Zef Preci: Testet e Koronavirusit, si test për funksionalitetin e shtetit

Zef Preci: Testet e Koronavirusit, si test për funksionalitetin e shtetit


Nga Zef Preci, Ish-Kryetar i Autoritetit të Konkurrencës

Pavarësisht thirrjeve të kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të javës së shkuar për të rritur numrin e testeve për coronavirus-in, të dhënat zyrtare në vendin tonë tregojnë se këto testime vazhdojnë të kryhen me të njëjtat ritme nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).

Lexo: Ekuilibri i jetës

Ndërkaq, në mas-median e javës që shkoi është bërë e ditur se drejtues të lartë të Spitalit Amerikan, një spital privat me shtrirje në rreth 50 shtete, kanë deklaruar se kanë importuar pajisjen përkatëse laboratorike si dhe një numër të konsiderueshëm tamponësh të nevojshme për kryerjen e këtij testi. Madje janë dhënë edhe shifra indikative mbi variacionin e çmimit të mundshëm të këtij shërbimi.

Me cilësinë e ish-drejtuesit të agjencisë anti-moponol (Autoriteti i Konkurrencës), e konsideroj në interes të publikut të sqaroj sa vijon:

  1. Sipas të dhënave zyrtare, spitali në fjalë, si një operator ekonomik i specializuar në shërbimin shëndetsor, është licensuar në konformitet me kërkesat e legjislacionit shqiptar, domethënë nuk paraqet asnjë veçori për të cilën mund të ushtrohet e drejta e ndalimit të ushtrimit të një apo më shumë shërbimeve brenda fushës së veprimtarisë për të cilën është licensuar.
  2. Në përbërje të kompleksit të shërbimeve për të cilat është licensuar dhe operon ky spital është edhe laboratori, i cili gjithashtu është certifikuar dhe akredituar sipas legjislacionit në fuqi. Mbi bazën e këtij certifikimi dhe akredimi të laboratorit në përbërje të spitalit, prej disa vitesh kryhen mijëra vizita, mijëra operacione, rekomandime për trajtim, etj, për qytetarët shqiptarë dhe nga vendet e rajonit.
  3. Testimi për coronavirus-in është një test laboratorik i zakonshëm dhe mbulohet nga licensa, certifikimi dhe akreditimi i laboratorit, domethënë rezultatet që dalin prej Spitalit Amerikan për coronavirus-in janë dhe duhet të jenë ekuivalente me ato që rezultojnë nga ISHP.
  4. Mbështetur në licensat e siguruara edhe nga Ministria e Arsimit, bëhet me dije se Spitali Amerikan është në procesin e shndërrimit në spital universitar, domethënë në një institucion për përgatitjen e mjekëve, stomatologëve, infermierëve dhe laborantëve të rinj, një lloj si në fakultetin aktual të mjekësisë dhe institucionet e tjera arsimore publike në këtë fushë.

Lexo: Rama: Mos paguani qeratë. Dënohet qeradhënësi që kërkon pagesën mujore si famijeve edhe bizneseve

I solla këto detaje për të arritur në konkluzionin se në aspektin ligjor, institucional, të konkurrencës dhe rregullimit të tregjeve (në këtë rast tregu i shëndetit), pavarësisht pozitës së rëndësishme që zotëron në treg, Spitali Amerikan është një ndër operatorët kryesorë në vendin tonë dhe jo vetëm, dhe se veprimtaria e tij mbështetet plotësisht në legjislacionin në fuqi.

Për rrjedhojë, çfarëdo kufizimi i veprimtarisë së tij nuk gjen mbështetje ligjore, pra është e paligjshme. Kjo duke përfshirë edhe ndalimin e kryerjes së analizave për testin e coronavirus-it. E tash të vijmë tek “argumentet“ që përdoren për këtë ndalim administrativ të pjesshëm të aktivitetit (kryerja e analizave për testin e coronavirus-it), e pse jo edhe te pasojat, nga këndvështrimi i interesit publik.

Ditën e djeshme, një televizion kombëtar dhe disa portale, përcollën lajmin se, Policia e Shtetit ka bërë një kallzim pranë organit të akuzës për të nisur hetimet për mashtrimet që po iu bëhen qytetarëve shqiptarë me testet, në kushtet e pandemisë, se Prokuroria e Tiranës do të hetojë subjektin privat, Spitali Amerikan, sipas nenit 267 të Kodit Penal për përhapjen e informatave të rreme që ngjallin panik si dhe bazuar ne nenin 174 të Kodit Penal për kontrabande me mallra të tjera“ duke përmendur si burim kreun e Prokurorisë së Tiranës (https://ëëë.vizionplus.tv/testet-spitali-amerikan-nen-heti…/).

Personalisht nuk dëshiroj të komentoj një veprim procedural të organit të akuzës, ndonëse më tingëllon disi e çuditshme fillimi i këtij procedimi në kohën që të gjithë presim të intensifikohet kryerja e testeve të coronavirus-it, prandaj mendoj se ky organ i detyrohet qytetarëve një shpjegim publik mbi bazueshmërinë kushtetuese të këtij procedimi, që në mjaft qarqe të vendit shihet me mosbesim dhe thjesht si një akt politik se sa një akt i justifikuar ligjor me interes publik, etj.

Nisur nga përvoja e vendeve të tjera dhe përvojat e ndryshme të menaxhimit të situatës së pandemisë së coronavirus-it, kam bindjen se rritja me çdo kusht e numrit të testeve që kryejmë çdo ditë i shërben identifikimit dhe izolimit të personave të prekur, trajtimit përkatës mjekësor të atyre që gjykohet se duhen hospitalizuar, si dhe gjurmimit të konktateve të tyre. Shkurt, jo vetëm shpëtimit të jetëve njerëzore, por edhe frenimit të përhapjes së virusit që sëbashku me distancimin fizik e social që po aplikohet jo pa sukses prej gati tre javësh, mendohet se do të lehtësojë pasojat e kësaj pandemie.

Përfitoj nga rasti të theksoj se vetëm pas një periudhe kur testimet të jenë masive, pa shkelur principet bazë (personat me simptoma të coronavirus-it, kontakte të personave të sëmurë, etj.) mund të krijohet edhe terreni i nevojshëm i lirimit ngadalë të kushteve të ndalimit të veprimtarisë ekonomike, për të cilën foli së fundi edhe kryeministri Rama.

Lexo: Bëhuni pjesë e nismës Adopto një Gjysh/e

Në këtë kontekst, pengimi i Spitalit Amerikan për të ofruar shërbimin e testit për coronovirus-in çmoj se është jo vetëm e paligjshme, por edhe në dëm të interesit publik. Madje, nisur nga të dhënat zyrtare të qeverisë shqiptare mbi numrin e personave të infektuar nga radhët e bluzave të bardha, e ftoj Ministrinë e Shëndetësisë që këtë testim ta bëjë të detyrueshëm për të gjithë personelin shëndetsor të vendit, pavarësisht nëse shfaqin ose jo simptoma të sëmundjes së coronavirus-it.

Kjo do të ishte një masë e dobishme parandaluese duke supozuar që në ditët/javët që vijnë situata mund të njohë edhe përkeqësim të mëtejshëm dhe ruajtja e jetës dhe e shëndetit të bluzave të bardha është njëkohësisht edhe ruajtje e jetës dhe shëndetit të popullsisë në tërësi.

Nuk dua të besoj zërat se ky ndalim ndaj kryerjes së testimit të conronavirus-it nga Spitali Amerikan po bëhet për të penguar identifikimin publikisht të numrit të vërtetë të personave të prekur (dhe për rrjedhojë edhe të atyre që humbasin jetën) nga kjo pandemi (sikurse mesohet ka ndodhur e po ndodh ne vendet diktatoriale si ne Kine, etj) sepse kjo do të binte plotësisht në kundërshtim me rendin Kushtetues të vendit (e drejta e jetës) dhe më vete deklarimet publike të kryeministrit Rama e qeverisë së tij.

As nuk dëshiroj ta lexoj këtë ndalim si presion lobistësh për një treg/shërbim të liberalizuar dhe të rregulluar prej kohësh, për të cilin kam bindjen se do të hapet edhe për operatorë të tjerë ekonomikë (spitale) së afërmi. Për më tepër që nuk mungojnë as zërat jozyrtare sipas të cilëve një numër autoritetesh të larta shtetërore e kanë “testuar” shërbimin e testeve të coronovirus-it në Spitalin Amerikan duke bërë vetë këto teste atje në periudhën përgatitore për ofrimin e shërbimit.

Nga këndvështrimi i konkurrencës dhe duke mos harruar që në rastin konkret deri më sot Spitali Amerikan është operatori i vetëm (përveç ISHP që e kryen këtë shërbim), gjë që duhet parë si njëlloj monopoli që lë shteg për fitime të pamerituara prej tij, e ftoj publikisht Ministrinë e Shëndetësisë që në bashkëpunim me agjencinë përgjegjëse vartëse të saj për rregullimin e çmimeve të medikamentëve mjekësorë, të përcaktojë menjëherë metodikën përkatëse si dhe nivelin e çmimit përkatës të testit të coronavirus-it, të detyrueshëm për Spitalin Amerikan, si dhe për cilindo operator tjetër që ta ofrojë në të ardhmen.

Lexo: OBSH paralajmëron: Në ditët e ardhshme numri i vdekjeve do shkojë mbi 50,000

Madje, do të ishte e dëshirueshme që mbi bazën e kartës së shëndetit dhe të rekomandimeve përkatëse mjekësore duke filluar me mjekun e familjes, të bëhet e mundur edhe mbulimi/transferimi i këtij shërbimi nga sigurimet shëndetsore në rastet kur ISHP nuk mund t’i përgjigjet fluksit të testeve që duhen kryer. Kjo do të nxiste në planin imediat ofrimin e shërbimit pa pengesa për pacientët e rekomanduar dhe në planin afatmesëm do të stimulonte pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore, pa folur për nxitjen e konkurrencës dhe rritjen e kontrollit kundër evazionit fiskal në radhët e operatorëve ekonomikë privatë në fushën e shëndetësisë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0