Për neurologen nga Universiteti i Oksfordit, e cila kalon ditët duke trajtuar pacientë me sëmundje të ndërlikuara të trurit dhe netët duke kujdesur për dy fëmijët e saj të vegjël, mbajtja e energjisë mendore është një sfidë e përditshme. Por pas gati 20 vitesh studimi mbi funksionimin e trurit, ajo ka krijuar një strategji të thjeshtë që funksionon më mirë se çdo gjë tjetër për të rritur energjinë dhe përqendrimin: rregulli 5-minutësh.“Është teknika që u sugjeroj edhe pacientëve të mi dhe që më ka ndihmuar të kapërcej lodhjen dhe bllokimet mendore më mirë se çdo gjë tjetër,” thotë ajo.
Çfarë është “Rregulli 5-minutësh”?
Kur ndiheni të lodhur ose thjesht nuk keni dëshirë të bëni një detyrë, fillojeni gjithsesi dhe i jepni vetes vetëm pesë minuta për ta provuar. Pas pesë minutash, mund të vendosni nëse doni të vazhdoni apo jo. “Shpesh nuk është lodhja fizike ajo që na ndal, por lodhja mendore për të nisur diçka,” shpjegon ajo. Ashtu si telefoni që kalon në “modalitet kursimi energjie”, edhe truri përpiqet të kursejë burimet e tij, duke ju shtyrë drejt aktiviteteve që kërkojnë më pak përpjekje si shfletimi i rrjeteve sociale apo shikimi i serive pa ndërprerje. Në këtë gjendje, truri mbivlerëson sasinë e energjisë që një detyrë kërkon, duke e bërë të duket më e vështirë sesa është në realitet.
Por më e vështira është thjesht të nisësh. Rregulli 5-minutësh ul ndjeshëm ndjesinë e frikës apo dembelizmit dhe ndihmon në kapërcimin e momentit të parë të rezistencës. Shpesh, sapo kaloni pesë minutat e para, momentumi merr vetë kontrollin. “Më ka ndihmuar të përfundoj qindra seanca stërvitore që përndryshe do t’i kisha anashkaluar,” tregon ajo. “Edhe gjatë pushimit të lehonisë, kur shkruaja librin tim ‘The Phone Fix’, e përdorja këtë rregull: ulesha pas orarit të fjetjes së fëmijëve dhe thjesht shkruaja disa fjalë… shpesh më shumë sesa kisha menduar se do arrija.”
Edhe pesë minuta vlejnë
Nëse pas pesë minutash vendosni të ndaloni, kjo është në rregull. Ndonjëherë trupi ka nevojë për pushim. Por ajo që arritët në ato pesë minuta nuk është e pavlerë – përkundrazi. “Në trurin tonë, diçka është gjithmonë më mirë se asgjë. Mbi diçka mund të ndërtohet. Mbi asgjë, jo.” Vetëm pesë minuta në ditë përkthehen në mbi 30 orë në vit, dhe ky përkushtim i vogël çon drejt ndërtimit të zakonit. Me kohën, këto sjellje zhvendosen nga korteksi prefrontal (qendra e vendimmarrjes dhe vetëkontrollit) drejt ganglioneve bazale, pjesa e trurit përgjegjëse për zakonet dhe automatizmin. Kur një sjellje bëhet zakon, kërkon më pak energji mendore dhe ndihmon që të mos ndiheni më në “modalitet të ulët energjie”. “Njerëzit që e ndjekin me vite rutinën e tyre të fitnesit nuk mbështeten më te motivimi – ajo është kthyer në zakon.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto