Vajza që bëri Apple-in të njohë kufijtë e Kosovës: Mora kërcënime nga "luftëtarët" digjitalë serbë - Business Magazine Albania

Vajza që bëri Apple-in të njohë kufijtë e Kosovës: Mora kërcënime nga “luftëtarët” digjitalë serbë

Një peticion, i cili nisi si një nismë e thjeshtë nga 20-vjeçarja Megi Cara, bëri të mundur që Kosova të njihet në aplikacionin Apple Maps. Ishte studentja shqiptare në Londër, e cila hodhi e para idenë për njohjen e kufijve të Kosovës, që arriti të tërheqë vëmendjen e disave nga mediat më të mëdha në botë. Megi Cara i kërkoi kompanisë Apple ta paraqesë Kosovën si shtet më vete, pasi vuri re se ajo nuk ndahej nga Serbia me kufij ndërkombëtarë në aplikacionin Apple Maps. Peticioni u bë lajm në disa media lokale në shqip dhe në anglisht dhe më pas u shpërnda në Instagram nga Dua Lipa dhe Rita Ora për ndjekësit e tyre.

Polemikat që shkaktoi ky peticion ishin të shumta, por pa kaluar dy muaj Apple mori në konsideratë kërkesën për të vendosur Kosovën si shtet më vete në Apple Maps. Edhe pse postimi i Dua Lipës u komentua shumë dhe mori vëmendjen e medias, në një intervistë për TvT.al Megi shprehet se vetë Dua nuk ka kontaktuar asnjëherë me të.

Kur e nisët peticionin për vendosjen e Kosovës në hartën Apple, menduat se do merrte përmasat që mori?

Siç e kam shprehur edhe më parë, peticionin e kam nisur në një mënyrë shumë spontane dhe kurrë nuk kam menduar se do të merrte përmasat që mori apo se do të arrinte të bënte një ndryshim kaq të rëndësishëm.

Qëndron edhe dikush tjetër pas kësaj nisme apo vetëm ju?

Nisma është marrë nga vetë unë, pas bisedave me miq, por pas suksesit të peticionit qëndrojnë plot 197 mijë e 175 shqiptarë në të gjithë botën që firmosën peticionin.

Si ndiheni tani që Kosova u bë pjesë e hartës së Apple dhe kjo vetëm falë nismës tuaj?

Tani që Kosova është pjesë e hartës së Apple, ndihem shumë krenare dhe mjaft besimplotë për ndryshime të tjera rrënjësore për kombin shqiptar.

Arritët të komunikoni me Dua Lipën?

Dua Lipa nuk më ka kontaktuar asnjëherë.

Persona të tjerë të njohur, ju kanë kontaktuar ose uruar?

As persona të tjerë të njohur nuk më kanë uruar.

 

LEXO: Peticioni ja arriti qëllimit, Apple vendos Kosovën në hartë

 

Ju thatë gjatë asaj kohe që morët edhe kërcënime, kishte ndonjë emër të njohur?

Kërcënimet kanë ardhur nga ‘luftëtarët’ digjitalë serbë, shumica e tyre nacionalistë në moshën adoleshente. Kërcënime direkte nga figura të njohura serbe nuk kam patur.

Flamuri autokton solli sërish një gjendje të ndezur mes shqiptarëve dhe serbëve, dhe ju vazhdoni sërish postoni në rrjetet sociale hartën e Shqipërisë së madhe. Keni ndonjë synim tjetër tani që arritët vendosjen e Kosovës në hartën e Apple?

Ëndrra e çdo shqiptari patriot, të drejtuar nga atdhedashuria është që trojet shqiptare të jenë të bashkuara. Nostalgjia për Shqipërinë Etnike na ndjek në çdo moment, por një qëllim realist do të ishte bashkimi kombëtar, pra ai i Shqipërisë me Kosovën.

Ka Megi Cara dëshirë të bëhet pjesë e politikës shqiptare pas studimeve?

Që në moshë të vogël kam ëndërruar të jem pjesë e politikës shqiptare dhe gjatë këtyre ditëve kam folur me mbështetës të peticionit për politikat ekonomike dhe reformat që do bëja unë në Shqipëri.

Ke përmendur diku Margaret Theçerin si figurë frymëzuese. E mendon veten në të ardhmen një Margaret Theçer në Shqipëri?

Margaret Theçer është frymëzim për të gjithë konservatorët e të gjitha femrat në përgjithësi, sepse ajo ishte e para që sfidoi shoqërinë patriarkale dhe ia doli të jetë kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar. Ajo do të ishte shembulli më i mirë për të ndjekur.

TvT.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0