….dhe pastaj ne rritemi….
Jemi para një realiteti tjetër 17, 20, 30, 40 vjeç…
Vetëm tani e kuptojmë që përgjigjia për këtë pyetje kërkon pak më shumë se thjesht atë çfarë na pëlqen. Kërkon të jemi praktikë pasi në fund të fundit duhet të kemi të ardhura normale për të (mbi)jetuar.
Vetëm tani e kuptojmë që çdo zgjedhje e profesionit është përgjegjësi dhe kjo zgjedhje ka edhe pasoja, qoftë për mirë apo për keq.
Por zgjedhja e karrierës ka të bëjë me zgjedhjen e studimeve, cilin drejtim zgjedhim, ku e shohim veten më vonë?
Por, si mund të zgjedhim më lehtë karrierën e duhur?
Mendojeni veten në një të ardhme në vendin e punës. Ku e shihni veten në një zyrë apo diku me një punë në terren, në një laborator apo profesor, zjarrfikës apo politikan, gazetar apo shkrimtar!
Cila fushë ju tërheq më shumë? Si i mendoni kolegët tuaj të ardhshëm? Çfarë ju bën edhe tani të lumtur?
Listën e atyre fushave që ju pëlqejnë zvogëlojeni dhe nga këtu filloni të përqendroheni tek këto të dhëna, si për shembull: Cilat janë hobet tuaja, përvoja e deritanishme, cila është ajo gjë që do ta bënit më me qejf që këtë moment. Cila është ajo gjë rreth së cilës lexoni me endje. Cilat do të ishin përgjigjet që do jepnit, qoftë edhe në mes të natës kur dikush ju zgjon nga gjumi?
Gjithë të rinjve të cilët janë në kërkim të kësaj do t’u thosha që këto përgjigje përdorini për të planifikuar karrierën tuaj të ardhme. Mos u ndikoni shumë nga ato çka ju thonë të tjerët, mos merrni shumë për bazë informacionet mediatike apo informacione të ndryshme se cilat profesione ofrojnë paga më të mira apo cilat profesione janë më të rehatshme, pasi është një gamë e gjerë faktorësh që ndikon tek ju për zgjedhjet tuaja.
Shihni gjithë mundësitë, merrni informacione të ndryshme para se të vendosni për studimet e mëtejshme, flisni me njerëzit, të cilët kanë përfunduar këto studime, pyetini për përvojat e tyre, pyetini sa të kënaqur janë dhe natyrisht kërkoni dhe ndihmën e ndonjë konsulenti që merret pikërisht me fushën e studimeve dhe punësimeve.
Pra, bëni gjithçka që të mund të kuptoni sa më shumë fushën e studimeve që do donit të vazhdonit, lëndët që përfshihen në programin shkollor dhe absolutisht zgjidhni me kujdes në cilin Fakultet do të studioni, pasi jo gjithë diplomat vlerësohen njësoj dhe natyrisht zgjidhni mundësinë më të mirë për ju. Mos u kushtoni shumë vëmendje këshillave të të tjerëve, se cilat studime ia vlejnë. Mos i kushtoni shumë vëmendje asaj çfarë dëshiron prindi për ju pasi ndodh shumë shpesh që prindi me anë të fëmijës do të plotësojë dëshirat e tij. As ndryshimeve apo trendeve në fushën e biznesit, pasi ekonomia e tregut është nën ndryshim konstant. Nëse marrim si shembull arkitekturën. Profesioni është fantastik, por me zhvillimin e sotëm grafik & dizajn është më i kërkuar se arkitektura (dhe kjo në fusha të ndryshme).
Por mbi të gjitha guxoni, guxoni të bëni diçka ndryshe sepse jeni vetë krijues të jetës dhe të së ardhmes tuaj.
Sot po ndodh fenomeni i shkollimit masiv dhe në fund del një brez kuadrosh që nuk mund të punësohen dhe pasoja e këtij fenomeni është që po kujdesemi në mënyrë konstante të nxjerrim brezin e humbur. Ky brez vazhdon edhe një fakultet tjetër me shpresën se do jetë më i lehtë punësimi dhe historia vazhdon.
Mos ndoshta ne si prindër dhe kujdestar kemi dalë pak nga rruga?! Shumë prindër i shtyjnë fëmijët të kenë nota të mira – arrijnë edhe të paguajnë profesorët vetëm për këto nota -, i detyrojnë fëmijët të ndjekin kurse të ndryshme që në kopësht, por pa marrë parasysh dëshirat e fëmijës.
Çfarë ndodh në fund pasi kanë në xhep një, dy apo tre diploma? Ngelen pa punë pasi në shumë firma marrin përgjigjen që janë më të përgatitur nga sa mund ti paguajë firma, njohin teorinë por nuk kanë idenë e praktikës e të tjera arsye.
Pikërisht për të evituar këto probleme të ndryshme që mund të dalin pas shumë e shumë vitesh studime, do të ishte mirë që prindërit të merren pak më shumë me fëmijën. Të zbulojnë talentin e tij dhe ta drejtojnë më vonë të studiojë çfarë ka më për zemër. Natyrisht, për të kuptuar fëmijën dhe talentin e tij duhet filluar shumë herët, jo 6 muaj para përfundimit të shkollës fillore apo të mesme. Prindi mund të japë disa mendime por asnjëherë nuk duhet t’i imponojë fëmijës dëshirat e tij.
A është e thjesht? JO.
Shpesh edhe vetë prindërit gjenden në një pikë të vdekur dhe në moshën 40-45 vjeçare ndërrojnë komplet karrierën, pra është një zgjedhje për të cilën jemi gjithmonë tepër të rinj për të vendosur, por të paktën mos të harrojmë asnjëherë; nuk ka rëndësi çfarë profesioni keni, parukiere, polic, mësues, avokat, pastrues, fermer, deputet, ministër…, e rëndësishme është që puna që kryeni ju plotëson, ju bën të ndiheni mirë dhe shkoni me kënaqësi në vendin e punës. I lumtur mund të jeni vetëm nëse bëni atë që ju pëlqen, vetëm nëse paguheni për punën që bëni dhe të ndiheni i respektuar për këtë punë që bëni.
Cili është ky profesion?
Kemi karaktere të ndryshme dhe asnjë nuk është për gjithçka, por nëse e njihni veten dhe nëse e dini se çfarë ju plotëson mund të jeni kuzhinier apo fermer i shkëlqyer, mund të jeni profesor apo politikan karizmatik, mund të jeni mësues apo inxhinier që mund të lini emrin tuaj edhe për brezat më vonë, mund të jeni mjek apo menaxher biznesi. Të parët kanë thënë puna është nder dhe në fakt PUNA ËSHTË NDER.
Me zhvillimin e ditëve të sotme për të qenë në të ardhmen i suksesshëm janë disa tipare dhe aftësi të tjera: kurioziteti, kreativiteti, iniciativa për të bërë atë që na plotëson, për të bërë diçka ndryshe, të menduarit multidisplinor. Personalisht do ta quaja mendimi tre dimensional; komunikimi, respekti dhe empatia.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.