Sektori i ndërtimit është vendimtar për arritjen e qëllimeve energjetike dhe mjedisore të BE-së. Ndërtesat janë përgjegjëse për afërsisht 40% të konsumit të energjisë. Prandaj, ato konsiderohen edhe si konsumatori më i madh i energjisë në Evropë.
Për më shumë, investimet në efiçiencën e energjisë stimulojnë ekonominë, veçanërisht industrinë e ndërtimit, e cila gjeneron rreth 9% të PBB-së. Në veçanti më shumë se 70% të vlerës së shtuar në sektorin e ndërtimit vjen nga NVM-të. Por në të njëjtën kohë ndërtesa më të mira do te thotë përveç përfitimeve ekonomike edhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.
Në këtë kuadër, planifikimi i ekonomisë po shikon drejt politikave të integruar që lidhen veçanërisht me klimën dhe vejnë në qendër sektorin e energjisë, siç është Green Deal i BE-së. Për sa këtu, aktualisht po përgatitet të nis një “valë” rinovimi i ndërtesave publike dhe private nëpërmjet programit të njohur si renovation wave for Europe.
Në vijim të së cilës pritet të miratohet edhe agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor (BP). Sipas Komisionit evropian “tranzicioni energjetik për Evropën mund të jetë plotësisht efektiv vetëm nëse vendet fqinje të BE-së gjithashtu ndërmarrin veprime efektive.” Sa këtu është parashikuar të ndiqet me mobilizimin e 9 miliardë euro fonde të IPA III për periudhën 2021-2027, me ambicien për të rritur potencialin e investimeve me deri në 20 miliardë euro.
Fushat kryesore për investime janë transporti i qëndrueshëm, energjia e pastër, mjedisi dhe klima, e ardhmja dixhitale, kapitali njerëzor dhe sektori privat. Ne veçanti plani identifikon objektiva kryesore të investimeve, duke përfshirë në Objektivin 6 “Valën e rinovimit”. Sa këtu propozon të zgjerojë veçanërisht valën e rinovimit të BE drejt BP mbi rinovimin e blloqeve të ndërtesave, pajisjen me panele diellore etj.
Në këtë drejtim pra mund të thuhet që jemi në një moment që shënon hyrjen në një etapë të re e cila duhet të na bëjë të jemi të ndërgjegjshëm se përpara na pret një punë kolosale. Ku ndër të tjera duhet të evitohet qasja pasive: “të qëndruarit në vendin e pasagjerit nuk sjell dobi”. Ndërkohë që sfidat mund të kalohen vetëm nga bashkëpunimi ku bëhen bashkë kompanitë, institucionet shtetërore dhe ato arsimore, ekspertët të lartë të fushës, si dhe aktorët e tjerë të interesit.
Diskutim i zhvilluar në takimin round table me temë: “Përmirësimi i Efiçencës së Energjisë në sektorin e ndërtimit në Shqipëri”, të organizuar nga Instituti Barleti për Kërkim dhe Zhvillim dhe Citylabs, më datë 28 Tetor 2020, pranë Universitetit Barleti. Për më shumë mund të gjeni prezantimin e plotë nga Dr. Lorenc Gordani.
Autori: Dr. Lorenc Gordani është ekspert ligjor për çështjet e energjisë dhe Drejtor i Departamentit të Masterave Profesional pranë Tirana Business University (TBU).