Trajnim për themeluesit e startup-eve nga Keiretsu Forum Southeast Europe në Prishtinë - Business Magazine Albania

Trajnim për themeluesit e startup-eve nga Keiretsu Forum Southeast Europe në Prishtinë

Trajnim për themeluesit e startup-eve nga Keiretsu Forum Southeast Europe në Prishtinë

Në një atmosferë pune dhe bashkëpunimi në ambientet e Innovation Centre Kosovo, u mbajt trajnimi për themeluesit e startup-eve nga Keiretsu Forum Southeast Europe (KFSEE), këtë herë i fokusuar te ndërtimi i prezantimeve (pitch) përpara investitorëve nga startup-e në fazë të hershme. Përgjatë dy ditëve, themelues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut patën mundësinë të zhvillojnë më tej mënyrën se si paraqesin idetë dhe vizionin e tyre përballë investitorëve potencialë.

Trajnimi u udhëhoq nga Jamie Reynolds, trajner me përvojë shumëvjeçare me startup-e në të gjithë botën, si dhe me drejtues të kompanive si Google dhe Microsoft. Ai solli në Prishtinë një qasje praktike, dinamike dhe të përqendruar te thelbi i komunikimit.

Në fjalën hyrëse, Jamie theksoi rëndësinë e qartësisë dhe besimit në komunikim:

“Prezantimi yt nuk është për produktin. Është për bindjen që ke ndaj tij. Investitorët kërkojnë qartësi, siguri dhe energji, këto janë tri elementët që duhet të sjellësh në çdo prezantim.”

Pjesa e parë e trajnimit u fokusua në ndërtimin e prezantimeve në kohën prej 30 sekondash, 60 sekondash dhe 3 minutash. Themeluesit punuan në grupe dhe patën mundësinë të testonin qasjet e tyre, të eksperimentonin me strukturën e rrëfimit dhe të merrnin komente konkrete jo vetëm nga trajneri, por edhe nga njëri-tjetri.

Lexo edhe:AI Tech Summit rikthehet në Shkup: Inovacion, bashkëpunim dhe vizion për të ardhmen e AI

Ekrem Tahiri, themelues i Vetalgo, ndau një reflektim personal gjatë sesionit:

“Kur flet me zë të lartë për idenë tënde, kupton se sa e ndërlikuar është të thuash saktësisht pse po e bën. Dhe kur të pyesin ‘Pse tani? Pse ti?’, fillon të gërmosh më thellë dhe gjen thelbin.”

Gjatë ditës së dytë, fokusi kaloi tek puna individuale me çdo ekip. Nëpërmjet seancave “one-on-one”, themeluesit morën feedback të personalizuar për strukturën e prezantimit, rrjedhën e rrëfimit dhe stilin e komunikimit. Shumë prej tyre zgjodhën të ridizajnonin komplet mënyrën se si flasin për produktin e tyre duke hequr fjalët e tepërta, duke sqaruar mesazhin dhe duke vendosur më shumë fokus tek ajo që ka realisht rëndësi.

Në përmbyllje të trajnimit, energjia në sallë ishte e ndjeshme. Themeluesit nuk po përgatiteshin thjesht për një prezantim formal, ata po përgatiteshin për të folur me vetëbesim për punën e tyre, përballë kujtdo. Shumë prej pjesëmarrësve qëndruan më gjatë për të shkëmbyer ide, për të diskutuar planet e ardhshme dhe për të ndërtuar lidhje me njëri-tjetrin.

Ky trajnim u realizua falë mbështetjes së Programit Zviceran për Ndërmarrësi (Swiss EP), Fondit për Ballkanin Perëndimor (WBF) dhe Bashkimit Evropian. Kjo nismë vjen si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të ndihmuar zhvillimin e një ekosistemi startup-esh të qëndrueshëm, të bashkëpunueshëm dhe më të gatshëm për investime në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0