Treg i ri agroushqimor në Farkë, Veliaj: Do promovohen produktet “Made in Albania” - Business Magazine Albania

Treg i ri agroushqimor në Farkë, Veliaj: Do promovohen produktet “Made in Albania”

Në Farkë është hapur tregu i ri agroushqimor në Farkë, ‘AgroPark Tirana’, i ndërtuar posaçërisht për fermerët, të cilët mund të shesin produktet e tyre me zero taksa. Vetëm 10 minuta larg qendrës së Tiranës, konsumatorët do mund të blejnë në këtë treg më lirë prodhimet bio, të kontrolluara dhe të certifikuara sipas standardeve europiane.

Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se nga tregu i ri agroushqimor AgroPark Tirana do të përfitojnë edhe bizneset që mund të blejnë produktet bio në një mjedis të sigurt, por edhe me çmime të favorshme.

“Një nga angazhimet që kemi marrë është që, më në fund, Tiranës t’i japim një treg të ri agroushqimor, të cilin sapo e prezantuam. Për herë të parë kemi diçka të tillë për bujqësinë. Në AgroPark Tirana, që duam ta hapim shumë shpejt – me 100% të vendeve të prenotuara – kemi rezervuar edhe një hapësirë për panaire, po ashtu edhe për fermerët e vegjël, por edhe për bujtinat që duan të reklamojnë biznesin.

Kemi ndjekur një shembull që e kemi parë në Bologna, ku bashkohen grosistët e mëdhenj, ata që kanë një pafundësi serash dhe hektarësh prodhimi, por edhe të vegjlit, që kanë një raport shitblerje, por edhe mësimi nga njëri-tjetri”, u shpreh Veliaj në një bashkëbisedim me sipërmarrës të bujtinave dhe agroturizmeve në kryeqytet.  

Kreu i Bashkisë tha se edhe hapësira e zgjedhur për hapjen e tregut është në një vend mjaft të aksesueshëm nga fermerët, bizneset dhe qytetarët.

“Hapësira gjendet midis fushës së helikopterëve dhe TEG-ut, pra buzë autostradës, buzë Unazës së Madhe; është ideale për disa arsye: Së pari, ka akses në Unazë, jo vetëm për rrethinat e Tiranës, por edhe për ata që vijnë nga Elbasani, nga Rruga e Arbrit. Kështu, krijojmë një hapësirë jo vetëm për prodhuesit e rrethinave të Tiranës, por edhe të atyre që vijnë nga verilindja dhe juglindja”, tha ai.

Veliaj shtoi se hapja e këtij tregu do ulë edhe çmimet dhe do i japë fund abuzimeve të grosistëve.

“Ajo që do ndodhë është se çmimet do të ulen ndjeshëm. Duke i ulur këto tarifa dhe duke e çuar në një treg publik, që nuk ka qëllim fitimin, por administrimin e asaj hapësire, kemi llogaritur se do të kemi 70% ulje të të gjitha tarifave në treg. E di që jetojmë në kapitalizëm – nuk jam kundër privatit, ju jeni të gjithë operatorë privatë – por, unë besoj se shteti mund ta bëjë lehtësimin e një veprimtarie shumë më të kollajtë, duke hequr fitimin. Ndaj, besoj se thyerja e këtij monopoli privat që kishim në Kashar, besoj se krijon më shumë alternativa”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku tha gjithashtu se disa produkte në disa zona duhen promovuar dhe për këtë hodhi idenë e nja kalendari festash për çdo produkt.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0