10 destinacionet më të mira në Evropë për nomadët digjital, mes tyre edhe Tirana - Business Magazine Albania

10 destinacionet më të mira në Evropë për nomadët digjital, mes tyre edhe Tirana

Numri i nomadëve digjitalë në mbarë botën e ka tejkaluar shifrën e 40 milionëve në vitin 2025 , një rritje prej 149% që nga viti 2019 dhe më shumë se 18 milionë prej tyre janë nga SHBA. Ky stil jetese po tërheq gjithnjë e më shumë profesionistë që kërkojnë një ekuilibër mes lirisë në karrierë dhe mundësive për të eksploruar botën. Por përpara se të rezervoni biletën, ja çfarë duhet të dini.

“Jeta si nomad digjital është ndërtimi i një rutine që bashkon fleksibilitetin profesional me eksplorimin personal,” – thotë Keith Spencer, ekspert karriere pranë FlexJobs. “Qytetet që ofrojnë internet të qëndrueshëm, kosto të përballueshme jetese, kulturë të gjallë dhe komunitete të forta të punëtorëve të largët, janë magnet për këtë mënyrë jetese.”

Megjithatë, përtej pamjeve mahnitëse, duhen marrë në konsideratë edhe faktorë si diferenca kohore me klientët, infrastruktura bazë, barrierat gjuhësore dhe taksat vendore.

Nëse jeni gati për këtë hap, më poshtë gjeni 10 prej destinacioneve më të mira në Evropë për nomadët digjitalë:

1. Madeira, Portugali
E njohur për klimën e ngrohtë, bukuritë natyrore dhe një ritëm jete të qetë, Madeira ofron një fshat të dedikuar për nomadët digjitalë në Ponta do Sol. Kjo qendër bashkon jetesën dhe punën në komunitet dhe është krijuar posaçërisht për këtë stil jete. Nëse po mendoni për një vend në Portugali, shmangni qendrat e mëdha si Lisbona apo Porto, ku mungesa e banesave është problematike. Mund të aplikoni për vizën D7, që kërkon të ardhura të qëndrueshme prej rreth 890 dollarë në muaj.

2. Kotor, Mal i Zi
Një qytet mesjetar në bregdet me pamje përrallore dhe jetë të qetë, Kotor ofron një kombinim ideal për ata që duan frymëzim dhe produktivitet. Nuk ka vizë të dedikuar për nomadët, por mund të aplikohet për leje qëndrimi të përkohshme për një vit.

3. Pistoia, Itali
Një perlë e fshehur në Toskanë, Pistoia është një qytet i pasur në histori dhe jetë lokale autentike. I lidhur mirë me qytetet përreth, ofron rehati, fokus dhe ushqim të mrekullueshëm. Italia ka nisur vizën për nomadët në 2024-ën, që kërkon të ardhura vjetore prej mbi 28,950 dollarë dhe sigurim shëndetësor.

Lexo edhe: Rreth 26 kompani teknologjike nënshkruajnë Kodin e BE-së për Inteligjencën Artificiale

4. Praga, Çeki
Praga ofron një ndërthurje të kulturës, historisë dhe teknologjisë me çmime ende të përballueshme. Shumë flasin anglisht, sidomos të rinjtë profesionistë. Mund të aplikoni për licencën “Zivno” për freelancer-ë, me disa kushte si adresë vendore, profesion të përcaktuar dhe të paktën 5,600 dollarë kursime.

5. Bratislava, Sllovaki
Një qytet i vogël dhe i qetë, me kosto shumë të ulëta jetese. Ideal për ata që duan fokus maksimal. Edhe pse nuk ka vizë specifike për nomadët, leja e përkohshme e qëndrimit si freelancer është e mundur.

6. Ljubljana, Slloveni
Një qytet i pastër, i sigurt dhe me shumë hapësira të gjelbra. Me kulturë, natyrë dhe komunitet mikpritës, është një alternativë më e qetë ndaj Pragës. Mund të aplikohet për leje qëndrimi përmes regjistrimit të një biznesi individual.

7. Dubrovnik, Kroaci
Me pamje të detit Adriatik dhe mureve të lashta, Dubrovniku është bërë gjithnjë e më popullor mes nomadëve. Kroacia ofron vizë specifike për këtë kategori, me afat deri në 18 muaj. Kërkohet të ardhur mujore dhe dokumentim i akomodimit dhe sigurimit shëndetësor.

8. Tirana, Shqipëri
Kryeqyteti shqiptar është një vend që po ngjitet me shpejtësi në listën e preferencave. Sipas ekspertes Cepee Tabibian, “është i përballueshëm, autentik dhe shumë mikpritës.” Për më tepër, shtetasit amerikanë mund të qëndrojnë pa vizë për një vit të plotë.

9. Athinë, Greqi
Një qytet me histori të lashtë dhe energji moderne. Ka viza të dedikuara për nomadët, me kërkesë të ardhurash prej të paktën 4,000 dollarë në muaj dhe sigurim shëndetësor.

10. Tallinn, Estoni
Një nga vendet e para që prezantoi vizën për nomadët digjitalë në vitin 2020. Me infrastrukturë të avancuar digjitale, internet të shpejtë kudo dhe peizazhe të gjelbërta për relaks. Viza lejon qëndrimin deri në një vit dhe kërkon të ardhura prej të paktën 4,100 dollarë në muaj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0