‘’47% e shqiptarëve mbi 15 vjeç analfabetë’’ – Reagon studiuesja Kapllanaj: Shifër e pasaktë, të dhënat janë keqinterpretuar - Business Magazine Albania

‘’47% e shqiptarëve mbi 15 vjeç analfabetë’’ – Reagon studiuesja Kapllanaj: Shifër e pasaktë, të dhënat janë keqinterpretuar

Prej disa ditësh një  raport i Fondit Europian të Trajnimeve (ETF) ka nxitur diskutime në hapësirën dhe opinionin publik shqiptar. Sipas lajmit të publikuar ditën e djeshme edhe nga Business Magazine Albania, pretendohet se 47% e shqiptarëve mbi 15 vjeç nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë. Sipas studiueses së Shkencave Sociale dhe Edukimit, znj. Migena Kapllanaj të dhënat janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe janë keqinterpretuar. Znj. Kapllanaj sqaron ekskluzivisht për BM se raporti i ETF 2023 nuk mat aftësitë e të lexuarit apo të shkrimit të popullsisë sikundër është raportuar nga media ditët e fundit, por nivelin më të lartë arsimor të arritur.

‘’Të dhënat i referohen treguesit “Educational attainment of total population (aged 15+)”, që mat shpërndarjen e popullsisë sipas nivelit të përfunduar të arsimit (fq. 25, përshkrimi 8). Raporti gjithashtu qartëson kategoritë i ulët, mesatar dhe i lartë, të cilat bazohen në Standardet Europiane për Klasifikimin e Arsimit të UNESCO-s (ISCED).
Në vend që të sinjalizojnë një krizë të thellë në aftësitë bazë të shqiptarëve, rezultatet e raportit flasin për një ndryshim gradual në strukturën arsimore të popullsisë gjatë viteve 2015-2023’’ – thotë znj. Kapllanaj.

Reagimi i plotë:

LAJM I PASAKTË: “47% e shqiptarëve mbi 15 vjeç mezi shkruajnë dhe lexojnë”

Prej disa ditësh, një lajm ka qarkulluar gjerësisht në median e shkruar dhe në emisionet televizive, duke shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Sipas këtij lajmi, 47% e shqiptarëve mbi 15 vjeç mezi shkruajnë dhe lexojnë—një pretendim i pasaktë dhe i nxjerrë jashtë kontekstit nga një raport ndërkombëtar.
Në të vërtetë, Raporti i ETF 2023 nuk mat aftësitë e të lexuarit apo të shkrimit të popullsisë, por nivelin më të lartë arsimor të arritur. Të dhënat i referohen treguesit “Educational attainment of total population (aged 15+)”, që mat shpërndarjen e popullsisë sipas nivelit të përfunduar të arsimit (fq. 25, përshkrimi 8). Raporti gjithashtu qartëson kategoritë i ulët, mesatar dhe i lartë, të cilat bazohen në Standardet Europiane për Klasifikimin e Arsimit të UNESCO-s (ISCED).
Në vend që të sinjalizojnë një krizë të thellë në aftësitë bazë të shqiptarëve, rezultatet e raportit flasin për një ndryshim gradual në strukturën arsimore të popullsisë gjatë viteve 2015-2023:
Përqindja e personave me arsim fillor dhe nëntëvjeçar ka rënë nga 51.4% në 46.7%, duke treguar një rritje të arsimimit të mëtejshëm.
Përqindja e personave me arsim të mesëm dhe profesional ka mbetur pothuajse e pandryshuar, nga 34.4% në 35.2%.
Përqindja e personave me arsim të lartë dhe më shumë është rritur, pavarësisht një tendence të lehtë rënieje gjatë vitit 2023, nga 14.2% në 18.1% (ndërkohë që në 2022 ishte 19%).
Ky nuk është rasti i vetëm kur statistikat keqinterpretohen dhe krijojnë perceptime të gabuara. Jo shumë kohë më parë, një tjetër lajm bëri xhiron e mediave, duke pretenduar se 88.1% e familjeve shqiptare jetojnë në familje me shumë breza. Në të vërtetë, shifra i referohej familjeve tradicionale sipas përkufizimit të censusit.
Në një kohë kur informacioni është më i aksesueshëm se kurrë, është për t’u vlerësuar fakti që gazetarët i referohen studimeve dhe raporteve për të analizuar zhvillimet në Shqipëri. Megjithatë, citimi i saktë i burimeve dhe interpretimi i drejtë i të dhënave janë po aq të rëndësishme. Përndryshe, keqinformimi i publikut çon vetëm në përforcimin e narrativave pesimiste si “ky vend nuk bëhet” apo “ne shqiptarët nuk bëhemi”, duke krijuar një perceptim të deformuar të realitetit.
Në fund të fundit, raportet serioze duhet të shërbejnë për të kuptuar trendet dhe sfidat e vërteta të shoqërisë sonë, jo për të prodhuar skandale të panevojshme.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0