nëse ndihesh nervoz para një podcasti, kjo është shenjë që të intereson audienca,” shton Thompson.

5. Mos harro: është bisedë, jo intervistë

Dëgjuesit duan të dëgjojnë edhe drejtuesin e podcastit. “Është e pakëndshme kur një i ftuar flet për 10 minuta pa ndalesë – humbim ndjekësit,” shprehet Draper. “Përgjigjet më të mira janë 2 deri në 3 minuta të shkurtra.” Zgjidhja më e mirë? Dëgjimi aktiv. “Fokusoju më shumë në ndërtimin e një lidhjeje sesa në përsosmëri,” thotë Thompson. Mos kurse historitë interesante – janë ato që të bëjnë të paharrueshëm. “Dëgjuesit tërhiqen nga historia jote personale, të dhëna konkrete dhe këshilla të zbatueshme,” përfundon Draper. Nëse ndihesh i pasigurt për të folur publikisht, mund të përdorësh aplikacione si Yoodli për të praktikuar historitë kryesore. Dhe mos harro: shumica e podcasteve nuk janë ‘live’ – çdo ngatërresë mund të editohet!

success

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0