Artan Gjergji, Drejtor Ekzekutiv – CEO ne Bursën Shqiptare të Titujve ALSE sh.a. thekson se nevojitet të testohet e gjithë popullsia në mënyrë që kostoja e ekonomisë të mos jetë shumë e lartë. Qëndrimin e tij e ka shprehur tek exit.al.
Lajmi se Kryeministri izraelit Benxhamin Netanjahu po planifikon një fushatë të testimit në masë të popullatës po shihet me shumë interes në debatin publik dhe ekonomik në arenën ndërkombëtare.
Të njëjtën ide po diskuton edhe Britania e Madhe, të paktën nga debatet publike të Kryeministrit Johnson, nxitur padyshim nga zbatimi me sukses të testimeve masive në Korenë e Jugut.
Edhe pse kreu i OBSH-së Tedros Adahnon pretendon se testi i COVID-19 nuk e shmang përhapjen e virusit, identifikimi dhe izolimi i vetëm pacientëve të prekur prej tij do të ishte një arritje e madhe.
Kjo pikë së pari për faktin se identifikimi i hershëm mund të shtojë shanset për shpëtimin e mjaft jetëve, por padyshim edhe për një zhbllokim total të jetës ekonomiko-sociale dhe ekonomisë botërore.
Ndërsa Britania e Madhe po rrit me shpejtësi numrin e testimeve—synon të arrijnë në 25 mijë testime në ditë— Izraeli duket se do të vendosë për testimin e të gjithë popullatës.
Natyrisht, nisur nga kostot, vendet me një popullsi të madhe dhe shtrirje të gjerë gjeografike si Mbretëria e Bashkuar—rreth 67 milionë banorë në rreth 242 mijë kilometra katrorë—e kanë shumë herë më të vështirë dhe natyrisht më të kushtueshme testimin e gjithë popullsisë në krahasim me një vend të vogël si Izraeli me rreth 8 milionë banorë të shtrirë në rreth 22 mijë kilometra katrorë.
Nëse shkojmë me të njëjtën logjikë, Shqipëria është një vend me shtrirje gjeografike të vogël, rreth 28 750 km2 dhe popullsi krejtësisht modeste prej rreth 2,8 milionë banorësh, të përqendruar kryesisht në zonat urbane.
Të gjitha këto karakteristika do ta bënin lehtësisht të menaxhueshme situatën nga pikëpamja operacionale e testimit të popullatës në rast se edhe kostot do të ishin të arsyeshme.
Po sa mund të jenë kostot?
Sipas vlerësimeve më të fundit të Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve të SHBA-ve, institucioni që adminsitron testet në Amerikë, kostoja laboratorike e testit të COVID-19 është përllogaritur rreth $36.
Ndërsa nëse do konsiderohen edhe elementët e tjerë tregtarë (paketimi, transporti, marzhi i fitimit etj.), kostoja që paguajnë kompanitë amerikane të sigurimit i kalon në $52 për test. Ndërkohë në tregun e lirë amerikan kostoja e testeve është afërsisht $80 për test dhe përgjigjja merret brenda 4 ditësh.
Duhet theksuar se kostoja dhe çmimi i tamponi për test vjen dhe ulet çdo ditë, pasi tashmë po prodhojnë shumë kompani të etura për të kapur një pjesë të këtij tregu të papritur dhe shumë fitimprurës.
Për të qenë brenda, po marrim koston $80 për testim.
Lexo: Italia si Koreja e Jugut: Testim masiv i popullsisë
Nëse qeveria shqiptare do të vendoste të testonte të gjithë popullsinë, kostoja totale vetëm për testimet do të shkonte rreth $216 milionë.
Ekspertët e shëndetit publik gjatë periudhës 14 ditore të inkubacionit sugjerojnë të realizohen mesatarisht 3 testime për çdo individ, atëherë nëse ndiqet kjo këshillë kostoja që duhet të përballonte qeveria për testimin e gjithë popullsisë do të ishte rreth $648 milionë.
Padyshim që procesi i testimit ka mjaft kosto të tjera shtesë që kanë të bëjnë me stafin sanitar dhe laboratorik që do t’i realozjë këto testime, por ktëo kosto janë më së shumti përfshira në koston e shërbimit spitalor të vendit. Gjithsesi po shtojmë edhe këtë kosto të përafërt dhe po themi që kostoja totale është $700 milionë.
Kjo kosto në të gjitha rastet është shumë me e vogël se kostot ditore që përllogariten se humbet ekonomia shqiptare nga bllokimi total i aktivitetit ekonomiko-social. Në një vlerësim të bërë para disa ditësh nga revista MONITOR, ekonomia shqiptare mendohet se humbet bllokimi i aktivitetit të paktën rreth €25 milionë (rreth $30 milionë) çdo ditë.
Sipas këtij vlerësimi kostoja minimale e humbjeve ekonomike do të ishte rreth $300 milionë—për një periudhë 2-3 mujore sa mendohet se mund të zgjasë kjo valë e epidemisë kostoja do të arrijë në $600-$900 milionë.
Këtu nuk janë llogaritur natyrisht kostoja e jetëve të humbura njerëzore.
Edhe në këtë skenar ekstrem do të ishte shumë e leverdisshme testimi masiv i popullsisë.
Në një skenar më realist, nëse testohet vetëm popullsia 19 vjeç e sipër, pra popullsia në forcën e punës dhe moshat e mëdha, do të duheshin të testoheshin më pak se 2 milionë persona—pupullsia deri në 19 vjeç në Shqipëri është rreth 800 mijë vetë.
Ky testim masiv, me përjashtimin e moshave të vogla, do të kushtonte vetëm $160 milionë për një test dhe rreth $480 milionë për tre testime për çdo individ.
Nëse testimi do të kufizohej edhe më shumë, kostoja e një testimi masiv do të ishte krejtësisht e papërfillshme në krahasim me koston e humbjeve ekonomike dhe njerëzore.
Prandaj, qeveria dueht të konsiderojë testimin masiv të popullsisë.
Ka ardhur koha që të llogarisim kostot financiare dhe të përdorim realisht magjinë e menaxhimit të financave publike. Llogaritë bëjini vetë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.